Apeli e kthen në rigjykim rastin e vrasjes së Lulzim Fejzullahut nga Podujeva
Vrasja e 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu në Podujevë, është kthyer në rigjykim.
Kështu raporton Betimi për Drejtësi, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.
Sipas vlerësimit të kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, qëndron pretendimi i avokatit Musa se kryetarja e trupit gjykues, Lumnije Krasniqi ka qenë gjyqtare e procedurës paraprake në të njëjtin rast penal.
Apeli vlerëson se gjyqtarja Krasniqi është dashur të përjashtohet nga gjykimi i kësaj çështjeje penale.
Në vendimin e Apelit theksohet se gjykatësja për të mitur në fazat paraprake ka marrë pjesë në këtë cështje penale në procedurën përgatitore, duke ua caktuar dhe vazhduar masën e paraburgimit dy të miturve. Aty thuhet se e njëjta me rastin e vendosjes në këtë cështje penale ka marrë pjesë dhe ka vendosur në cilësinë e kryetares së trupit gjykues.
Gjithnjë sipas këtij vendimi, edhe pse në Kodin e Drejtësisë për të Mitur nuk rregullohet specifikisht kjo çështje, përshtatshmërisht zbatohen dispozitat e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.
Sipas Apelit, bazuar edhe në mendimin juridik të Gjykatës Supreme, thuhet se nuk mund të jetë gjyqtari i vetëm gjykues, anëtar i trupit gjykues, kryetar i trupit gjykues në gjykatën e shkallës së parë, gjyqtari i cili ka caktuar/vazhduar masën e paraburgimit.
Gjithnjë sipas këtij vendimi, aktgjykimi i shkallës së parë përfshihet në shkelje të natyrës absolute për faktin se kemi vlerësim dhe konstatim të gjendjes faktike para nxjerrjes dhe vlerësimit të provave.
Apeli vlerëson se aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë edhe në shkelje tjera, pasi që me rastin e hapjes së shqyrtimit gjyqësor, nuk kanë qenë prezent palët në procedurë, prania e të cilave kërkohet sipas ligjit. Pra, kanë munguar pala e dëmtuar dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar.
Në vendimin e Apelit thuhet se dispozitivi i vendimit të Themelores është i paqartë dhe kundërthënës, pasi që në dispozitiv janë përfshirë ngjarje dhe përfshkrime që nuk kanë të bëjnë fare me ditën kritike, duke stërngarkuar dhe ekzagjëruar rrethanat që nuk kanë të bëjnë me veprimet inkrimunuesve të të miturve.
Ndryshe, Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 23 maj 2024 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të miturve lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë. I mituri i parë u dënua me 10 vjet burgim, kurse i mituri i dytë u dënua me 9 vjet burgim.