Intervistë | Ish-avokati i Haradinajt në Hagë: Qasja e Speciales po i bën të duken fajtorë krerët e UÇK-së - NACIONALE

Intervistë | Ish-avokati i Haradinajt në Hagë: Qasja e Speciales po i bën të duken fajtorë krerët e UÇK-së

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Michael O’Reilly ishte avokat i Ramush Haradinajt në Tribunalin e Hagës. Madje, pasi ish-kryeministri i Kosovës u shpall i pafajshëm, O’Reilly kishte botuar një libër të titulluar “Haga e Ramush Haradinajt”. Tash, kanë ndryshuar të akuzuarit, por jo edhe qyteti. Krerët e UÇK-së po akuzohen nga Gjykata Speciale në Hagë.

Michael O’Reilly në një intervistë për gazetën Nacionale ka drejtuar kritika për mënyrën se si po punojnë Dhomat e Specializuara. Sipas tij, vonesat në nxjerrjen e materialeve e mbajtja në paraburgim, po i paraqesin krerët e UÇK-së si fajtor në sytë e “personave mesatar”.

O’Reilly ka thënë se Specialja sot nuk merret në asnjë formë me raportin e Dick Martyt e të Carla del Pontes, për çka edhe ishte krijuar. E për themelimin e Speciales, ai fajëson vendet e Bashkimit Evropian.

INTERVISTA:

Nacionale:

Zotëri O’Reilly, sa keni arritur të përcjellni proceset gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës?

Michael O’Reilly:

Unë i ndjek procedurat në masën që mundem, pa qenë në Hagë në fakt. I shikoj të gjitha proceset gjyqësore në internet dhe lexoj transkriptet.

Nacionale:

Cilat janë gjetjet kryesore apo më interesante që do t’i ndanit me ne në Dhomat e Specializuara, si avokat me përvojë në të drejtën ndërkombëtare penale?

Michael O’Reilly:

E para, që Qeveria e Kosovës jo vetëm që lejoi të krijohej një gjykatë mono-etnike, por në fakt e lehtësoi atë – një gabim i madh për mendimin tim. Nuk mund të gjykoj nëse ishte një keqkuptim politik apo shtantazh i komunitetit ndërkombëtar, apo të dyja, por që nuk do të duhej të kishte ndodhur kurrë. Së dyti, pasi pranoi që Gjykata të krijohej, Qeveria e Kosovës nuk insistoi që fushëveprimi dhe termat e referencës të ishin të qartë, e të kërkonin që gjykata t’i përmbahej raportit të Dick Martyt dhe të zbatonte vetëm ligjin e Kosovës.

Së treti, kuadri ligjor që ishte dakorduar, nuk pasqyronte qëllimin e qartë – që gjykata të kishte jetë pesëvjeçare. Në vend të kësaj, teorikisht ajo mund të vazhdojë përgjithmonë. Së katërti, gjykata ka vendosur të injorojë plotësisht arsyeon e vetme pse u krijua, e që ishte hetimi i krimeve të ndërlidhura me raportin e Dick Martyt, i cili bazohej tërësisht në vërejtjet e egrave dhe spekulative të Carla Del Pontes. Të gjitha këto dolën të jenë të pavërteta, dhe ka të ngjarë që ishin përpjekje e qëllimshme e Beogradit për ta minuar Kosovën. Në vend të kësaj, gjykata po ndjek ndjek pretendime të rastësishme, që janë serioze, por që nuk lidhen me Dick Martyn. Robert Bosch, ish-ambasador i Holandës në Kosovë kohën e fundit e përshkroi gjykatën si të “ngadaltë, pa trasnparencë, dhe me vendime të çuditshme”. Jam dakord.

Nacionale:

Sa është e vështirë për avokatët, fakti që Prokuroria në disa raste, është akuzuar për vonesa në nxjerrjen e materialeve?

Michael O’Reilly:

Ju duhet t’i pyesni avokatët për këtë. Megjithatë mendoj se të gjithë e shohin sa frustruese është. Vonesat në këtë shkallë shumë shpejt shndërrohen në një padrejtësi serioze. Përveç faktit se të akuzuarit janë në paraburgim, kostot financiare të vonesave të mbrojtjes, supozoj, se janë të mëdha. Vonesat nuk ndikojnë në të njëjtën mënyrë për prourorinë: të ardhurat e tyre janë të siguruara, dhe ata mund të përdorin burime shtesë sa herë që dëshirojnë. Gjashtë muaj, një vit apo dy vjet, nuk do të thonë asgjë për prokurorinë, por është problem i madh për mbrojtjen, e aq më tepër për të akuzuarit dhe familjet e tyre.

Nacionale:

Ditë më parë Prokuroria e ka plotësuar sërish aktakuzën me detaje të reja. Si e komentoni ju këtë?

Michael O’Reilly:

Ata e kanë fuqinë për ta bërë këtë, kështu që e bëjnë, edhe pas gjithë këtyre viteve hetim. Unë mendoj se për ekipet mbrojtëse, duhet të ndihet si një luftë rrënimi, në të cilën gjithnjë e më e vështirë është të justifikohen të drejtat e klientëve të tyre.

Nacionale:

A e vonon kjo edhe më shumë gjykimin? Dhe nëse po, për sa kohë?

