Hetimet për tenderët sekretë të qeverisë Kurti: Kërkohen veprime të shpejta të drejtësisë - NACIONALE

Hetimet për tenderët sekretë të qeverisë Kurti: Kërkohen veprime të shpejta të drejtësisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Raportimi ekskluziv i Nacionales për nisjen e hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për tenderët sekretë të qeverisë Kurti II, ka nxitur shumë reagime.

Kryesisht reagimet kanë ardhur nga zyrtarët e lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët edhe kishin thirrur seancë të jashtëzakonshme për këtë temë.

E para që reagoi ishte deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili. Ajo tha se ka shpresë që institucionet e drejtësisë do ta kryejnë punën me profesionalizëm.

“Prokuroria Speciale paska nisur hetimet për tenderët sekret të Qeverisë Kurti! Shpresoj shumë që i gjithë mekanizmi hetues, akuzues e gjyqësor të kryej punën në nivelin më të lartë profesional!”, ka shkruar deputetja e LDK-së në rrjete sociale.

Reagoi ashpër edhe deputetja tjetër e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila kishte publikuar një numër të madh të këtyre tenderëve.

Ajo kërkoi veprime të shpejta nga institucionet që të ndalet korrupsioni në qeverinë e Kosovës.

“Lajm i mirë nisja e hetimeve për tenderët njëburimor Nisja e hetimeve për tenderët njëburimor është sinjal i mirë se kushdo që prek paratë e qytetarëve përballet me ligjin. LDK do të vazhdojë denoncimin e secilit tender, secilit veprim korruptiv të Qeverisë”, ka shkruar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Duhen veprime të shpejta të drejtësisë për të ndalur korrupcionin përmes keqpërdorimi të dëtyres zyrtare, dëmtimit të buxhetit të shtetit dhe dëformimit të konkurrencës së drejtë në treg. Janë mbi 890 kontrata në vlerë mbi 240 milionë euro të dhëna me negocim të drejtpërdrejtë. Kjo është e papranushme!”, shkroi Bajrami.

Një tjetër zyrtar i LDK-së që reagoi ishte Berat Rukiqi. Ai renditi disa prej dështimeve të qeverisë.

“Të paaftë në qeverisje dhe të dëmshëm për të ardhen e vendit: Çmime të larta, varfëri në rritje, nën sanksione, asnjë projekt më rëndësi ekonomike, migrim masiv (173 qytetarë, të pashpresë, ikin nga Kosova çdo ditë, gjatë mandatit të kësaj Qeverie); Amatorë në diplomaci: Ilustrimi më i mirë është menaxhimi i procesit me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, përfshirë edhe letrën e fundit skandaloze, te Ministres Gervalla”, shkroi Rukiqi.

“Të korruptuar në përmasa swrioze sipas të gjitha raporteve kredibile ndërlombëtare, tani edhe zyrtatisht nën hetim nga Prokuroria Speciale për tenderët sekretë. Kaq për bilancin qeverisës të Kryeministrit të dorëzuar”, tha ai.

Për raportimin e Nacionales reagoi edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati.

“FRIKA NGA HETIMET PËR HAJNITË MASIVE NË QEVERI ËSHTË ARSYEJA PSE KURTI PO SHFAQ GATISHMËRI ME RRËZU VETEN DHE PËRMES DORËS SË 51% -shit ME KONFIRMU VETEN DÊSHTAK. PRA, QËLLIMI ËSHTË ME HUP VËMENDJEN E VOTUESIT PARA SE HETIMET TË DALIN KONKRETISHT ME TË GJETURAT KUSH DHE KUR KA VJEDH ! Sanksionet, KiE dhe izolimi ndërkombëtar janë arsye shtesë. Ne duhet me urgjencë e me patjetër të shkojmë në zgjedhje për me ndal KORRUPCIONIN MAFIOZ TË QEVERISË KURTI. Mirēpo, hajnat në burg - jo në zgjedhje”, ka shkruar Ardian Kastrati.

Gjithë këto reagime erdhën pas lajmit ekskluziv të botuar nga Nacionale, se Prokuroria Speciale i ka nisur hetimet për tenderët sekretë të qeverisë Kurti.

Prokuroria Speciale është aktivizuar dhe ka nisur hetimet për numrin e madh të tenderëve njëburimorë që janë dhënë gjatë qeverisë Kurti II.

Gazeta Nacionale ka kuptuar nga burimet e veta brenda Prokurorisë se është duke u bërë analizimi i komplet dosjes së kontratave të negociuara që janë dhënë nga të gjitha institucionet.

Megjithatë, duket se do të ketë shumë punë, pasi rasti është voluminoz.

“Prokuroria Speciale është në fazën e analizimit sepse rasti është voluminoz”, ka thënë një burim i afërt me zhvillimet për gazetën Nacionale.

Sipas burimeve të Nacionales, Prokuroria Speciale i ka nisur hetimet ‘Ex Offixio’, apo sipas detyrës zyrtare.

Burimet e Nacionales kanë bërë të ditur se janë duke u analizuar e hetuar të gjithë tenderët që janë dhënë nga institucionet, qofshin ato qeveritare, komunale, apo ndërmarrje publike.

“Janë duke u trajtuar tenderët njëburimorë të të gjitha institucioneve”, tha ky burim për Nacionalen.

Nacionale ka mësuar edhe emrin e prokurorit që po e trajton këtë rast, por me qëllim që të mos ndikohen hetimet, nuk do ta publikojë.

Gazeta Nacionale për t’i konfirmuar këto informacione ka dërguar pyetje edhe në adresën e Prokurorisë Speciale, por deri më tash nuk ka marrë përgjigje.

Lajme të ngjashme