“E hodha një bombolë gazi lotsjellës”, Qysh u bë që Konjufca e pranonte veprën por Gjykata s’e gjeti fajtor - NACIONALE

“E hodha një bombolë gazi lotsjellës”, Qysh u bë që Konjufca e pranonte veprën por Gjykata s’e gjeti fajtor

2 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është shpallur i pafajshëm lidhur me akuzat për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend. E për pengim të personit zyrtar lënda është parashkruar.

Konjufca, vet e pranonte se ka hedhur gaz lotsjellës. Përtej një postimi të tij në Facebook që tashmë është bërë viral ku Konjufca shkruante: “Jam penduar që kam hedh gaz lotsjellës në Kuvend. Ish pas dashtë me marrë një allti me gaz e me gjujt qeverinë. Gjykata paska pasë me më shpall të pafajshëm e me më liru. Nuk kanë thane kot pleqtë – njeri hjek për mend”.

Nacionale ka siguruar edhe një deklaratë të tij për portalin atëbotë dritare.net, e cila u publikua edhe në gazetën zëri.

Konujfca aty ishte pyetur “Pse e hodhët sërish gazin lotjellës?

Kur kuptova që asanjëra nga këto që thashë, nuk do të merrej parasysh, e hodha një bombolë gazi lotsjellës, si masë përtej fjalëve për ta penguar një process të tillë.”- thoshte Konjufca

Foto:

Ndërkohë, vendimi për pafajësinë e Konjufcës është shpallur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, raporton Nacionale.

Kryetarja e trupit gjykues, Edita Çanta, tha se përgjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar që Konjufca, sa ishte deputet opozitar, e ka kryer veprën penale për të cilën e akuzon Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Avokatja e Konjufcës, Arbnora Zeqiri tha se përgjithësia për këtë rast bie mbi Prokurorinë dhe Gjykatën, ndërsa procedurat e tejzgjatura, nuk janë në interes të askujt.

“Gjykata Themelore në Prishtinë sapo shpalli aktgjykimin lirues ndaj mbrojtësit tim, Glauk Konjufca, lidhur me aktakuzat për përdorimin e armeve apo mjeteve të rrezikshme. Konsiderojmë që ky vendim ka qenë i pritur edhe nga ana e mbrojtjes edhe me bindjen tone ka qenë i pafajshëm lidhur me akuzat e përdorimit të armeve apo mjetit të rrezikshëm. E konsiderojmë si vendim të drejt dhe në përputhje me gjendjen faktike të cilës i mungojnë provat dhe argumentet me të cilat do të vërtetohej e kundërta”, tha ajo.

Çfarë thanë dëshmitarët?

Pjesa më e madhe e dëshmitarëve në gjykatë, kundërshtar politikë të Konjufcës, duket se i dolën në mbrojtje këtij të fundit, duke thënë se nuk e kanë parë teksa ka hedhur gaz.

Në njërën prej seancave, Grabovci në cilësinë e dëshmitarit ka thënë se nuk i kujtohet që Konjufca ka hedhur gazë.

Ai ka thënë se deputetet tjerë të VV-së i ka parë duke hedhur gaz.

Nuk më kujtohet se z. Konjufca ka hedhur ndonjëherë gaz lotsjellës. Kjo është ajo që mua me kujtohet. E për të tjerët unë mujë me dëshmu, edhe për Albin Kurtin dhe për të tjerët”, ka thënë Grabovci.

Edhe deputeti Pal Lekaj kishte thënë se nuk i kujtohet që Konjufca të ketë hedhur gaz lotsjellës.

Ndryshe, gjyqtarja e rastit teksa po lexonte Aktgjykimin lirues ndaj Konjufces, u duk mjaft e emocionuar.

Lajme të ngjashme