Fushtica për aksidentin në Liqenin e Badocit: Kemi bërë maksimumin, shpëtimi i viktimave ishte i pamundur - NACIONALE

Fushtica për aksidentin në Liqenin e Badocit: Kemi bërë maksimumin, shpëtimi i viktimave ishte i pamundur

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka folur për Nacionale rreth aksidentit me fatalitet që ndodhi mbrëmë në Liqenin e Badocit, ku tre persona humbën jetën.

Pas raportimit qe Nacionale ka bërë, bazuar edhe në informatat e dëshmitarëve që kanë qenë në vendin e ngjarjes, Fushtica ka treguar detaje të sakta sipas raporteve zyrtare nga vendi i ngjarjes.

"Menjëherë pasi ka ndodhur aksidenti, janë njoftuar Policia e Kosovës, ekipet mjekësore dhe FSK-ja. Unë personalisht kam qenë në vendin e ngjarjes në ora 00:15, ndërsa aty kanë qenë Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore. Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë bërë gjithçka që kanë pasur mundësi për të tërhequr veturën, por vetura ka qenë shumë thellë në ujë dhe kjo ua ka pamundësuar tërheqjen e saj. Ekipet e FSK-së, të cilët janë të vetmit të specializuar për këto raste, kanë arritur në vendin e ngjarjes në ora 03:30 dhe në ora 04:05 të mëngjesit është tërhequr viktima e parë. Pastaj janë tërhequr viktimat tjera, ndërkaq vetura është tërhequr nga uji rreth orës 06:00 të mëngjesit, kur edhe ka përfunduar i gjithë rasti", ka thënë Fushtica.

Sa i përket sinjalistikës rrugore, Fushtica ka deklaruar që aksidenti ashtu siç ka raportuar Nacionale ka ndodhur në një distancë më të largët nga pjesa ku ndodhet sinjalistika për devijim të rrugës, andaj sipas dyshimeve të para, nuk dyshohet se kjo ka qenë shkaku i aksidentit.

Në pyetjen e gazetarit se pse ekipet e FSK-së kanë vonuar mbi tre orë për të arritur në vendin e ngjarjes, Fushtica ka thënë se të gjitha ekipet janë munduar të bëjnë maksimumin e tyre.

"Ata kanë bërë gjithçka që të arrijnë sa më shpejtë në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë pasur ekipe të gatshme, por pasi që janë njoftuar, kanë nisur përgatitjet dhe kanë ardhur. Më vjen keq të them, por ka qenë e pamundur shpëtimi i viktimave në këtë rast të rëndë dhe uroj që një rast i tillë të mos përsëritet kurrë!", ka deklaruar Fushtica.

Kujtojmë se Nacionale sot ka raportuar për detajet e këtij rasti dhe sipas dëshmitarëve që ishin në vendngjarje, ekipet e FSK-së kanë arritur rreth orës 05:00 të mëngjesit, pasi që tërheqja e trupave dhe veturës nga uji ka qenë e pamundur.

Lajme të ngjashme