Specialja e pakënaqur me Ministrinë e Drejtësisë: Dështuan në pyetje të thjeshta për rastin e ‘Calit’
Bashkëpunimi edhe ashtu i paktë i institucioneve të Kosovës me Dhomat e Specializuara të Kosovës, po rezulton se nuk është efektiv. Muaj më parë, kryetarja e trupit gjykues në rastin e Salih Mustafës, Mapie Veldt-Folia, kishte urdhëruar Ministrinë e Drejtësisë të jepte disa sqarime rreth kompensimit të viktimave në rastin e Calit, nëse ky i fundit shpallet fajtor. Megjithatë, përgjigjet e ministrisë që drejtohet nga Albulena Haxhiu nuk i kanë hyrë në punë Speciales, e cila ka kërkuar sqarime shtesë në disa pyetje që ishin mjaft të thjeshta dhe konkrete. Gazeta Nacionale i ka parë këto kërkesa dhe sjell detaje.
Një shkresë që mban datën 14 mars ishte dërguar nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës për në Gjykatën Speciale. Aty ishin dhënë disa sqarime për kryegjyqtaren në rastin e Salih Mustafës, rreth kompensimit të viktimave të krimeve të luftës, nëse Salih Mustafa shpallet fajtor. Në shkresën e saj, Haxhiu kishte ofruar disa detaje ligjore përfshirë dispozitat e Kodit Penal të Kosovës, Komisionin për Verifikimin e Viktimave të Krimit, etj.
Megjithatë, këto përgjigje të ministres Haxhiu po del se nuk i kanë hyrë në punë Gjykatës Speciale. Pas një kërkese shtesë nga avokatja e viktimave në këtë rast, Annie Pues, trupi gjykues ka vendosur që t’i drejtohet me letër sërish Ministrisë së Drejtësisë. Kjo pasi është konstatuar se MD-ja nuk ka ofruar detaje konkrete për katër pyetjet e Speciales, në lidhje me kompensimin e viktimave.
“Paneli thekson se Ministria e Drejtësisë nuk iu është përgjigjur drejtpërdrejt pyetjeve të parashtruara, por ka paraqitur një pasqyrë të legjislacionit ekzistues”, thuhet në vendimin e trupit gjykues, raporton gazeta Nacionale. Deri te ky vendim kishte ardhur pas ankesës nga mbrojtja e viktimave në rastin e Salih Mustafës.
“Avokatja e viktimave ngre çështjen e parashkrimit, zbatimi i të cilit nuk është qartësuar në parashtresat e MD-së. Në lidhje me pyetjen e dytë, avokatja e viktimave beson se përgjigjet e MD-së nuk e tregojnë se si viktimat mund të jenë në gjendje ta ruajnë anonimitetin. Për më tepër, mbrojtja e viktimave thekson faktin se në përputhje me nenin 10 të Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, mund të ndikojë në anonimitetin e viktimave. Avokatja e viktimave është e mendimit se Ministria e Drejtësisë nuk jep ndonjë përgjigje të qartë për pyetjet 3 dhe 4. Rrjedhimisht, kërkon nga Paneli që t’ia kujtojë Ministrisë së Drejtësisë detyrimin e saj për të bashkëpunuar me Gjykatën Speciale, në mënyrë që të japë përgjigje të plota”, thuhet në dosjen e kësaj çështjeje.
Këto qëndrime të mbrojtëses së viktimave, i përkrahu edhe trupi gjykues me vendimin e tij ku jepen edhe detaje pse Ministria e Drejtësisë nuk u përgjigj në kërkesën e Speciales.
“Paneli konsideron se Ministria e Drejtësisë ka dhënë vetëm një pasqyrë të ligjeve ekzistuese. Përderisa paneli thotë se kuadri ligjor është i dobishëm, Paneli pajtohet me vlerësimin e avokates dhe konstaton se Ministria e Drejtësisë ka dështuar të japë përgjigje direkte në pyetjet e Panelit.”
