Dëshmitari 24 ish-anëtar i LDK-së dhe ish-komandant i UÇK-së: Pse e përmendi Hashim Thaçin? - NACIONALE

Dëshmitari 24 ish-anëtar i LDK-së dhe ish-komandant i UÇK-së: Pse e përmendi Hashim Thaçin?

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Ka filluar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Hagës dëshmitari numër 24 në gjykimin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky dëshmitar ka qenë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe anëtar i UÇK-së. Gjithashtu edhe komandant i UÇK-së për një kohë.

Kështu ka bërë të ditur prokurori i rastit, James Pache, raporton Nacionale. Pache këtë e bëri duke e lexuar një përmbledhje të deklaratës së dëshmitarit.

Ai nuk ka përmendur ndonjë krim eventual të pretenduar të jetë kryer ndaj dëshmitarit apo diçka e tillë.

“Në 98-99 dëshmitari, shqiptar i Kosovës, ishte anëtar i LDK-së dhe UÇK-së, ka qenë edhe komandant i UÇK-së në një periudhë kohore. Ai mori pjesë në një takim ku Thaçi u prezantua si përfaqësues i UÇK-së, në një takim tjetër Thaçi u prezantua si shefi i pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së”, thuhet në përmbledhjen që e lexoi prokurori.

Pra, në bazë të deklaratës hyrëse, dëshmitari pritet të merret në pyetje për strukturën komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pozicionit të Thaçit.

Dëshmitari është me masa mbrojtëse. Pra, nuk dihet identiteti i tij. Seanca po zhvillohet e mbyllur për publikun.

Deri më tash, ka pasur disa dëshmitarë që kanë qenë anëtar të LDK-së por edhe të UÇK-së.

Në mesin e dëshmitarëve të fundit ishte edhe hulumtuesi nga Human Rights Watch, Fred Abrahams. Ai ishte marrë në pyetje për ditë të tëra, dëshmi e cila nxiti shumë reagime në Kosovë.

Dëshmitari 24 ka bërë disa ndryshime në deklaratat e tij të mëhershme, dhe Nacionale sjell bisedën e tij me prokurorin.

Pache: A i shihni dy dokumentet?

Dëshmitari 24: Po

Pache: A iu kujtohet kjo intervistë në janar 2020?

Dëshmitari 24: Po

Pache: A e kujtoni se iu dha mundësia për sqarime në këto deklarata?

Dëshmitari: Po

Pache: A iu kujtohet se keni bërë disa sqarime nga deklaratat e mëhershme?

Dëshmitari: Po

Pache: A iu kujtohet se korrigjimet janë bërë në një dokument?

Dëshmitari: Besoj që po. Plotësimet e kanë bërë atë pjesën e parë, dhe atoo plotësime janë bërë të sakta.

Pache: A konfirmoni që shtesat dhe sqarimet a pasqyrojnë ato të njëjtat përgjigje që do të pyeteshit për këto ngjarje?

Dëshmitari: Besoj që po.

Lajme të ngjashme