Arresti shtëpiak, vizitat, mesazhet në telefon – avokati jep disa opsione që Thaçi të lirohet nga burgu - NACIONALE

Arresti shtëpiak, vizitat, mesazhet në telefon – avokati jep disa opsione që Thaçi të lirohet nga burgu

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Arresti shtëpiak. Garancia nga Policia e Kosovës. Telefonat e vizitorëve. Mesazhet me shkrim e përgjimet. Të gjitha këto opsione i ka dhënë avokati i Hashim Thaçit, në mënyrë që ish-presidenti i Kosovës të lirohet nga paraburgimi. Nëpërmjet disa parashtrimeve me shkrim të cilat i ka parë gazeta Nacionale, Gregory Keohe ka folur edhe për garancitë nga shtetet e treta, të cilat nuk u morën parasysh nga Gjykata Speciale.

Kur kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga arrestimi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, po vazhdojnë të mbahen në paraburgim edhe pse gjykimi ende nuk ka nisur. Në parashtrimet e radhës, avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe ka vlerësuar se tashmë nuk ka asnjë arsye që Thaçit të mbahet në paraburgim. Sipas avokatit, Policia e Kosovës, por edhe shtetet e treta të cilat mbesin sekrete, kanë ofruar garanci se mund ta zbatojnë lirimin me kusht për Thaçin.

Gjykata Speciale e konsideroi se kapacitetet që i ka ofruar Policia e Kosovës për të zbatuar arrestin shtëpiak, nuk janë adekuate. Madje, as garancitë nga shtetet e treta nuk patën ndikim. E kur kërkon lirim nga paraburgimi, avokati i Thaçit fillimisht flet për vizitat familjare në shtëpinë e ish-presidentit të Kosovës, nëse ai lirohet.

“Çdo rrezik i shtuar nga kontaktet me familjarët, zbutet nga fakti sepse nuk ka asnjë indikacion, që pas 17 muajsh vizita në Qendrën e Paraburgimit, ka kaluar ndonjë informacion konfidencial mes tyre. Ata nuk rrezikojnë jetesën e tyre dhe burgun, për të marrë ose dhënë ndonjë informatë sekrete. Për të zbutur edhe më tej çdo dyshim, Thaçi pranon që të burgoset 30 ditë para fillimit të gjykimit, duke qenë koha me të cilën mbrojtjes do t’iu zbulohej emri i dëshmitarëve të mbrojtur”, thuhet në parashtrim të avokatit të Thaçit, raporton gazeta Nacionale.

Avokati i Thaçit ka shprehur gatishmëri edhe për të zbatuar monitorime të telefonave të vizitorëve. Gjithashtu, edhe në lidhje me mesazhet e mundshme me shkrim që mund të shkëmbehen, avokati ka thënë se mund të parandalohen.

“Sa i përket monitorimit të telefonave, mbrojtja propozon që vizitorëve t’u kontrollohen telefonat para dhe pas vizitës. Më tej, gjyqtari dhe kolegji i Apelit e pranuan se mund të zbatohet kjo njëlloj sikur në objektin e paraburgimit. Mbrojtja kërkon që ky rrezik, të zbutet në arrest shtëpiak duke kufizuar numrin e vizitorëve, të cilët duhet të aprovohen paraprakisht për ta vizituar Thaçin gjatë arrestit shtëpiak. Me listën e vizitorëve të aprovuar paraprakisht, mund të parandalohet zbulimi i informacionit konfidencial”, thuhet më utje më parashtrim.

E në lidhje me numrin e policëve dhe kontrollit të zbatimit të arrestit shtëpiak, avokati i Thaçit ka dhënë disa opsione.

“Mbrojtja kërkon që oficerët e Paraburgimit të mbikëqyrin arrestin shtëpiak të Thaçit ekskluzivisht, ose në kombinim me oficerët e Policisë së Kosovës, dhe të marrin trajnime për aplikimin dhe regjimin e vizitave dhe komunikimit. Mbikëqyrja e këtyre oficerëve duhet t’i mbetet zyrës së regjistrimit. Mbrojtja kërkon nga gjyqtari që të urdhërojë që oficerëve e policëve, t’iu kërkohet që menjëherë t’i ngrenë shqetësimet e tyre me telefon përmes shefit të tyre”, thekson parashtrimi.

Avokati i Thaçit gjithashtu ka propozuar që të thirret një seancë dëgjimore, ku do t’i prezantojë kapacitetet e Policisë, drejtori Samedin Mehmeti.

Shtetet e treta

Janë dy shtete të treta, të cilat kanë dhënë garanci se mund ta zbatojnë arrestin shtëpiak për Thaçin. Emrat e tyre nuk u bënë të ditura kurrë, megjithatë duket se garancia e tyre ende vlen. Kështu të paktën thuhet në parashtrimin e avokatit të Thaçit.

“Mbrojtja rikthekson propozimin që z.Thaçi të lirohet në territorin e REDAKTUAR, sipas kushteve nga gjyqtari i procedurës paraprake. Lirimi në një vend të tretë, do të shërbente gjithashtu për të anashkaluar shqetësimet në lidhje me Policinë e Kosovës, dhe nuk do të kërkohej që oficerët e Qendrës së Paraburgimit të vendosen ne Kosovë”, pretendon avokati Keohe.

Avokati i Thaçit ka përmendur edhe qëndrimet e gjyqtarëve Kai Ambos e Nina Jorgensen, të cilët kanë theksuar se nëse ka garanci nga vendet e treta, do të duhej të merreshin parasysh.

Avokati Keohe ka përmendur si arsye se lirimi nga paraburgimi duhet të bëhet, pasi janë zbuluar pjesa më e madhe e materialeve, dhe se klienti i tij nuk mund të ndikojë në procedurë. Keohe ka përmendur edhe provat shfajësuese, përfshirë raportin nga CIA e deklaratat e ish-ambasadorit të OSBE-së në Kosovë, Dan Everts.

Lirimi nga paraburgimi deri më tash ka qenë i pamundur, pasi përveç gjyqtarit të procedurës paraprake, edhe Gjykata e Apelit ua ka refuzuar kërkesat për mbrojtje në liri ish-krerëve të UÇK-së. Kjo me arsyetimin, se mund të ndikojnë në procedurat gjyqësore, dhe rreziku i ikjes.

Përveç Thaçit, në paraburgim po qëndrojnë edhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Procedura ende është në fazën paraprake, dhe periudhë kur gjykimi mund të nisë, është përmendur janari i vitit të ardhshëm.

Lajme të ngjashme