A do të shtyhet sërish vendimi Gjykatës Speciale për krerët e UÇK-së?
Dhomat e Specializuara kanë vendosur ta shtyjnë afatin për vendimin në rastin e krerëve të UÇK-së, të paktën deri më 20 korrik.
Pavarësisht se afati fillestar ishte 19 maji, ata këtë e kanë arsyetuar me kompleksitetin e rastit.
Përderisa, në Kosovë, kjo është parë si ndikim direkt politik, për arsye të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Megjithatë, gjyqtarët e Speciales e kanë lënë të hapur mundësinë që vendimi të shtyhet sërish. Kjo sipas tyre, nëse është absolutisht e nevojshme.
Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se kjo shtyrje, cenon parimin e gjykimit brenda një kohe të arsyeshme.
“Shtyrja e afatit prej 60 ditësh për marrjen e vendimit nga ana e Trupit gjykues në rastin e katërshes së UÇK-së, përbën një tjetër dëshmi të zgjatjes së panevojshme të këtij procesi, duke e shtyer epilogun e vendimit gjyqësor edhe për periudhën shtesë të pajustifikuar. Një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt parimin themelor të gjykimit brenda një kohe të arsyeshme që është ndër shtyllat kryesore të një sistemi të drejtë gjyqësor. Edhe pse Rregulla 159, e Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara e lejon një shtyrje të tillë në rrethana përjashtuese, aplikimi i saj në këtë fazë krijon përshtypjen e një standardi të dyfishtë dhe thellon mosbesimin publik ndaj administrimit të drejtësisë”, ka shkruar ai.
Sipas Bajraktarit, edhe më të rëndë situatën e bënë fakti që krerëve të UÇK-së po u vazhdohet paraburgimi.
“Edhe më shqetësuese është vazhdimi i paraburgimit të z. Thaçi dhe të tjerëve, në një kohë kur procesi ka përfunduar dhe pritet vetëm vendimi i trupit gjykues. Mbajtja e tyre në paraburgim në këto rrethana, ngre pikëpyetje serioze mbi domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e kësaj mase. Në shtetet e së drejtës, drejtësia nuk duhet vetëm të vihet në vend, por edhe të duket se po vihet në vend. Çdo vonesë e panevojshme dhe çdo kufizim i zgjatur i lirisë, pa arsyetim bindës e dëmton këtë parim dhe minon besimin e qytetarëve në drejtësi”, ka shkruar Bajraktari.
Për Organizatën e Veteranëve të Luftës, kjo shtyrje ishte direkt politike, kurse dje ata dorëzuan në Hagë edhe peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime.
Ish-pjesëtari i UÇK-së, Uk Lushi, ka kritikuar heshtjen e Kosovës karshi kësaj situate.
“Populli shqiptar e ka, quajeni si të doni, ves apo virtyt të durojë deri ku nuk durohet, por kur të eksplodon do të jetë keq për secilin buzhuvell, të huaj dhe nativ, në Kosovë. Sidomos ju ambasadorokratë në Prishtinë mos thoni se nuk jeni paralajmëruar. E keni tepruar përtej neverisë. E keni tepruar me Gjykatën Speciale dhe jeni duke u sjellë si kolonialistë mbi sistemin juridik të Kosovës pa e pyetur Kosovën për asgjë. E keni shumë gabim nëse mendoni se Kosova pranon gjithçka pafund. Çdo verdikt tjetër përpo lirimit të themeluesve të shtetit të Kosovës, pas gjykimit farsë ku nuk u provua asnjë pikë e aktakuzës dhe u diskredituan rrenat ndërkombëtare për rrenat e Dick Martyt, do të shpërthejë krejt Kosovën dhe shqiptarët nuk mbajnë asnjë obligim e as përgjegjësi ndaj askujt, as aleatëve dhe as armiqve”, ka shkruar Lushi.