Gjykata në Ferizaj cakton 40 ditë paraburgim për shqiptarin e që u arrestua në Viti
Gjatë ditës së premte është arrestuar një person, shtetas nga Shqipëria, për të cilin kishte arrest ndërkombëtare dhe i njëjti ka qenë duke u strehuar në një fshat të Vitisë.
Për të njëjtin sot i është caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditëve.
Kështu ka njoftuar Gjykata Themelore në Ferizaj.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform nenit 22 paragrafi 1 të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtarë në Çështje Penale (Ligji nr. 04/L-213) dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej katër dhjetë (40) ditëve.” – thuhet në njoftim.
Nga Gjykata në Ferizaj, kanë bërë të ditur se i njëjti dyshohet për veprën penale trafikimi me narkotik.
“Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.Ç., i kërkuar nga Autoritete e Republikës së Shqipërisë, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale trafikimi me narkotik nga neni 283 a/2 dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit nga neni 278/4 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë (KPRSH) në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).” – thuhet ndër të tjera në njoftim.