Avokatja e Jakup Krasniqit: Zëdhënësi nuk përzihet në operacione ushtarake
Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkatesëari Alagendra, ka thënë në Dhomat e Specializuara se Prokuroria qëllimisht po e keqkupton rolin e Krasniqit në luftë.
Ajo ka deklaruar se zëdhënësi nuk përfshihet në çështje operacionel.
“Prokuroria e keqkupton ose qëllimisht e gabon rolin e Jakup Krasniqit. Nga qershori i vitit 1998 Krasniqi ishte zëdhënës. Ne të gjithë e dijmë çfarë roli ka zëdhënësi. Ata nuk përfshihen në temat operacionale ushtarake. Roli i tyre është kontakti dhe marrëdhëniet me publikun. Këtu me respekt do t’iu sjell diçka në vëmendje: do të dëgjoni dëshmitarë teksa flasin për strukturën e UÇK-së por që nuk kanë asnjë bazë përtej thashethemeve”, tha ajo, raporton Nacionale.
Ajo foli edhe për komunikatat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deklaroi se komunikatat nuk janë shkruar të gjitha nga Jakup Krasniqi.
“Do të them disa fjalë për komunikatat: Nuk mund të nxirret si përfundim se ai ishte përgjegjës për të gjitha komunikatat për të cilat Prokuroria vendos kaq shumë peshë. Komunikata e parë është nxjerrë në vitin 1994, shumë kohë para se Jakup Krasniqi të bëhet zëdhënës. Disa prej tyre nxirreshin nga zonat operative. Nëse këto dokumente janë gjetur në shtëpinë e Jakup Krasniqit, kjo nuk vërteton se z.Krasniqi është autor i këtyre dokumenteve. Ai është shkrimtar dhe historian dhe i duhen për librat e tij të shumtë”, tha avokatja e Krasniqit.
Avokatja deklaroi se UÇK-ja ka qenë grumbullim i njerëzve të zakonshëm pa përvojë ushtarake, që kanë synuar mbrojtjen e vendit.