Ibishi: Komanda lokale vendoste për emërimet, Shtabi i Përgjithshëm për organizimin në nivel batalionesh
Nuredin Ibishi, ish-komandanti i brigadës 151 të UÇK-së, i njohur me nofkën “Leka”, ka deklaruar në Gjykatën Speciale se ishte komanda lokale ajo që vendoste në lidhje me postet e luftëtarëve të UÇK-së në zonën e Llapit.
Ai shtoi se propozimet për emërime në poste i bënte tek komandanti dhe zëvendëskomandanti.
“Ajo është bërë me një procedurë brenda strukturës. Bëhej propozimi pasi që kisha mandatin e komandantit të brigadës për postet e caktuara. Bëja propozim te komanda, te komandanti, zëvendëskomandanti dhe ai i bënte vlerësimet dhe konform kësaj, ai bënte edhe postimet, gjegjësisht vendimet për postim në pozicion të caktuar në kuadër të kësaj strukture organizative”, tha Ibishi.
Sipas tij, struktura e përgjithshme e komandës së Llapit u përcaktua prej Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare.
“Kjo ka të bëjë me ato adoptimet apo përshtatjet që janë bërë konform strukturës organizative të brigadës të dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm… Kjo është ajo çka në realitet e kemi bërë, por duke iu përshtatur përherë strukturë organizative të dërguar nga Shtabit të Përgjithshëm, por e modifikuar me veçoritë që i ka pasur zona – të cilat i ceka më herët. Ka të bëjë me mbrojtjen civile edhe çështjet e tjera strukturore që ne i kemi zhvilluar pas gushtit të vitit 1998”.
Ibishi dëshmoi më tej se urdhri i Shtabit të Përgjithshëm ishte që të kalohet në nivelin e organizimit në nivel të batalioneve.
“Këtë organogram, duke iu përshtatur organogramit të dërguar si formë e përgjithshme nga Shtabi i Përgjithshëm, ne e kemi modifikuar konform pozicionimit me emra apo me persona në poste të caktuara edhe në nivel të strukturës organizative sipas sektorëve edhe në nivel të batalioneve, pasi që në atë kohë, pra në gusht, me sa mbaj mend të vitit ’98 ishte urdhër i Shtabit të Përgjithshëm që të kalohet në nivelin e organizimit në nivel të batalioneve”, tha dëshmitari Ibishi, transmeton Ekonomiaonline.