Akuzohen se me 40 fishekë kishin vrarë tre persona në Kaçanik, njëri nga ta thotë se nuk i ka “hak” askujt - NACIONALE

Akuzohen se me 40 fishekë kishin vrarë tre persona në Kaçanik, njëri nga ta thotë se nuk i ka “hak” askujt

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Afet Dalloshi, i cili bashkë me Agron Dalloshin po akuzohen se me 40 fishekë kishin vrarë tre persona dhe e kishin lënduar një tjetër, ka thënë se për këtë rast nuk ndihet fajtor dhe se askujt për këtë punë nuk i ka borxh as hak.

“Asnjëherë nuk jam ndier fajtor e as sot nuk ndihem fajtor edhe e di që kujt për këtë punë borxh as hak nuk i kam, kurrë nuk kam paguar dëshmitarë e as ndikuar në dëshmitarë qysh janë deklaruar dëshmitarët se gjoja jam paguar nga personat tjerë”, tha i akuzuari Afet Dalloshi.

Këtë deklarim, i akuzuari Afet Dalloshi, e bëri në seancën e së hënës, gjatë deklarimit të tij, pas plotësimit të procedurës së provave, raporton Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, ai ka thënë se ka qenë i kërcënuar nga Fikri Hasani, por jo edhe nga vëllezërit e Besnik Hasanit dhe nga tani i ndjeri Nysret Cena.

Ndërsa, i akuzuari Agron Dalloshi në këtë seancë shfrytëzoi të drejtën e tij për mos t’u deklaruar.

Ndryshe, i akuzuari Agron Dalloshi kishte dhënë mbrojtjen e tij në seancat e 13 shtatorit 2022 dhe 29 shtatorit 2022, ndërsa i akuzuari Afet Dalloshi ishte deklaruar në seancën e 2 nëntorit 2022, mirëpo pas mbrojtjes së tyre ishte bërë plotësimi i procedurës së provave për dëgjimin e disa dëshmitarëve.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi bëri të ditur se gjykata disa herë ka tentuar që të bie në kontakt me të dëmtuarin Sadik Baftiu, mirëpo nuk kanë arritur që të komunikojnë me të.

“Disa herë kemi tentuar të komunikojmë me të, me qëllim që të paktën të kemi një lidhje me video-link, por nuk kemi arritur të komunikojmë, prapë kemi kërkuar ndihmën e të dëmtuarit Arben, me qëllim që të sigurojmë ndonjë numër tjetër, por i njëjti përmes telefonit na ka njoftuar se nuk ka ndonjë numër tjetër”, deklaroi gjykatësi Foniqi.

Më pas, lidhur me këtë të dëmtuar, trupi gjykues mori aktvendim se do të mbetet si dëshmi deklarata e tij e lexuar në këtë shqyrtim gjyqësor.

Tutje, seanca pritej të vazhdonte me fjalën përfundimtare të palëve në procedurë, mirëpo prokurorja Fikrije Krasniqi-Fejzullahu kërkoi nga gjykata që për fjalën përfundimtare të caktohet një seancë tjetër.

“Duke pasur parasysh faktin që seanca e sotme është caktuar vetëm për orarin e pasdites dhe ishte e paraparë dëgjimi i të dëmtuarit Sadik Baftiu, e duke pasur parasysh faktin që kjo çështje voluminoze dhe e ndërlikuar kërkon kohë për paraqitjen e fjalës përfundimtare, kërkoj nga gjykata që të caktohet një seancë tjetër për paraqitjen e saj”, tha prokurorja Krasniqi-Fejzullahu.

Më pas, këtë kërkesë e ka aprovuar gjykata, ndërsa seanca e radhës u caktua më 3 maj 2023.

Lajme të ngjashme