Haxhiu e lumtur nga Venecia: Komisioni ka votuar pro ndryshimeve në Projektligjin për Byronë - NACIONALE

Haxhiu e lumtur nga Venecia: Komisioni ka votuar pro ndryshimeve në Projektligjin për Byronë

3 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Ministrja e drejtësisë, përmes një video nga Venecia, aty ku i zhvillon punët e veta, Komisioni i Venecias, ka njoftuar se anëtarët e këtij komisioni, kanë votuar pro ndryshimeve të Projektligjit për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Haxhiu tutje është shprehur se raportuesit për Kosovën kanë theksuar se Projektligji tashmë përbën një sistem të zbatueshëm të Konfiskimit Civil.

“Në seancën e 133-të të Komisionit të Venecias te mbajtur sot në Venecia të Italisë, prezentova ndryshimet në Projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Jam shumë e lumtur që pas prezentimit Komisioni i Venecias ka votuar pro ndryshimeve të tilla, duke konstatuar adresimin e rekomandimeve dhe problemeve të identifikuara në opinionet e muajit qershor.

Raportuesit për Kosovën theksuan se tashmë Projektligji i ri paraqet një sistem të zbatueshëm të konfiskimit civil të pasurisë së pajustifikueshme.” Ka thënë Haxhiu

Tutje Haxhiu ka falënderuar edhe shoqërinë civile për bashkëpunimin.

Çka ndodhi para kësaj?

E hartuan Projektligjin, u kritikua ashpër nga opozita e shoqëria civile, mori vërejtjet e Venecias, nuk u votua nga Kryetari i Kuvendit, megjithëse kaloi në lexim të parë, Byroja Për Konfiskimin e Pasurisë, u dërgua sërish në Venecia.

Prapë, ishte Kryekuvendari Konjufca i cili tashmë ka dërguar amandamentet, e ndryshimet, që dolën pas vërejtjeve të para nga ky komision, e që u “përmirësuan” nga Grupi Punues.

Lajmin për ri-dërgimin në Venecia, fillimisht e dha ministrja e Drejtësisë, Haxhiu, por më pas e fshiu, dhe atë e bëri vetë iniciatori Konjufca, e Haxhiu vetëm e shpërndau njoftimin e tij.

“Pas përfundimit të punës së Grupit Punues në Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, në koordinim me Ministren e Drejtësisë, dje i jam drejtuar sërish Komisionit të Venecias, me kërkesën për verifikimin e amendamenteve, nëse janë adresuar të gjitha rekomandimet e tyre lidhur me këtë Projektligj.

Falënderoj secilin anëtar të Grupit Punues për përkushtimin dhe punën në këtë nismë të rëndësishme, me qëllim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.” shkroi Konjufca.

Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, e cila ka synim, që pasurinë e fituar kundërligjshëm t’i kthehet shtetit.

Në fakt Byroja ishte ndër premtimet kryesore të Vetëvendosjes. Këtij premtimi konkret i patën paraprirë, parullat e famshme: “Hajnat n’burg”, “Dyzi dymbëdhjetë kat”, “Me hajna, me hajna, nuk ka shtet” etj.

Por, përtej parulles, e pankartave, ta shkruash një Projektligj, që më vonë synohet të bëhet ligj, del të jetë një procedurë e komplikuar ligjore, e burokratike administrative.

Kaloi në lexim të parë, abstenoi Konjufca, vërejtje të mëdha

Projektligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë ka kaluar me 58 vota për dhe 3 abstenime, pa mbështetjen e opozitës, e me abstenimin e kryetarit Konjufca, më 14 korrik të vitit 2022.

Venecia në opinionet e publikuara në faqen zyrtare të Komisionit, drafti i ligjit për këtë Byro vlerësohet se ka shumë mangësi e paqartësi.

Rrezik për politizim të Byrosë. Mos-garancë për luftim të korrupsionit, e shkelje të të drejtave të njeriut. Këto janë vetëm tri nga shumë vërejtjet që i ka adresuar Komisioni i Venecias ndaj Ministrisë së Drejtësisë, në lidhje me Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Projektligji do të zbatohej për pasuritë e përfituara në mënyrë të pajustifikueshme që nga 17 shkurti 2008, brenda 10 viteve kur zyrtarët kanë pushuar së ushtruari këto funksione. Gjithnjë sipas propozimeve të Ministrisë së Drejtësisë, këto hetime i kryen Byroja, e cila nëse vëren se ka mospërputhje në pasuri mbi 25 mijë euro, atëherë i nis hetimet.

Komisioni i Venecias se konfiskimi i pasurisë në rrugën civile, do të ishte rrezik për shkeljen e të drejtave të njeriut.

“Komisioni i Venecias thekson se një konfiskim i tillë do të krijoj rrezik të shkeljes së të drejtave të njeriut. Prandaj, masat mbrojtëse procedurale në konfiskimin civil, janë po aq thelbësore sa në procedurën penale. Për më tepër konfiskimi duhet të jetë në pajtueshmëri me garancitë e të drejtave të njeriut si e drejta e pronës, dhe me kërkesa për gjykim të drejtë. Gjatë qëndrimeve në Prishtinë, përfaqësuesit e kuptuan se korrupsioni është problem i madh. Megjithatë, raportuesit fituan përshtypjen se vetëm një mjet i tillë nuk do të mjaftonte për të arritur përparim të rëndësishëm”, thuhet në opinionin e publikuar nga Komisioni i Venecias. Komisioni i Venecias ka konstatuar se themelimi i një Byroje për Konfiskimin e Pasurisë, mund të jetë edhe rrezik për përzierje të kompetencave.

“Është gjithashtu e diskutueshme nëse themelimi i një organi të tillë, do të bënte luftimin e korrupsionit më efektiv, ose do ta ndërlikonte edhe më shumë gjithë sistemin përfshirë Policinë, Prokurorinë, Organet tatimore e doganore e Agjensinë Kundër Korrupsionit. Sistemi i ri i verifikimit dhe konfiskimit duhet të jetë i kombinuar me sistemin ekzistues të deklarimit të pasurisë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për t’iu nënshtruar zyrtarët dy procedurave të ndryshme të verifikimit për të njëjtën pasuri. Byroja do ta kopjojë punë e Agjencisë, dhe kjo do të mund të shkaktonte një konfuzion, kompleksitet dhe sfida ligjore”, thuhet në rekomandimin e Komisionit të Venecias.

Në fakt, vërejtjet e Venecias, janë të shumëta, për të cilat Nacionale, ka raportuar hollësisht.

Lajme të ngjashme