Gjykata Speciale aktakuzë të re ndaj Thaçit për pengim të drejtësisë - NACIONALE

Gjykata Speciale aktakuzë të re ndaj Thaçit për pengim të drejtësisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur akuzë të ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, nën pretendimin se ka penguar drejtësinë.

Në një komunikatë për media, pas aksionit të së enjtes, ZPS ka bërë me dije se në këtë rast, ka arrestuar Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun.

Po ashtu, në njoftim thuhet se është lëshuar fletëthirrje për paraqitje për Hajredin Kuçin, ish-ministër i Drejtësisë.

“ZPS-ja ngre akuza ndaj Hashim THAÇIT për vepra penale të pengimit të drejtësisë; arreston Bashkim SMAKAJN, Isni KILAJN dhe Fadil FAZLIUN në Kosovë; dhe lëshon fletëthirrje për paraqitje për Hajredin KUÇIN

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka ngritur akuza ndaj Hashim THAÇIT për vepra penale të pengimit të drejtësisë, sipas një Aktpadie të konfirmuar.

Z. Thaçi ndodhej në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës kur iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tre akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ai do të paraqitet para një Gjykatësi të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës lidhur me akuzat për vepra penale shtesë të ngritura kundër tij." - thuhet në njoftim, transmeton Nacionale.

Mes tjerash, ZPS ka njoftuar se Smakaj, Kilaj dhe Fazliu janë transferuar në Objektin e Paraburgimit në Hagë dhe pritet të paraqiten para Gjykatës, derisa Hajredin Kuçit i është lëshuar fletëthirrje, kurse ndaj tij janë ngritur dy akuza për “mosbindje ndaj gjykatës”.

“ZPS-ja ka arrestuar gjithashtu Bashkim SMAKAJN, Isni KILAJN dhe Fadil FAZLIUN në Kosovë sipas një fletë-arrestimi dhe urdhri transferimi të lëshuar nga një Gjykatës i Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Zotërinjtë Smakaj, Kilaj dhe Fazliu janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të paraqiten edhe ata para gjykatës pa vonesa të papërligjura.

Hajredin KUÇIT i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara e cila ka ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.” – thuhet në njoftim.

Çka thuhet në aktakuzë?

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare, thuhet:

“Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.

Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.”.

Tutje, thuhet se ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për “tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Kundër Fazliut, Smakajt dhe Kilajt është ngritur nga një akuzë për tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

“Në aktakuzën e konfirmuar, kundër z. Thaçi janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Kundër z. Fazliu, z. Smakaj dhe z. Kilaj është ngritur nga një akuzë për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës. Kundër z. Kuçi janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës”.

Në fund, bëhet me dije se seanca e paraqitjes së parë për katër të akuzuarit, do të mbahet të dielen nga ora 09:30.

“Në përputhje me Rregulloren e Procedurës dhe të Provave të DHSK-së, seancat e paraqitjes së parë për katër nga të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore - z. Thaçi, z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj - janë caktuar për të dielën, 8 dhjetor 2024, duke filluar nga ora 09:30, me paraqitjen e parë të z. Thaçi. Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për të hënën, 9 dhjetor 2024, në orën 10:00”.

Lajme të ngjashme