Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së: Prokuroria deri më 15 prill 2025 i përfundon dëshmitarët - NACIONALE

Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së: Prokuroria deri më 15 prill 2025 i përfundon dëshmitarët

1 ditë më parë

nga Besian Beha

Gjykimi në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po shkon drejt fundit. Të paktën, për dëshmitarët dhe provat e Prokurorisë të cilat pritet të përmbyllen më së largu deri më 15 prill 2025.

Kështu ka bërë të ditur Zyra e Prokurorit të Specializuar ditën e djeshme në konferencën për ecurinë e çështjes.

Prokuroria Matt Hawling bëri të ditur se kanë planifikuar të ftojnë edhe 65 dëshmitarë në sallën e gjykimit, megjithatë, mund të largohen edhe 7 dëshmitarë.

Ai u shpreh se mund ta përfundojnë rastin e tyre deri në prill 2025, ashtu siç iu është përcaktuar nga trupi gjykues.

“Ne po përpiqemi që të përmbushim datën e synuar të paraqitjes së provave nga Prokuroria”, tha ai.

Gjyqtari Charles Smith pati kritika që nuk po ka dëshmitarë rezervë, për të vazhduar sa më shpejt me përfundimin e dëshmive. Ai tha se nuk e kanë ndërmend ta zgjasin afatin për paraqitjen e rastit të Prokurorisë.

“Nuk parashikohet nga trupi gjykues që do të zgjasim ditën e synuar për përfundimin e provave nga Prokuroria. Përderisa ky është synimi ynë, është më vlerë dhe e zgjuar nga Prokuroria që të të paraqes dëshmitarët më të rëndësishëm”, tha ai.

Ligjërisht, pas paraqitjes së rastit nga Prokuroria, avokatët kanë të drejtë ta kërkojnë hudhjen e aktakuzës.

Avokatët e krerëve të UÇK-së ditën e djeshme kanë bërë të ditur se synojnë ta shfrytëzojnë këtë mundësi, megjithatë afati është i shkurtër.

“Do të kërkojmë të paktën 1 muaj kohë për ta bërë kërkesën tonë”, tha avokati i Jakup Krasniqit.

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, bëri të ditur se do t’i duhen gjashtë javës për t’u përgatitur për ta paraqitur rastin e mbrojtjes. Ai theksoi se nuk planifikon të thërrasë më shumë se 10 dëshmitarë.

“Nuk kemi vendosur akoma se do të thërrasim dëshmitarë. Por, jo më shumë se dhjetë me kushtin që ky parashikim mund të ndryshohet”, tha Misetiq.

Kryegjyqtari pati kritika për mungesën e efektivitetit në shfrytëzimin e kohës duke kritikuar më së shumti mbrojtjen.

Fillimisht, Prokuroria e Hagës kishte bërë të ditur se synon të ketë 312 dëshmitarë. Megjithatë, një pjese të tyre iu pranuan dëshmitë me shkrim, e disa u larguan tërësisht.

Megjithatë, sipas Prokurorisë, numri i dëshmitarëve do të ulet edhe më tutje, në mënyrë që në prill të përfundojë rasti i Prokurorisë së Specializuar, e të fillojnë dëshmitarët e mbrojtjes.

Prokuroria e Hagës tash ka larguar nga lista e dëshmitarëve edhe 11 persona, kurse dëshmitë e shtatë dëshmitarëve të tjerë do të pranohen me shkrim, raporton Nacionale.

“Prokuroria e Specializuar nuk synon më të mbështetet në dëshmitë e njëmbëdhjetë (11) dëshmitarëve në vijim: [REDAKTUAR]. Përveç kësaj, PSP-ja synon t'i dorëzojë me shkrim dëshmitë e shtatë (7) dëshmitarëve të mëposhtëm, në vend që t'i thërrasë ata për të dëshmuar”, thuhet në njoftim.

Prokuroria e Hagës është zotuar se do të vazhdojë edhe më tutje ta reduktojë listën e dëshmitarëve, duke synuar që rastin e saj ta përfundojë në prill të vitit 2025.

“Prokuroria e Specializuar do të vazhdojë të shqyrtojë dhe, sipas rastit, të rregullojë paraqitjen e rastit. Në mënyrë të veçantë, duke marrë parasysh ndër të tjera dëshmitarët e ardhshëm (dhe duke iu nënshtruar vendimeve për mocionet e provave), parashikohet që ZPS të jetë në gjendje të njoftojë të paktën shtatë ndryshime shtesë në listën e saj të dëshmitarëve më 1 nëntor 2024”, thuhet në njoftim, raporton Nacionale.

Lajme të ngjashme