Torcida rikthen thirrjet kundër Drilon Hajrizit, e thërrasin tradhtar - NACIONALE

Torcida rikthen thirrjet kundër Drilon Hajrizit, e thërrasin tradhtar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjithçka filloi në vitin 2016. Drilon Hajrizi, një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave në Kosovë, në atë vit u transferua te Sigal Prishtina nga KB Peja.

Torcida, që janë tifozët e Trepçës nga Mitrovica, filluan thirrjet ndaj tij, ku e quanin tradhtar, madje nuk i kursenin as ofendimet më të ulëta. Krejt kjo sepse klubi kryeqytetas konsiderohej rivali kryesor i mitrovicasve, ndërsa vet lojtari kishte shkruar në Facebook se si do t’i përkushtohej skuadrës së re, që rriti më shumë tensionet.

Ai nuk lihej i qetë në asnjë moment, ku shpeshherë ofendoheshin edhe anëtarët e familjes së Hajrizit.

Driloni nuk qëndroi gjatë në Prishtinë, vetëm dy sezone, si rrjedhojë ai u transferua në Japoni, duke humbur sadopak vëmendjen e tifozëve të Trepçës.

Një vit i kaluar në Japoni te skuadra Kanazawa Samuraiz për Drilonin dhe ai u kthye në vendlindje.

Erdhi shkurtimisht te Bashkimi i Prizrenit dhe menjëherë doli te KB Peja, ku kaloi sezonin 2019/2020.

Një strukturim i mirë i Trepçës në vitet në vijim, me investitorë që erdhën në krye të klubit, bën që Driloni të kthehej në qytetin e tij, aty ku i mori hapat e parë në basketboll.

Transferimi i tij në sezonin 2020/21 bëri bujë të madhe. Tifozët apo më mirë të themi ‘Ultrasit’ e Torcidës nuk e pranuan kurrë dhe sërish u fillua të thirrej kundër tij me mesazhe të ndryshme, por që edhe këto me kalimin e kohës u ndalën.

Driloni vazhdoi me paraqitjet e mira si gjithnjë, duke qenë faktori kyç në skuadër, ku kontribuoi me dy Kupa të Kosovës të fituara në një periudhë katërvjeçare.

Pavarësisht se vetëm në periudhën e fundit, ai ka ndihmuar skuadrën e tij në katër tituj (dy herë Kupën e Kosovës, një herë Superkupën dhe një herë Superkupën e Ligës Unike), në ndeshjen e fundit të Trepçës ndaj Vëllaznimi, filluan përsëri thirrjet neveritëse ndaj yllit kosovar.

Ai thirrej në kor si tradhtar, edhe pse ende nuk dihet arsyeja e saktë se pse filloi sërish të thirrej ashtu. Në njërën anë ishin Ultrasit që bënin thirrjet ofenduese, ndërsa tifozët tjerë të skuadrës i dolën në krah Drilonit.

Është kuptuar se kohët e fundit bordi drejtues ka menduar që Drilonin ta bëjë kapiten të skuadrës dhe kjo mund të jetë një nga arsyet që kanë çuar deri në hidhërimin e tifozëve, por kjo informatë nuk është e konfirmuar ende.

Tifozëria doli me një komunikatë të shkurtër në rrjetin social Facebook, ku për rastin në fjalë pa u përmendur emra, u tha: “TREPÇA është simbol. Është e paprekshme... Gjitha të tjerat janë kalimtare. Gardianë të simbolit. Tërë jetën”.

Driloni shkroi në Facebook vetëm një ditë më parë, duke thënë se Minatori është foleja e tij e Trepça fryma, duke vazhduar pastaj me një thumbim për tifozët që bënë thirrjet ofenduese ndaj tij – FOTO.

I menjëhershëm ishte reagimi i tifogrupit Torcida, ku ata pretenduan se lojtari në fjalë kishte bërë një gjest të pahijshëm, prandaj thirrjet janë intensifikuar – VIDEO.

Drilon Hajrizi, tani 32-vjeçar, mbetet një nga lojtarët më kualitativ në garat vendore, duke bërë dallimin në pothuajse çdo ndeshje. Ai është vazhdimisht edhe reprezentues i Kombëtares së Kosovës.

Mbetet për t’u parë nëse Driloni do të vazhdohet të quhet tradhtar në ndeshjet e radhës nga tifozët e skuadrës së tij, apo si në shumë raste të tjera, kjo situatë do të shuhet përsëri.

Lajme të ngjashme