Kurti në intervistë për Burimin: Rezultati më i madh është rritja ekonomike, po e luftojmë korrupsionin
Është e rrallë, shumë e rrallë, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i përgjigjet pyetjeve të Nacionales. Megjithatë, gazetari ynë, Burim Pacolli, e ka bërë të pamundurën, duke arritur ta intervistojë shkurtimisht kryeministrin Kurti. Çka tha Kurti në këtë intervistë?
Në një organizim të 3X3, ishte parë edhe Kurti, i cili e provoi edhe disa gjuajtje në kosh. E pasi përfundoi me gjuajtjet, Kurti u ndal te gazetari Pacolli, duke pranuar që të përgjigjet vetëm në pyetje në lidhje me organizimin.
Që në fillim, Kurti tregoi se po kënaqet në këtë organizim.
“Shumë mirë dhe atmosfera është e jashtëzakonshme, po më dhimbset ata që e duan basketbollin dhe nuk janë sonte këtu me ne” – thotë Kurti.
Kryeministri Kurti ka treguar edhe parapëlqimin e tij në mes futbollit dhe basketbollit.
“Më shumë kah basketbolli, për shkak se futboll kam lujtë në shkollë fillore, e basketboll në shkollë të mesme” – tha Kurti.
“Menoj që rezultati më i madh është rritja ekonomike nepërmjet luftimit të korrupsionit, edhe demokratizimi i institucioneve, liria për qytetarët përmes qeverisjes së mirë. Fondi sovran i Republikës së Kosovës, që e kemi ende të bllokuar në Gjykatën Kushtetuese dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, po ashtu në Gjykatë Kushtetuese” – tha Kurti.
Në këtë intervistë, Kurti tregoi se ka stres gjatë punës si kryeministër, duke e lavdëruar edhe punën e ekipit të tij.
“Ka stres, mirëpo e kam ekipën e mirë dhe vullnetin e hekurt” – tha Kurti në prononcimin e shkurtër për Nacionalen.