E akuzoi UÇK-në për vrasjen e Xhevat Isufit dhe Rexhep Musës: Çka thuhet në padinë e familjarëve kundër Imer Imerit? - NACIONALE

E akuzoi UÇK-në për vrasjen e Xhevat Isufit dhe Rexhep Musës: Çka thuhet në padinë e familjarëve kundër Imer Imerit?

2 vjet më parë

nga Besian Beha

Pak javë pasi ish-aktivisti i LDK-së, Imer Imeri, e përfundoi dëshminë në Dhomat e Specializuara të Hagës në rastin e krerëve të UÇK-së, ka përfunduar sërish në Gjykatë.

Megjithatë, këtë herë nuk do të jetë si dëshmitar, por në cilësinë e të paditurit.

Për deklaratat e Imer Imerit në Gjykatën Speciale të Hagës por edhe në disa emisione televizive në Kosovë, ai është paditur nga familjarët e dy heronjëve: Xhevat Jusufit dhe Rexhep Musës.

Imer Imeri edhe në Hagë, por edhe në Kosovë, kishte akuzuar figura të larta të UÇK-së për vrasjen e Jusufit dhe Musës. Madje, për rastin e Xhevat Jusufit, Imeri e kishte akuzuar me emër Jakup Krasniqin.

Para dy ditësh, familjarët e Jusufit dhe Musës, kanë dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku Imer Imeri është paditur për shpifje.

Në padinë të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, djali dhe vëllezërit e Xhevat Jusufit, kërkojnë llogari nga Imer Imeri për deklaratat e tij në Gjykatën Speciale të Hagës. Përveç se Imeri e kishte akuzuar Jakup Krasniqin për vrasjen e Jusufit, ai kishte thënë se “familjarëve të tij ua kanë mbyllur gojën”.

“I padituri edhe më tutje ka vazhduar me shpifjen e tij si ndaj dëshmorit Xhevat Jusufi por edhe ndaj paditësve Esat Isufi, Behxhet Isufi, Avdyl Isufit, gjatë dëshmisë së tij të dhënë pranë Dhomave të Specializuara, në Gjykatën Speciale në Hagë, kur është pyetur për demantimin e Esat Isufit në emision, i njëjti shpif se paditësi Esat Isufi ka qenë i detyruar t’i flet këto fjalë, ku madje thotë se për me ia mbyllë gojën, ia kanë ndërruar vendin e punës”, thuhet në padinë e familjes Jusufi ndaj Imer Imerit, raporton Nacionale.

Akuzat e njëjta, Imer Imeri, i kishte bërë në emisionin Debat Plus në vitin 2023. Aty, ai e akuzonte Jakup Krasniqin për vrasjen e Xhevat Jusufit. I biri i këtij të fundit, lidhet direkt në emision, dhe thotë se “Imer Imeri është gënjeshtar”.

“Në atë emision i padituri deklaron se dëshmori Xhevat Isufi është vrarë nga Jakup Krasniqi, pasi që e ka mbajtur fotografinë e Ibrahim Rugovës, e që spas tij, Jakup Krasniqi i ka kërkuar heqjen e fotografisë. Ndër të tjera, ai thotë se vëllai i Xhevatit më ka thënë se babain ia ka vrarë Jakupi. Në atë emision, lidhet Behxhet Isufi i cili i demanton shpifjet e Imer Imerit. Imer Imeri ka bërë shpifje me qëllim të dëmtimit të imazhit të luftës së UÇK-së dhe babait të tij i cili është vrarë në vitin 03.01.1999 në një pritë nga serbët”, thuhet në padinë e familjarëve të cilën e ka siguruar Nacionale.

Akuza të njëjta ndaj UÇK-së ishin bërë edhe për vrasjen e Rexhep Musës. Edhe familjarët e këtij të fundit, janë pjesë e padisë që është dorëzuar dy ditë më parë. Dy familjet, po kërkojnë secila nga 200 mijë euro kompensim për këto shpifje nga Imer Imeri.

Sipas dy familjeve, Imer Imeri, me këto deklarata i ka dëmtuar moralisht familjet, dhe deklaratat janë bërë krejtësisht për përfitime personale të Imer Imerit.

