Diplomati austriak Jan Kickert, dëshmitari i 68-të në rastin e krerëve të UÇK-së
Diplomati austriak, Jan Kickert, është dëshmitari i 68-të në rastin e krerëve të UÇK-së.
Prokuroria e Specializuar në fillim të seancës ka lexuar një përmbledhje për historinë e këtij dëshmitari.
Kickert kishte qenë pjesë e UNMIK-ut, dhe një kohë kishte punuar edhe si diplomat në Beograd.
“Nga fundi i vitit 1997 deri mars 1999, Jan Kickert ka punuar në Beograd si diplomat austriak. Në fillim të vitit 1998 ka udhëtuar në Kosovë për t’u takuar me udhëheqësit e partive. Udhëtimet janë bërë më të shpehsta në pjesën e dytë të vitit 1998, pasi iu kërkua të krijonte pika kontakti. Në korrik 1998, Kicker u takua me Thaçin e Veselin, e pastaj me Jakup Krasniqin. Në 1999 ai mori pjesë në takim për të kërkuar lirimin e disa ushtarëve serbë. Në mars 1999 mori pjesë në takim për të diskutuar marrëveshjen e Rambujesë përfshirë Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Si këshilltar i UNMIK-ut, Kicker përpilonte raporte ku përshkruante gjendjen në Kosovë, situatën e pakicave”, u tha në përmbledhje.