I pari Konjufca, e dyta Haxhiu: Mekanizmi për mbikëqyrjen e Gjykatës Speciale, ‘veç fjalë’ - NACIONALE

I pari Konjufca, e dyta Haxhiu: Mekanizmi për mbikëqyrjen e Gjykatës Speciale, ‘veç fjalë’

3 javë më parë

nga NACIONALE

Deklaratat e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt pas kthimit nga Haga, aktakuza e dytë ndaj Hashim Thaçit, pyetjet e gjyqtarëve dhe vendimet pro-Prokurorisë, kanë shkaktuar reagime të mëdha në Kosovë.

Të përfshirë në këtë diskutim janë edhe zyrtarët e lartë të pushtetit.

Vite më parë, pasi vizitoi Hagën, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kërkoi mekanizëm mbikëqyrës për Gjykatën Speciale. Këtë e tha së fundmi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Por, deri më tash, këto paralajmërime kanë mbetur vetëm fjalë, pasi asnjë institucion nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret.

Çka kishte thënë Glauk Konjufca?

Glauk Konjufca pas kthimit nga Haga ku kishte takuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim ka thënë se Gjykata Speciale ka nevojë për një mekanizëm kontrolli.

“Mënyra se si po funksionon kjo gjykatë me thënë të drejtën është një gjykatë absolutiste, kjo gjykatë nuk i jep llogari kurrkujt, kështu nuk ka kurrkund në botë, mos m’i dhënë llogari kurrkujt, ajo për të cilën mendoj që kjo gjykatë për të qenë e ndershme për të qenë gjykatë në përputhje me drejtësinë, për të qenë gjykatë e drejtësisë e jo gjykatë e politikës, ka nevojë për një mekanizëm të kontrollit, ka nevojë për një mekanizëm të llogaridhënies e ky mekanizëm i llogaridhënies nuk po shihet askund në horizont, bashkësia ndërkombëtare nuk po themelon këtë mekanizëm të kontrollit ndaj Gjykatës Speciale, Kosova nuk e ka kurrfarë mekanizmi që e kontrollon dhe ndaj të cilit jep llogari gjykata speciale pro në anën tjetër Kuvendi është themelues i kësaj gjykate”, deklaronte Konjufca.

“Ajo gjykatë është aq e varur sa nuk m’u duk fare e Kosovës që është. Kjo është sfidë e e popullit të Kosovës dhe duhet të jemi bashkë”, kishte thënë Konjufca.

Megjithatë, as Konjufca dhe as institucioni që ai e drejton, Kuvendi i Kosovës, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta realizuar këtë mekanizëm. Madje, as për të miratuar ndonjë rezolutë.

Kjo ishte arsye që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pati kritika të ashpra për Kuvendin dhe pushtetin në Kosovë.

Deklarata e Albulena Haxhiut

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës po e mendon formimin e një mekanizmi për mbikëqyrjen e Gjykatës Speciale.

Ajo ka vlerësuar se ky mekanizëm mund të jetë ndërkombëtarë apo vendor.

Në një intervistë për “Kosovapress”, Haxhiu ka thënë se mekanizmi në fjalë synon mbikëqyrjen e Dhomave të Specializuara në aspektin e të drejtave të personave të akuzuar.

Ajo ka treguar se ekzekutivi deri me tani disa herë ka diskutuar për këtë çështje, por ende nuk janë pajtuar konkretisht,

Kemi diskutuar brenda nesh si institucione në raport me kërkesat që të ketë një organizëm, një mekanizëm që mbikëqyrë punën e Gjykatës Speciale. Nuk është që ka pasur pajtime se kush do të jetë mekanizmi, si do të krijohet mekanizmi, a do të jetë ndërkombëtar apo vendor. Kjo është në kuadër të kompetencave të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka vlerësuar se në këto diskutime janë shfaqur mendime të ndryshme.

Edhe përkundër faktit që kemi diskutuar, jemi takuar shumë shpesh, ka mendime të ndryshme, prandaj derisa nuk kemi një mendim të përbashkuar ose unifikues mendoj se duhet ta diskutojmë sërish. Është e rëndësishme që të ketë një mekanizëm që mbikëqyrë të paktën të drejtat e personave që po akuzohen, anshmërinë e gjykatës dhe rrethanat e tjera dhe rrethanat tjera që lidhen me punën e gjykatës”, ka thënë ajo.

E para e drejtësisë ka thënë se mënyra se si është krijuar kjo gjykatë është e paprecedent.

Mendoj se institucionet, të cilat nuk kanë mbikëqyrje nga askush, mendoj se është shumë problem…Është e paprecedent mënyra se si është themeluar, është e paprecedent mënyra se si nuk i jep llogari askujt. Prandaj, natyrisht që duhet Kuvendi i Republikës së Kosovës ta gjejë, megjithatë mund të mos jetë propozimi më i mirë i mundshëm, por të paktën ta kem një mekanizëm që e ka përsipër këtë“, ka thënë Haxhiu.

Përgjigja e kryetares së Gjykatës Speciale

Kur Konjufca kishte përmendur këtë mekanizëm, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, kishte thënë se një gjë e tillë është e pamundur.

“Sa i përket, lexova dhe e kam përcjell gjithashtu deklaratën e zotit Konjufca, kryetarin e Parlamentit, më duhet të shpreh pikëpamjen time, ne jemi gjykatë, asnjë gjykatë nuk mund të jetë në mbikëqyrje që vjen nga legjislativ apo degë ekzekutive, kjo nuk është e mundur”, kishte thënë Trendafilova gjatë një takimi përmes platformës “Zoom”, me shoqërinë civile, ku pjesëmarrës kishte edhe gazetarë.

Lajme të ngjashme