Michael O’Reilly:

Është e qartë se materiali i ri do të shkaktojë shumë vonesa. Mbani në mend se akuzat mbulojnë një periudhë të gjatë kohore në tërë Kosovën – ngjarje të supozuara para 23 apo 24 vjetësh. Nuk do të ishte e pazakontë në këtë lloj aktakuze të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” që i akuzuari të mos kishte njohuri për personale për ngjarjet e supozuara. Pra, çdo akuzë duhet të hetohet nga mbrojtja për të zbuluar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë gjatë gjithë atyre viteve.

Nacionale:

Kur mund të fillojë gjykimi?

Michael O’Reilly:

Është vështirë të parashikohet. Për shembull, nëse prokurori sjell materiale të reja në momentin e fundit, afatet kohore ndryshojnë. Megjithatë, një supozim i arsyeshëm është se gjyqi mund të fillojë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Nacionale:

Prokuroria ka kërkuar diku 8-10 vjet për kohëzgjatje të gjykimit. A është shumë kjo periudhë, bazuar në përvojën tuaj?

Michael O’Reilly:

Unë nuk mendoj se kjo është korrekte. Do të jetë në dorën e gjyqtarëve të vendosin një afat të arsyeshëm kohor, dhe më pas prokuroria do të duhet ta rregullojë rastin e saj në përputhje me këto rrethana. Siç qëndrojnë gjërat aktualiths, gjyqi do të zgjaste shumë vite – por është e paimagjinueshme që gjykata të lejojë që kjo të ndodhë. Unë mendoj se gjykimi do të zgjasë diku midis një viti apo dy vjet. Por ka shumë të ngjarjë që do të ketë një apel, cilido qoftë vendimi, i cili pastaj mund të marrë edhe dy vjet të tjera për t’u zgjidhur.

Nacionale:

Të akuzuarit po mbahen në paraburgim për më shumë se një vit, dhe gjykimi nuk ka nisur. A është shkelje ky fakt?

Michael O’Reilly:

Teorikisht jo – gjykata ka plotësisht të drejtë të paraburgos të akuzuarin në bazë të disa kritereve. Megjithatë, paraburgimi është masa më e ashpër e lejuar për të siguruar praninë e personave të akuzuar në proces. Ekzistojnë standard ndërkombëtare dhe evropiane të zhvilluara mirë, për justifikimin e paraburgimit që përgjithësisht favorizojnë masa më të lehta, duke e reflektuar parimin e prezumimit të pafajësisë. Mendoj se shumica e avokatëve janë të tronditur nga ndalimi i personave që kanë ardhur vullnetarisht në gjyq, dhe që pjesa më e madhe nuk akuzohen drejtpërdrejt për pjesëmarrje në vepra penale, por edhe më të tronditur janë nga kohëzgjatja e jashtëzakonshme e një ndalimi të tillë. Qasja e gjykatës në rastet aktuale, do ta shtyente personin mesatar të mendoj se individët e akuzuar tashmë janë fajtorë.

Paraburgimi gjithashtu kufizon aftësinë e një personi të akuzuar për të koordinuar dhe punuar në mënyrë efikase me ekipet mbrojtëse, krahasuar p.sh me një situatë të arrestit shtëpiak. Kjo është në fakt një çështje shumë serioze, veçanërisht në një rast të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, ku kaq shumë fakte të supozuara, janë të panjohura për të akuzuarit. Kohëzgjatja e paraburgimit duket si shpërdorim i pushtetit. Reflekton keq institucionin. Asnjë prokuror nuk duhet të kërkojë një aktakuzë përveç nëse dhe derisa të jenë të gatshëm që çështjen e tyre ta bëjnë në kohë të arsyeshme. Ky është një parim i drejtpërdrejtë, që po injorohet në këtë rast.

Nacionale:

Në Kosovë ka pasur vazhdimisht dilema për ndikime politike në Gjykatën Speciale. Keni ndonjë koment për këtë?

Michael O’Reilly:

Unë shoh paaftësi dhe politikë të keqe, sesa komplot. Carla Del Ponte ishte e pamatur. Dick Marty ishte i pakujdesshëm dhe i paaftë. Por mendoj se i është përshtatur edhe më shumë lojtarëve në bashkësinë ndërkombëtare që të shtyjnë trajtimin e çështjes së Kosovës, duke e inkurajuar krjimin e kësaj gjykate. Faji kryesor qëndron tek dera e BE-së. BE-ja e humbi qëllimin e saj mora, në disa qarte, fshehtas, e mirëpriti gjykatën si një mënyrë për të nisur integrimin e Ballkanit Perëndimor edhe më poshtë se sa që ishte. Është vërtetë e turpshme. Ndoshta Ukraina tregon se sa është i rënëdsishëm konsolidimi i fitimeve demokratike.

Në fund të fundit, megjithatë, vetë ekzistenca e gjykatës është një triumf për “diplomacinë” dhe propagandën e Beogradit. Duket se nuk ka dyshim që Beogradi i ka ofruar dëshmitë e vetme në të cilat është mbështetur Dick Marty. Por unë nuk e shoh Marty-n si komplotist, më shumë si njeri të mashtruar për njerëz më të zgjuar në Beograd. Me shumë gjasë, ai e kupton këtë tani.

Lajme të ngjashme