Dy qytetarë të Kosovës në burgjet e Serbisë, Haxhiu i kërkon ministres serbe transferimin e tyre në Kosovë
Ministria e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka njoftuar se përmes një letre dërguar homologës së saj serbe Maja Popoviq, i ka kërkuar që dy qytetarët e Kosovës Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula, të transferohen në Kosovë. Një tjetë kosovar me emrin Artan Zymberaj, vetëm pak muaj më parë vdiq në burgun serb.
Të dy këta akuzohen për kryerjen e krimeve të luftës në kundër popullatës civile në Kosovë, gjatë vitit 1999.
Haxhiu në letrën dërguar ministres serbe, ka kërkuar që Mehmetaj e Dula, të vijnë në Kosovë e akuzat ndaj tyre të trajtohen nga organet tona.
Postimi i plotë i Haxhiut:
Javën e kaluar kam kërkuar nga Ministrja e Drejtësisë në Serbi që dy qytetarët tanë t'i transferojë në Republikën e Kosovës.
Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula mbahen në Serbi mbi pretendimet për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile në Kosovë gjatë vitit 1999.
Z.Mehmetaj dhe z.Dula janë qytetarë të Kosovës pra edhe nën mbrojtjen e Republikës. Procesi i deritanishëm ndaj dy qytetarëve të Republikës së Kosovës është i përbërë nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, për vite të tëra.
Çdo akuzë ndaj tyre për krimet e pretenduara, duhet trajtuar nga organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës

Kush janë Mehmetaj e Dula?
Nezir Mehmetaj, u arrestua më 3 janar të vitit 2020 në Merdar. Ai po vazhdon të qëndrojë në paraburgim në Serbi.
Mehmetaj kishte ardhur nga Zvicra për pushime në vendlindje, por gjërat nuk i kishin shkuar sipas planit. Nezir Mehmetaj në janarin e 2020-s u arrestua në pikën kufitare në Merdar nën dyshimet për krime lufte dhe, që prej asaj kohe, ai po qëndron në paraburgim në Serbi. Mehmetaj u ndalua nga autoritetet serbe derisa po kthehej në Kosovë së bashku me nënën e tij nga një spital në Nish.
Familjarët e Mehmetajt ishin akuar se ky i fundit nuk gëzon shëndet të plotë. Sipas tyre, ish ushtari i UÇK-së, ka probleme me diabetin.
Petrit Dula
Gjykata e Lartë e Beogradit e dënoi anëtarin e dyshuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë kohës së luftës, Petrit Dula, me dy vjet burg për pjesëmarrje në rrahjen e një civili në Kosovë në vitin 1999.
Gjyqtarja Snezana Nikoliq Garotiq i tha Gjykatës së Lartë të Beogradit të martën se Petrit Dula u shpall fajtor për kryerjen e një krimi lufte, sulm ndaj një civili në një fshat afër qytetit të Gjakovës në Kosovë në qershor 1999.
Sipas aktakuzës, në gjysmën e dytë të qershorit 1999, pjesëtari i supozuar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dula, së bashku me disa persona të paidentifikuar, kapën me forcë civilin Gazmend Kryeziu nga një shtëpi në një fshat afër qytetit të Gjakovës në Kosovë, - raportontebalkaninsight.
Kosovari që vdiq në burgun serb:
Artan Zymberaj, ishte i arrestuar e po mbahej në burgun e Sremska Mitrovica. Brenda burgut ra një zjarr. Artani vdiq vetëm disa ditë pas kësaj.
Familja e Artan Zymberaj dyshon se djali i tyre, u mbyt në burgjet e Serbisë, e atë ditë kur do të duhej ta mernin kufomën, Policia serbe nuk e ka lejuar njërin nga familjarët e Artanit, të futet në Serbi. Megjithatë pas disa ditësh, familjarët arritën ta marin trupin e tij.

Dyshimet e familjes: I ndjeri e kishte tatuazh Adem Jasharin
Dyshimet kryesore të familjes Zymberi janë se ai u mbyt në burg sepse mbante në gjoks tatuazh Adem Jasharin, e në krahëror Skënderbeun.
“Ngjarja që u kallë burgu ka ndodhë me 22 nëntor. Aty është raportu vetëm se janë lëndu 4 gardianë. Neve na kanë thënë në fillim se ka vdekë prej zemrës, pastaj prej lukthit. Atë raport Serbia ja ka dërgu Norvegjisë. Por ne nuk e kemi pranu raportin, se Artani ka vdekë prej shkaqeve natyrore, sepse pra, pak ditë më herët ka pasë shpërthim në burg. Kemi kërku, obduksionon me bë në Norvegji, për me i ditë shkaktarët”, tregon njëri nga familjarët.
Tutje familjarët tregojnë se kur e kanë vizituar Artanin në burg, ai ka qenë i maltretuar.
“Kur ka shkuar nëna e Artanit në vizitë aty në burg, e ka pa se djali është malltretuar. Madje ai është frikësu me bë muhabet të lirë, me nënnë e tij. Siq tregon vetë nëna e Artanit, gjatë vizitës në burg, Artani tërë kohën e ka kthyer kokën mbrapa, duke u frikësuar se dikush po i vjen nga mbrapa”

Familjarët e Artanit thonë se për krejt këto arsye, ata kanë vendosur që ta kërkojnë ekstradimin e djalit të tyre, për në Norvegji.
“E kemi kërku për me ekstradu në Norvegji. Në Serbi e malltretojshin, e rrahnin. E pamë se djali i ka punët keq. Por qe tash, në proces të ekstradimit jemi kanë, por Artani vdiq. Ne jemi të bindur se e kanë mbyt, veqse ka pasë tatuzhat me Adem Jasharin e me Skënderbeun, edhe kur e kanë arrestu ka qenë me veturë, me një shqiponjë të madhë përpara” deklaron ky familjar. Madje për këto pretendime, familjarët pretendojnë se e kanë një dëshmitar, i cili gjindej në burg me Artanin, e që është nga Siria.
Pse u arrestua Artani?
Burimi i Gazetës Nacionale, ka thënë se Artan Zymberi, u arrestua në kufi me të hyrë nga Kosova në Serbi, para një viti.
Arsyet e arrestimit të tij, gjithmonë sipas burimit, ishin sepse Artanit iu gjetën disa medikamente, të cilat ai po i merrte me vetë për në Norvegji.
Për Artan Zymberin u nis edhe procesi gjyqësor, për çka ai u dënua, me 3 vjet e gjysmë burgim, thotë burimi.
“E kanë dënu, 3 vjet e gjysmë. Tash ka pasë me u ekstradu këtu ne Norvegji.”
