Afera “Kokaina” në Leposaviq: Prokuroria interviston ish-nënkryetaren e komunës, ftohen edhe dy punëtorë - NACIONALE

Afera “Kokaina” në Leposaviq: Prokuroria interviston ish-nënkryetaren e komunës, ftohen edhe dy punëtorë

1 muaj më parë

nga Besian Beha

Gazeta Nacionale në fillim të këtij viti kishte publikuar pamje brenda objektit të komunës së Leposaviqit, ku shiheshin zyrtarë të lartë të komunës e punëtorë, duke konsumuar kokainë.

Pas raportimit të Nacionales, nënkryetarja e komunës, Dragana Miletiq, u shkarkua. U shkarkuan edhe disa punëtorë të tjerë, përderisa u suspendua punëtori i Policisë që shihej teksa merrte kokainë.

Disa muaj më pas, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka intensifikuar hetimet për këtë rast.

Në një përgjigje për Nacionalen, nga Prokuroria kanë bërë të ditur se ish-nënkryetarja e komunës është intervistuar, dhe gjithashtu janë ftuar dy persona të tjerë për intervistim.

“Është marrë deklaratë nga e pandehura, si dhe u është bërë ftesë dy të pandehurve tjerë për intervistim. Rasti është në hetime”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Gazeta Nacionale nga burime të ndryshme kishte siguruar disa video-incizime ku nënkryetarja e komunës, Dragana Miletiq, shihet duke konsumuar lëndë narkotike.

Njëra prej videoeve duket të jetë realizuar në një nga banjot e objektit të komunës së Leposaviqit.

E në një tjetër video nënkryetarja e Leposaviqit shihet teksa konsumon drogë në zyrët e komunës, bashkë me një tjetër punëtor.

Nacionale ka kontaktuar edhe me nënkryetaren e komunës, Miletiq, për të marrë një qëndrim nga ajo për këto video-incizime. Ajo nuk ka folur direkt për përmbajtjen, por e ka akuzuar Listën Serbe.

“Të rreme. Të gjitha këto janë të shpikura prej qytetarësh të Listës Serbe për të kërcënuar emrin dhe pozitën time në Komunë (të Leposaviqit), si dhe punëtorët në Komunë të Leposaviqit”, ka thënë nënkryetarja e Leposaviqit për Nacionalen.

“Nuk është e vërtetë. Që nga fillimi i përfshirjes sime në këtë vend (në Komunë) ata kanë thurrur tregime të ndryshme vetëm për të më rrënuar mua, dhe veturës sime ia vunë flakën. Është e pabesueshme se sa presion kanë bërë mbi mua dhe emrin tim. Por, do të luftoj gjer në fund. S’më frikësojnë”, tha ajo.

Një ditë pas raportimit, nënkryetarja e komunës dhe punëtorët që shiheshin në video-incizimin e Nacionales, ishin suspenduar.

Gjithashtu, ishte suspenduar edhe polici që shihej teksa merrte kokainë.

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë filluar një hetim pas publikimit të video-incizimeve të reja në medie në bazë të të cilave dyshohet se zyrtarë të komunës së Leposaviqit kanë konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të komunës. Hetimi i IPK-së ka filluar bazuar në dyshimet se në këto pamje tashmë të publikuara mund të jetë i përfshirë si i dyshuar edhe një zyrtar policor. IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tashmë ka intervistuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Leposaviq me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”, thuhej në komunikatën e IPK-së.

Në videot që ka siguruar Nacionale, polici Radoviq shihet teksa drogohet në shoqërimin e punonjësve, e madje dëgjohen edhe zëra duke sharë: “f..k the police”.

Ky raportim ekskluziv kishte shkaktuar shumë reagime në Kosovë. Kryetari i komunës, Lulzim Hetemi, kishte deklaruar se nuk kishte pasur dijeni që zhvillohen veprime të tilla në objektin e komunës.

Lajme të ngjashme