25 vjet nga masakra e Reçakut: Vetëm një serb i akuzuar deri më tash
15 janari i vitit 1999 ishte i kobshëm për 45 civilë shqiptarë, banorë të fshatit Reçak. Një aksion i tmerrshëm i ushtrisë e Policisë së Serbisë, përfundoi me kryerjen e një masakre e cila më pas, do ta zgjonte botën për gjenocidin që Serbia po e kryente në Kosovë.
Më e 15 janar të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, në fshatin Reçak u dëgjuan të shtënat e para nga armët e zjarrit. Të frikësuar, banorët u grumbulluan nëpër shtëpi dhe bodrume në përpjekje për të shpëtuar veten dhe familjarët e tyre. Forcat policore dhe ushtarake serbe u futën në fshat, ku pas disa orësh të zhvillimit të operacionit, vranë 45 civilë shqiptarë.
Trupat e të vrarëve kishin mbetur në këtë luginë deri në mëngjesin e 16 shkurtit të vitit 1999. Më 16 shkurt, në mëngjes, në Reçak shkoi William Walker, asokohe shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë. Ky mision ishte vendosur në Kosovë rreth tre muaj para masakrës së Reçakut.
Kur Walker pa trupat e të vrarëve në prononcimin e tij të parë para mediave tha: "Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale ose atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme".
Pamjet e masakrës së Reçakut tronditën botën. Nga ajo kohë filloi rritja e presionit ndërkombëtarë mbi qeverinë serbe dhe liderin e atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviq. Për disa javë rresht, forcat serbe mbajtën trupat e të vrarëve në Prishtinë. Në kohën sa trupat e të vrarëve ende nuk u ishin dorëzuar familjarëve, në Prishtinë u krijua delegacioni i Kosovës për bisedime me Serbinë me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Bisedimet u organizuan në Rambuje të Francës. Kjo ishte konferenca e parë ndërkombëtare që mbahej ndonjëherë për Kosovën.
Pas gati një muaji, më 11 shkurt 1999 në Reçak u organizua ceremonia e varrimit të 45 trupave të civilëve të vrarë.
Organizator i gjithë këtij sulmi kishte qenë komandanti famëkeq serb, Goran Radosavleviq, me nofkën Guri. Ky i fundit edhe vet publikisht e pranon se e ka udhëhequr këtë aksion, por me arysetimin se ata nuk kanë vrarë civilë. Radosavleviq është person i afërt me partinë e presidentit serb, dhe pas luftës ka pranuar shumë mirënjohje.
E në Kosovë 25 vjet pas këtij krimi, Prokuroria Speciale e Kosovës tek vitin e kaluar e ka akuzuar një serb. Fjala është për Çedomir Aksiq, gjykimi ndaj të cilit nisi në mungesë, pasi institucionet e Kosovës nuk arritën për asnjë moment ta kapin të dyshuarin.
ipas aktakuzës, thuhet se Aksiq prej periudhës janar-maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal të unifomuar, kanë shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integriteti trupor ose shëndetit dhe frikës ndaj popullatës civile, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në aktakuzë, thuhet se në pikën e quajtur “Kodra e Gështenjave” vend midis fshatrave Reçak, Mulapolc dhe Petrovë, së bashku me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, kishin urdhëruar dëbimin e banorëve të lagjes, e më pas së bashku me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, ua kanë djegur shtëpitë të dëmtuarve, duke shkaktuar dëm moral dhe material deri në 300 mijë euro.
Në vendin e quajtur “Lugu i Neshës”, në Petrovë të Shtimes, Aksiq thuhet se tani të ndjerin Halil Hysenaj e kishe ekzekutuar me një pushkë 10-she, ku familja e të ndjerit paraprakisht ishin ndalur nga i akuzuari Aksiq, ku më pas të njëjtit kishin gjetur trupin e të ndjerit pa shenja jete. Kurse në fshatin Reçak, thuhet se Aksiq kishte marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës.
Fillimisht, thuhet se Aksiq në bashkëkryerje me forcat tjera serbe, kishin gjuajtur në drejtim të Hajriz Brahimit, derisa ky i fundi ishte duke ikur nga shtëpia e tij në drejtim të malit, dhe pas Hajriz Muratit, Aksiq thuhet të ketë shtënë pastaj edhe në drejtim të Hakin Muratit, Sabri Muratit dhe Arif Muratit.
Tutje, në prezencë të gruas (së viktimës), thuhet se Aksiq kishte vrarë dhe personin me emrin Ahmet Mustafa dhe derisa po largohej nga shtëpia e tani të ndjerit Mustafa, me forcat serbe thuhet të kenë shtënë edhe në drejtim të Sadik Mujotës, Hanumshahe Mujotës, Skender Halitit dhe Mehmet Mustafës.
Dëshmitarë të rastit janë renditur: Ruzhdi Jashari, Sadri Jashari, Bashkim Rizau, Shukrije Hysenaj, Agim Hysenaj, Hajdin Hysenaj, Blerim Hysenaj, Hyzer Hysenaj, Njazi Mujota, Tefik Halili dhe Avdullah Krasniqi.