E treta e vërteta? - NACIONALE

E treta e vërteta?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetarja e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, pritet të qëndrojë sot në Kosovë. Të paktën kështu është njoftuar deri më tash zyrtarisht.

Është hera e tretë që kryetarja e Speciales paralajmëron vizitë në Kosovë: Në dy herat e para ajo e anuloi ardhjen. Fillimisht në qershor të vitit 2022 me arsyetimin e pjesëmarrëjes së madhe në një takim, ajo diskutimet i realizoi online. Kurse, në shtator takimin e anuloi për shkak të protestës së Partisë Socialdemokrate.

E me protestë të partisë së Dardan Molliqajt, Trendafilova do të ballafaqohet edhe sot. Kjo pasi PSD-ja ka organizuar një tubim të ngjashëm para hotelit “Sirius” nga ora 14:00. Po në atë vend, Trëndafilova parashihet të mbajë një takim me shoqërinë civile dhe konferencë për media në orën 14:30.

Megjithatë, i çuditshëm është fakti që mediat janë ftuar, por që nuk do të lejohen të kenë kamerat e tyre në sallën e konferencës. Edhe kjo një fakt që po kritikohet tejet shumë për shkak të mungesës së transparencës.

Lidhur me ardhjen e Trendafilovës në Kosovë, Policia ka bërë të ditur se në disa rrugë do të ketë bllokim të komunikacionit nëpër periudha të ndryshme kohore.

“Policia e Kosovës gjatë vizitës së saj në Republikën e Kosovës do të kujdeset për ofrimin e sigurisë, mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit në vendin tonë. Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) bazuar në itinerarin dhe agjendën si dhe do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë.

E një reagim të ashpër e pati kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj. Sipas tij, më e mira do të ishte që e para e Speciales të mos udhëtojë drejt Kosovës.

“Përpjekja për ta normalizuar padrejtësinë e Gjykatës Speciale, sot paska shkuar një hap tutje. Z. Trendafilova iu paska ofruar siguri shtesë. Janë thyer protokollet shtetërore sikur ajo të jetë vizitë e ndonjë presidenti nga ndonjë vend i rëndësishem, e jo kryesuesja e Dhomave të Specializuara - organ që bën diskriminim të vazhdueshëm etnik, racor dhe njerëzor”, ka shkruar Molliqaj.

“Për ironi të fatit, kërkohet edhe mirëkuptim nga qytetarët për pengesa eventuale në trafik. Sikur të ishte vetëm ky problemi i kësaj vizite. Mbase edhe kanë arsye për ta ruajtur, duke ditur që në Kosovë është e papranueshme dhe revolta ndaj saj është evidente. Më mirë do të ishte të kthehej prapa”, thuhet në postim.

Molliqaj në një konferencë për media javën e kaluar ka përmendur si arsye për protestë edhe ndalimin e vizitave që ndodhi kohëve të fundit nga Specialja. Sipas tij, në këtë formë në Hagë po shkelen të drejtat e njeriut.

Në anën tjetër, Nacionale ka dërguar pyetje nëse vizita do të realizohet sipas planit, por Specialja nuk ka komentuar. Ata vetëm kanë thënë se po punojnë çdo ditë për ta zbatuar mandatin që kanë.

Nuk dihet nëse do të jetë e treta e vërteta për Trëndafilovën në Kosovë. Ajo që dihet është se PSD-ja me përkrahjen e veteranëve do të protestojnë kundër saj.

Lajme të ngjashme