‘Kaos’ energjetik: Pas paralajmërimit të KOSTT, Kosova pa rrymë e në zhurmën e gjeneratorëve
Operatori për Transmisionin e Energjisë (KOSTT) paralajmëroi dje se Kosova rrezikon të futet në një kaos energjetik. Dhe kjo, tashmë, po ndodh.
Në lagje të ndryshme të Prishtinës, por edhe në komuna të tjera të Kosovës, kanë nisur reduktimet e energjisë elektrike. Disa biznese janë detyruar të ndezin gjeneratorët, ndërsa të tjera nuk i posedojnë fare. Rrobaqepësi, barnatore, furra dhe kafiteri janë vetëm disa nga bizneset në Prishtinë që që nga mëngjesi kanë mbetur pa rrymë.
Në disa zona, qytetarët e përdorin energjinë elektrike edhe për ngrohje, dhe në këtë dimër të ftohtë mbetet e paqartë se çfarë zgjidhjeje do të kenë.
Ndërkohë, mbrëmjen e së martës, KOSTT ka njoftuar se do të ketë reduktime të energjisë elektrike për sot dhe nesër në vend. Në njoftimin e KOSTT thuhet se këto reduktime do të bëhen “për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit”.