Tri javë nga përfundimi i intervistave: Pse nuk po zgjidhet drejtori i Policisë? - NACIONALE

Tri javë nga përfundimi i intervistave: Pse nuk po zgjidhet drejtori i Policisë?

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Më 6 dhe 7 shkurt u zhvilluan intervistat për Drejtor të Policisë. Rezultatet e Ambasadës së Britanisë në Kosovë u publikuan, e ato të komisionit jo. Kur kanë kaluar dy javë nga përfundimi i intervistave me kandidatë, drejtori i ri i Policisë së Kosovës ende nuk është emëruar.

Sipas vlerësimit të Ambasadës së Britanisë në Kosovë, kandidati i vetëm që kishte kaluar vlerësimin ishte Gazmend Hoxha me 27.5 pikë. Katër kandidatët e tjerë, gjithnjë sipas vlerësimit të britanikëve, nuk e kanë kaluar vlerësimin për t’u përzgjedhur në këtë pozitë, raporton gazeta Nacionale.

Megjithatë, ajo që ende nuk dihet është vlerësimi i komisionit të krijuar. Ky komision përbëhej nga: Fahrije Tërnava (Kryesuese), Naim Bardiqi, Blerim Hasani, Refike Sulçevsi dhe Skënder Perteshi. Edhe pse gazeta Nacionale ka dërguar në vazhdimësi pyetje lidhur me procedurat e konkursit, Policia e Kosovës nuk ka ofruar detaje.

Sipas Ligjit për Policinë e Kosovës, ky komision që është krijuar ia propozon ministrit të Brendshëm, kandidatët e mundshëm për t’u emëruar në pozitën e drejtorit të Policisë së Kosovës. Ministri, në këtë rast Xhelal Sveçla, i propozon qeverisë njërin nga emrat. Pra, gjithçka tash është në dorën e Qeverisë së Kosovës.

“Komisioni i propozon ministrit kandidatët për emërim në pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, ministri në njërën nga mbledhjet e Qeverisë i propozon kandidatin Qeverisë për këtë pozitë, ndërkaq Qeveria i rekomandon kryeministrit kandidatin për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë. Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë e emëron Kryeministri”, thuhet në Ligjin për Policinë e Kosovës.

Deri më tash, s’ka pasur asnjë qëndrim zyrtar pas mbajtjes së intervistave lidhur me kohën se kur do të emërohet drejtori i ri Policisë së Kosovës nga kryeministri.

Ambasada e Britanisë në Kosovë e cila ka vlerësuar procesin, e ka përzgjedhur të vetmin kandidat për t’u zgjedhur Gazmend Hoxhën. Hoxha që aktualisht është Drejtor i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, është vlerësuar me 27.5 pikë nga britanikët, nga 40 në total.

Në anën tjetër, partitë opozitare në vazhdimësi kanë pasur kritika lidhur me këtë proces, duke akuzuar qeverinë Kurti se po dëshiron ta kap pozitën e drejtorit të Policisë.

Kush ishin kandidatët?

Gazmend Hoxha: Nëse dëgjohet rekomandimi i britanikëve, Gazmend Hoxha do të duhej të zgjedhet drejtor i Policisë së Kosovës. Megjithatë, jo rrallë vlerësimet e Ambasadës së Britanisë në Kosovë nuk janë marrë parasysh.

Hoxha nga britanikët është vlerësuar me 27.5 pikë nga 40 në total, dhe është i vetmi kandidat që duhet të emërohet sipas vlerësimit të ambasadës.

Gazmend Hoxha ka një karrierë të gjatë në Policinë e Kosovës. Ai punën në Policinë e Kosovës e ka nisur në vitin 2000, kurse dy vjet më pas kaloi në gradën rreshter në stacionin Jugu të Prishtinës.

Hoxha në vitin 2009 kishte qenë edhe drejtor i Njësive Speciale, kurse në vitet 2010-2011 u emëruar Drejtor kundër Krimit të Organizuar. Në vitin 2012 u emëruar Drejtor i Policisë në Ferizaj.

Aktualisht Gazmend Hoxha është drejtor i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës.

Bahri Shala: Kandidat për drejtor të Policisë së Kosovës ka qenë edhe Bahri Shala, i cili karrierën në Policinë e Kosovës e ka nisur në vitin 2002.

Që nga viti 2010 deri në vitin 2021, pra për 11 vjet Bahri Shala ishte emëruar si Drejtor i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik.

Në vitet 2006-2007 Shala ishte edhe Shef i qendrës së komunikimit në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë. Nga viti 2007 deri në vitin 2009, Shala u pozicionua si Shef i sektorit qendror për hetimin e narkotikëve në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar. Më pas u emërua si zëvendës drejtor i Drejtorisë kundër krimit të organizuar.

Ai aktualisht udhëheq me Drejtorinë Teknike të Kriminalistës.

Fatos Haziri: Në garën për drejtor të Policisë së Kosovës ka qenë edhe Fatos Haziri. Ky i fundit aktualisht është Drejtor i Drejtorisë për Mbështetje, Trajnime të Specializuara dhe të Avancuara në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Karriera e tij në Policinë e Kosovës ishte e gjatë. Në vitin 2002 ai punoi në zyrën për zhvillim profesional të Shërbimit Policor në atë kohë.

Në vitin 2004, Haziri punoi në zyrën për planifikim të operativës, komandën kryesore të policisë në Prishtinë ndërsa po atë vit u gradua në gradën e togerit.

Në vitin 2009 është emëruar si zëvendësdrejtor i drejtorisë rajonale të policisë në Prishtinë.

Granit Fetahu: Fetahu aktualisht është në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë për Sigurim të Objekteve dhe Personaliteteve. Ai është në garën për Drejtor të Policisë, edhe pse nga britanikët nuk u vlerësua ashtu sikur të tjerët, përve Gazmend Hoxhës.

Fetahu nga viti 2002 është i angazhuar në Policinë e Kosovës.

Në vitin 2010 ishte caktuar si zyrtar për zyrën ekzekutive të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm për operativë.

Në mesin e kandidatëve është raportuar se ka qenë edhe serbja Sllogjana Stojanoviq. Ajo ishte e vetmja grua kandidate për Drejtore të Policisë së Kosovës.

Vendimi për përzgjedhjen e drejtorit të Policisë së Kosovës tashmë është në dorën e Qeverisë dhe kryeministrit Kurti.

Lajme të ngjashme