“Familjet janë dëmtuar moralisht pasi Xhevat Isufi dhe Rexhep Musa kanë rënë dëshmorë për lirinë e Kosovës, ndërsa këtë ka tentuar përmes shpifjes i dëmtuar ta dëmtoj reputacionin e tyre. Këto deklarime i ka lexuar populli i Kosovës, madje janë përhapur edhe më tutje kur këto deklarime i ka bërë edhe në Gjykatën Speciale, duke e vënë në dyshim flijimin e dëshmorëve të UÇK-së për popullin e Kosovës. Nga kjo i padituri ka bërë publikimin e deklaratave të pavërteta për përfitime financiare apo përfitime të tjera, duke paraqitur të pavërteta dhe duke tëmtuar reputacionin e familjeve”, thuhet në këtë padi.

Dëshmia e Imer Imerit në Hagë

Ish-anëtari i LDK-së, Imer Imeri, në dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara, ishte pyetur nga avokatja e Jakup Krasniqit, për deklaratat se ky i fundit e kishte vrarë Xhevat Isufin. Imeri vazhdon ta thotë të njëjtën deklaratë, megjithatë, tash ia atribuon Halit Baranit nga Mitrovica.

“Njerëzit janë lajmëruar tek unë, janë bërë shumë vrasje në këtë drejtim, shumë e vërtetë. Këtu edhe njeriu që është kryetar për të drejtat e njeriut në Mitrovicë, Halit Barani, ka vërtetuar se është vrarë prej shqiptarëve, por shokët e Xhevatit kanë thënë qështu qysh kam thënë unë. Zotëri Jakup Krasniqi i ka thanë heke këtë fotografi se të vras, ai ka thanë me prek nuk ban, ka ndodh vrasja pas dy-tre ditësh”, deklaroi Imeri në Hagë.

Imeri më pas ballafaqohet me demantimin që e kishte pasur nga djali i Xhevat Isufit. Pasi kjo pjesë e emisionit Debat Plus u lëshua në seancë, Imer Imeri e akuzon djalin e Isufit se nuk është i interesuar ta zbardh vrasjen e babait të tij, pasi ka marrë përfitime financiare.

“Ka ndodh. Ka thirr edhe ka thënë shpifës, më vonë e ka pranuar ka thanë më ka thirr dikush në telefon, e jam kanë i detyrum me i thanë Imer Imerit kështu, se është e vërtetë çka ka ndodh. Këta e ka thirr në telefon njeri e ka shti me mu kundërvy mua, e më vonë ka kërkuar falje”, tha Imer Imeri në seancë.

“E kanë thirr në telefon dhe e kanë detyruar me i fole këto fjalë. Ma jepni mundësinë t’ua numërojë personat e vrarë, e kush janë. Zotit ia kam dhanë besën se do të dëshmojë, nuk e di qysh jam gjallë sot. Këtij dy herë ia kanë ndërru punën, me ia mbyllë gojën. Ka shumë këso raste që kanë dhënë vend pune me ua mbyllë gojën”, tha më tutje ai.

Imer Imeri, vëllai i aktivistit të vrarë të LDK-së, Haki Imeri, vitin e kaluar kishte thënë në RTV Dukagjini, se tri ditë pasi Jakup Krasniqi kërcënoi në zyrën e tij në Vidishiq Xhevat Isufin, ky i fundit është vrarë.

“Jakup Krasniqi ka shkuar te Xhevat Isufi në Vidishiq në zyrën e tij dhe i ka thënë çka është kjo fotografi e Rugovës. Ai i ka thënë: “Është foto e Presidentit”. “Ose hiqe ose e nxjerrë revolen dhe e vrasë. Do të kesh pasoja”. Pas tri ditësh është vrarë Xhevat Isufi”, ka deklaruar Imer Imeri.

Djali i Isufit kishte thirrur LIVE në emision.

“Gënjeshtar i gjithë asaj që flet”, tha Isufi.

Sipas tij, Imer Imerin nuk e njeh asnjë nga familja e tij derisa ka shtuar se babai i tij, Xhevat Isufi, ka qenë aktivist që nga vitet e 80-ta.

“Tash që del një shpifës, gënjeshtar çfare është Imer Imeri në studio edhe të shpif se kinse Jakup Krasniqi e ka vrarë babën tem është një gënjeshtër e kulluar”, ka thënë tutje Isufi.

Isufi ka shtuar se kanë mbetur vetëm dëshmorët pa u njollusur nga personat “që nuk e duan lirinë”.

Lajme të ngjashme