“Sa i përket pyetjes 1, përderisa MD sqaron se Fondi për Kompensimin e Viktimave të Krimit është i vetmi fond në dispozicion për kompensim, parashtresat e MD-së nuk japin përgjigje të qarta se si Komisioni do të merrte vendimin sidomos me krimet që janë të renditura në nenin 6. Për më tepër, çështjet që lidhen me parashkrimin, sidomos veprat që janë kryer 23 vjet më parë, thjesht nuk janë trajtuar në parashtresat e MD-së. Ministria u pyet se, nëse i akuzuari dënohet por nuk është në gjendje të paguajë dëmshpërblimet e caktuara nga paneli, a do të mund të zbatohej vendimi për dëmshpërblim. Përgjigjet e dhëna nga Ministria e Drejtësisë janë thjesht të parëndësishme, pasi pretendimet e viktimave do të ishin gjykuar tashmë nga Paneli, dhe funksioni i vetëm do të ishte ekzekutimi i urdhrit për dëmshpërblim.”
Paneli gjithashtu ka theksuar se Ministria e Albulena Haxhiut, nuk ka ofruar informacione të bollshme për ruajtjen e anonimitetit të viktimave.
“Paneli rikujton se viktimat pjesëmarrëse në këtë rast përfitojnë masa mbrojtëse nga publiku, dhe është thelbësore që Paneli të dijë nëse viktimat që përfitojnë nga Fondi i Kompensimit mund të mbesin anonim. Megjithatë për këtë pikë kryesore, Ministria e Drejtësisë nuk jep përgjigje të qartë. Sa i përket pyetjes 3 dhe 4 paneli konstaton se Ministria e Drejtësisë nuk ka dhënë ndonjë përgjigje kuptimplotë për rrugën e përcaktuar nga paneli dhe aspektin e përmbarimit. Në lidhje me pyetjen 4, Paneli dëshiron të dijë nëse Ministria e Drejtësisë parasheh krijimin e një fondi, për të mbuluar pagesën e urdhrit të dëmshpërblimit të lëshuar nga Paneli, nëse i akuzuari dënohet dhe nuk mund ta paguajë. Ministria e Drejtësisë nuk jep asnjë përgjigje lidhur me këtë. Paneli rikujton detyrën e të gjitha subjekteve dhe perosnave në Kosovë për të bashkëpunuar me Gjykatën Speciale, andaj e konsideron të nevojshme të parashtrojë sërish në tërësi pyetjen 1 dhe 4, dhe e urdhëron Ministrinë që të ofrojë parashtresat e saj thelbësore deri më 10 qershor 2022”, përfundon vednimi i Gjykatës Speciale.
CILAT ISHIN PYETJET?
“Nëse në rast të dënimit të të akuzuarit dhe lëshimit të një urdhri për dëmshpërblim nga Paneli, nëse i Akuzuari nuk është në gjendje të paguajë ndonjë dëmshpërblim të urdhëruar nga gjykata, viktimat e krimeve nën juridiksionin e Gjykatës Speciale mund të përfitojnë nga kthimi nga Fondi për Kompensimin e Viktimave të përmendur në nenet 19(1), neni 1.26 dhe 62(1), neni 1.5, të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, ose nga ndonjë program tjetër përkatës i kompensimit, duke përfshirë atë të përcaktuar me Ligjin Nr. 05/L -036 për kompensimin e viktimave të krimit”, ishte pyetja e parë.
Tutje, pyetja e dytë ishte nëse viktimat e krimeve nën juridiksionin e Gjykatës Speciale mund të përfitojnë nga kthimi nga Fondi i lartpërmendur i Kompensimit të Viktimave ose nga ndonjë program tjetër përkatës i kompensimit, ndërkohë që mbeten anonime pas lëshimit të një urdhri dëmshpërblimi nga Paneli
Nga ministria ishte kërkuar të dihet nëse për të ruajtur anonimitetin e viktimave, Regjistruesi, me ndihmën e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, sipas nevojës, mund të aplikojë për kthim nga Fondi i lartpërmendur i Kompensimit të Viktimave ose nga ndonjë program tjetër përkatës i kompensimit në emër të viktimave , pas lëshimit të urdhrit për dëmshpërblim nga Paneli
“Nëse, në rast se viktimat e krimeve nën juridiksionin e Gjykatës Speciale nuk mund të përfitojnë nga nga ndonjë program kompensimi ekzistues, mund të krijohet një fond për këtë qëllim, i financuar nga buxheti i Kosovës ose ndryshe, për të cilin Regjistruesi mund të aplikojë për kompensim në emër të viktimave, për të ruajtur anonimitetin e tyre. Në këtë kontekst, Paneli posaçërisht thekson se financimi i mbrojtjes së personave të akuzuar para Gjykatës Speciale nga buxheti i Kosovës është bërë i mundur me Ligjin për Dhomat e Specializuara”, ishte pyetja e fundit.