Fatmir Sheholli arrestohet nën dyshimet për spiunazh: Pamje nga bastisja te banesa e tij
Është arrestuar, Fatmir Sheholli nën dyshimet për spiunazh te Serbia.
Lajmin i pari e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ku ka bërë të ditur se arrestimi i Shehollit ka ardhur si rezultat i ngushtë i bashkëpunimit në mes të prokurorisë, policisë së kosovës dhe AKI-së.
Arrestimin e Shehollit e ka konfirmuar edhe Prokuroria Speciale. Aty thuhet se arrestimi ka ndodhur pas hetimeve disa-mujore.
Prokuroria ka bërë të ditur se po kryhen edhe bastisje në vendbanimin e Shehollit, ku I njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Përpos Shehollit, nga Prokuroria Speciale e Kosovës, brenda një periudhe janë arrestuar edhe disa persona të tjerë nëndyshimin për spiunazh te BIA serbe.
Muharrem Qerimi dhe Bedri Shabani ishin arrestur gjatë vitit 2024, ku tashmë edhe janë duke u përballur me procesin gjyqësor.
Nga Specialja është arrestuar edhe Hysri Selimi, ku dyshohet se kishte bashkëpunuar me BIA-n “nga nëntori i vitit 2009 deri në momentin e arrestimit më 6 maj 2025”, dhe se kishte “udhëtuar në Siri, duke iu bashkuar organizatës terroriste ISIS”.
Në Kosovë, gjithashtu është arrestuar edhe punonjësja e OSBE-së, Jelena Gjukanoviç ku disa ditë më parë u paraqit në Gjykatë nën akuzën për spiunazh.
Gjatë këtij viti, Prokuroria Speciale njoftuan se u arrestua edhe togeri policor Bojan Jevtiç nën dyshimin për spiunazh.