Dëshmitarët katolikë dhe trafikimi i organeve: Për çka e alarmoi avokati i Thaçit trupin gjykues në Hagë? - NACIONALE

Dëshmitarët katolikë dhe trafikimi i organeve: Për çka e alarmoi avokati i Thaçit trupin gjykues në Hagë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Me përplasje e deklarata të ashpra është kthyer nga pushimi Gjykata Speciale me seli në Hagë. Raportimi i Nacionales lidhur me disa dëshmitarë katolikë që janë kërkuar kundër Thaçit, dhe deklaratat nga Rusia se UÇK-ja është e përfshirë në trafikim organesh në Ukrainë, kanë shkaktuar reagimin e ashpër nga avokati i Hashim Thaçit në nisje të seancës.

Por, çfarë deklaroi saktësisht avokati Gregory Keohe?

Gazetar Nacionale ditë më parë kishte publikuar një intervistë me Ndue Gjinaj, një biznesmen nga Kosova në Gjermani. Gjinaj pretendonte të ketë pasur biseda të afërta me Ridvan Muharremin, pronari e restaurantit “Bukë e zemër”, që përmendet edhe në aferën e vajit, dhe i afërt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Gjinaj deklaronte se “Ridi” siç përmendet në përgjimet e Nacionales, i kishte kërkuar katër dëshmitarë katolikë për të dëshmuar kundër Thaçit. Kjo pasi sipas tij, katolikët janë më të besueshëm.

E kjo deklaratë e Gjinajt shkaktoi përplasje të ashpër në seancën e sotme të Hagës, ku Gjykata Speciale u kthye nga pushimet. Avokati i Thaçit tha se nëse vërtetohet ky pretendim, atëherë kjo është ndërhyrje në drejtësi.

“Tjetra që është shumë shqetësuese është ndikimi në dëshmitarë. Ka shumë artikuj të botuar në Prishtinë dhe që janë reflektuar në lajme dhe intervista në mënyrë të drejtpërdrejtë që një person shqiptar në Gjermani është takuar dhe kontaktuar nga Qeveria e Kosovës dhe thuhet që ky person në Gjermani është kërkuar të gjejë 4 dëshmitarë katolikë kundër Thacit. Ai citohet të ketë thënë që mua më është kërkuar të gjejë dëshmitarë katolikë kundër Thacit. E kuptoj që ZPS-ja ka përdorur ndërmjetës në Prishtiën për të gjetur dëshmitarë, megjithatë kjo është ndërhyrje në drejtësi, për të gjetur dëshmitarë katolikë që të dëshmojnë kundër klientit tim. Dua ta ngrejë këtë, dhe t’ua bëj me dije, kjo është ndërhyrje në drejtësi. Për të qenë i sinqetë nuk kam asnjë vend tjetër për të thënë këto përveç se në trupin gjykues,. Gjykata dhe unë si avokat kërkoj disa shpejgime nëse janë kërkuar dëshmitarë nga dikush që është i pranishëm në këtë sallë gjyqi. Do ta bëjmë edhe me shkrim”, ka thënë Keohe.

Prokuroria e Specializuar e Hagës nuk pati ndonjë koment për këtë temë. Vetëm kërkoi që këto ankesa avokati t’i drejton me shkrim.

Përveç kësaj, avokati i Hashim Thaçit, pati reagim të ashpër edhe për disa deklarata nga Moska zyrtare se UÇK-ja është e përfshirë në trafikim organesh edhe në Ukrainë. Madje, Maria Zaharova, zëdhnësja e ministrisë së jashtme ruse e kishte përmendur me emër Thaçin.

Avokati ka pasur kërkesë të hapur për trupin gjykues, që të dalin e të tregojnë se krerët e UÇK-së nuk akuzohen për trafikim organesh.

“Janë disa artikuj të Maria Zaharova që janë ruajtur në median evropiane, duke thënë se një prijës është përfshirë në trafikim organesh në këtë proces gjyqësor. Kjo është false, këto media janë paragjykues ndaj të akuzuarve. Nëse hetimi që ka të bëj me trafikim organesh, duhet që dikush në këtë godinë ta thotë këtë, se nuk ka asgjë ndaj të akuzuarve që i lidhin me trafikimin e organeve. Kjo duhet të bëhet e qartë nëse rusët po përpiqen të ndikojnë në këtë trup gjykues, por pavarësisht qëllimit, ata po përpiqen që të thonë që zotërinjtë që janë të akuzuar këtu janë të përfshirë në akuza për trafikimin e organeve gjë e cila nuk është e vërtetë”, deklaroi avokati Keohe.

Në seancën e sotme po dëshmon dëshmitari i 16-të i Prokurorisë. Ai nënkuptohet të ketë qenë ish-ushtar i UÇK-së në zonën e Llapushnikut, dhe përkrahës i LDK-së.

Dëshmitari i ka përmendur emrat e Fatmir Limajt, Ismet Jasharit e Iska Musliut, si udhëheqës të zonës. Përderisa ka pretenduar se komanda e kësaj zone, kishte qëndrime kundër LDK-së.

Lajme të ngjashme