Pacienti u arratis, IPFK-ja nuk e lajmëroi rastin në polici
Pacienti F.M., i cili ishte duke u trajtuar brenda Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, është arratisur më 15 tetor nga ky institut.
Por, mos njoftimi i policisë nga ana e stafit të këtij instituti, e bën këtë rast skandaloz. Kjo për shkak se siguria në këtë institut parashihet të jetë maksimale dhe çdo largim i personave që trajtohen aty, duhet të lajmërohet direkt tek Policia e Kosovës, pasi që këta persona përbëjnë rrezik edhe për qytetarët e tjerë.
Gazetari Oqean Dërmaku nga Nacionale, ka kontaktuar edhe me drejtorin e institutit, Shpend Haxhibeqiri, i cili fillimisht ka thënë se pacienti në fjalë gjendet në institut dhe pretendimet e gazetarit janë dezinformata.
Por kur gazetari i ka treguar në detaje se çfarë ka ndodhur në këtë rast, drejtori Haxhibeqiri është tërhequr duke thënë se përgjegjësia i takon doktorit i cili ka qenë duke e trajtuar pacientin.