A mori "hak" Arben Vitia ndaj Demush Bajraktarit? E shkarkoi nga tri komisione brenda pak ditëve
Demush Bajraktari është një toksikolog në QKUK, i cili së fundmi me vendim nga Ministria e Shëndetësisë është shkarkuar dhe është zëvendësuar nga tri komisione brenda pak ditëve.
Krejt kjo fillimisht dyshohet se erdhi si një lloj “hakmarrje” nga ministria e drejtuar nga Arben Vitia. Kjo për shkak se dyshohet që zyrtarët e ministrisë, nuk ishin të kënaqur me një “veprim” të bashkëshortes së Demush Bajraktarit, Malësore Gashit.
Malësore Gashi, si anëtare në Komisionin e Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, kishte aprovuar dhe së bashku me anëtarët e tjerë të Kolegjit, kishin marrë vendim për anulimin e konkursit për “Drejtor Ekzekutiv” në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Krejt kjo pas ankesave që kishin pranuar nga kandidatët që kishin konkuruar për këtë pozitë, e të cilët kishin shpërfaqur një mori shkeljesh gjatë procesit të këtij konkursi.
Për këto arsye, kolegji i këshillit kishte marrë vendim për anulim të këtij konkursi, ku pjesë e kolegjit ishte edhe Malësore Gashi, bashkëshortja e Demush Bajraktarit.
Menjëherë pas këtij vendimi të KPMSHCK-së, i cili është protokoluar më datë 30 qershor të këtij viti, Demush Bajraktari po atë ditë është shkarkuar nga komisioni i parë ku ishte anëtar dhe ishte zëvendësuar me Jehona Ymerin.
Vendimi ishte nënshkruar nga zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha.
Nga dy komisione tjera, Bajraktari ishte shkarkuar më 2 korrik të këtij viti. Por, këtu duket se është bërë shkelje ligjore në njërin prej vendimeve.
Kjo për shkak se vendimi për zëvendësimin e Demush Bajraktarit me Jehona Ymerin në Komisionin për Vlerësimin e Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale në AKPPM, bie ndesh me Ligjin për Pajisjet dhe Produktet Medicinale, ku Neni 7, paragrafi 3 e thotë qartë se anëtarët e këtij komisioni zgjidhen përmes konkursit të hapur, pastaj propozohen nga Kryeshefi i AKPPM-së dhe emërohen në fund nga ministri i Shëndetësisë.
Zëvendësimi i anëtarëve të këtij komisioni, mund të bëhet me ndonjë anëtar tjetër që ka qenë në konkurs, ku askund nuk figuron kandidatja Jehona Ymeri.
Për këtë çështje, sipas burimeve të Gazetës Nacionale, tashmë Prokuroria e ka ftuar edhe zëvendësministrin Arsim Berisha për intervistim.
Ne kemi dërguar pyetje shtesë për këtë rast në Ministrinë e Shëndetësisë, por nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje deri më tani për vendimin që po dyshohet se është nënshkruar kundërligjshëm.
Në anën tjetër, në përgjigjet paraprake, Ministria e Shëndetësisë e ka mohuar se shkarkimi dhe zëvendësimi i Demush Bajrkatarit ka qenë si lloj hakmarrje ndaj tij pas vendimit që ishte marrë nga komisioni në Këshillin Civil, ku anëtare ishte edhe gruaja e Demush Bajraktarit.
“Asnjë nga vendimet e bashkëngjitura nuk përmban ndonjë referencë që të tregojë se anëtarët e këtyre komisioneve janë përzgjedhur përmes konkursi publik. Në praktikë, anëtarët e komisioneve caktohen nga Ministri i Shëndetësisë, në përputhje me ligjet në fuqi, bazuar në propozimet dhe rekomandimet e dhëna. Z. Demush Bajraktari është zëvendësuar për shkak të performancës së pakënaqshme në përmbushjen e detyrave. Marrja e dy vendimeve në të njëjtën ditë, si dhe e një vendimi tjetër katër ditë më parë, është thjesht një çështje procedure dhe e agjendës së ministrit, jo për ndonjë arsye tjetër”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Gazetën Nacionale.
Tutje, ministria mohon se ndonjëri prej vendimeve është marrë për t’iu “hakmarrë” Demush Bajraktarit, pas vendimit të KPMSHCK-së, ku anëtare e kolegjit ishte edhe bashkëshortja e Demush Bajraktarit.
“Vendimet në fjalë nuk kanë asnjë lidhje me vendimin e KPMSHCK-së për konkursin e pozicionit Drejtor Ekzekutiv të AKPPM-së. Procesi i zëvendësimit të anëtarëve ka qenë i pavarur dhe është zhvilluar brenda procedurave dhe agjendës së rregullt të punës së ministrisë. Në asnjë fazë nuk është marrë parasysh apo ndikuar nga vendimi i KPMSHCK-së. Ndërsa, përputhja e datave është thjesht rastësi dhe nuk ka asnjë lidhje me vendimin e KPMSHCK-së. Nuk ka pasur asnjë ndikim apo lidhje midis vendimit të KPMSHCK-së dhe vendimeve të Ministrit për zëvendësimin e z. Bajraktari. Ky vendim është marrë ekskluzivisht për arsye të performancës së pakënaqshme dhe në ushtrim të të drejtës ligjore të Ministrit për të bërë ndryshime në përbërjen e komisioneve, me qëllim që ato të funksionojnë në mënyrë sa më efikase dhe profesionale”, kanë deklaruar nga ministria.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe vet toksikologun Demush Bajraktari, i cili ka deklaruar se në njoftimet që ka pranuar për zëvendësim në këto komisione, nuk i është bashkangjitur ndonjë arsye për këto vendime të ministrisë.
“Punën time në komisione e kam kryer me përpikmëri dhe përgjegjësi të plotë”, ka thënë ndër të tjerash Bajraktari.
Në pyetjen nëse mendon se këto vendime kanë ardhur si “hakmarrje” pas vendimit në KPMSHCK, Bajraktari ka refuzuar të komentojë këto çështje.
Ndiqeni videon e plotë rreth këtij rasti: