Vendimi i 16 shtatorit ka qenë kollaj i parashikueshëm meqë shenjat për të ishin kudo. Hidhërimi ynë është i madh, aq i madh sa na duket sikur Perëndimi e kreu një pabesi të madhe. Por nuk duhet të harrohet se garancat e dhëna që më 2015 nga ambasadat e Quint-it jetojnë në aktgjykim tekqë Paneli e tha shkoqur që nuk preket legjitimiteti i UÇK-së dhe qëllimi i saj për pavarësi. Faji është gjetkë. Politika populiste, tash e gjashtë vjet, e shndërroi Kosovën në një ishull vetmitar ku nuk ekziston asnjë aleat perëndimor. Duhet të shohim më mirë plagët që kullojnë gjak e të kuptojmë se ka edhe një fat në fatkeqësi. Është në interesin tonë që kur të publikohet i plotë aktgjykimi, teksti i tij të jetë plot e përplot me shkelje, paradoksalitete e anomali. Kur të ekspozohen ato para një komuniteti akademikësh e ekspertësh ndërkombëtarë, atëherë do të kemi mundësinë për një strategji të re e efikase të Mbrojtjes në Apel.
Col Mehmeti
Kur Tribunali u bë në verën e 2015-s, pas një trysnije të gjithanshme nga jashtë, garancitë e dhëna nga Perëndimi ishin fare gjenuine dhe të vërteta.
Në këto momente secili jemi sedërlënduar, por tronditja e madhe nuk duhet të na errësojë gjykimin sa të hipim në rimorkion e atyre që janë antiperëndimorë në shpirt.
Kur ambasadat e Quint-it në Prishtinë dilnin me deklarime të njëzëshme se lufta e UÇK-së ishte e drejtë e ky fakt nuk tjetërsohej nga çfarëdo gjykimi, këtu nuk kishte kurrfarë shtirje.
Në atë copë aktgjykimi, që u lexua paraditën e djeshme nga gjyqtari amerikan Charles L. Smith, gjenden të fiksuara mu këto garanca kur u tha shkoqur se “ky rast nuk ka të bëjë me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qëllimin e saj për një Kosovë të mosvarur”.
Kaq mjafton që të refuzohet hipja në rimorkion me vende të lira të atyre që na tërheqin në moçalin e urrejtjes antiperëndimore.
Le ta ngulisim një gjë si gozhdë në krye.
Teprimet e shkeljet që ecën dorë-për-dore në procesin e Hagës nuk e kanë adresën te Perëndimi.
Më tepër, ato duhen parë brenda përçarjeve të brendshme dhe, mbi të gjitha, fobisë patologjike ndaj Trumpit.
Në mungesë të guximit për t’u ballafaquar me të, qarqe të caktuara donin të hakmirreshin në njerëz që ndjesoheshin si të lidhur me MAGA-istët, d.m.th me Trumpistët më burimorë.
Ideja e një ‘tribunali special’ ishte një imperativ ndërkombëtar, madje edhe baballarët themelues të këtij shteti e dinin që, fill pas shpalljes së pavarësisë, do të përballeshin me procese gjyqësore.
Duhet të shohim pak përtej plagëve.
Ka edhe njëfarë fati në secilën fatkeqësi.
Ndonëse nuk është publikuar ende aktgjykimi i plotë, do të ishte në interesin tonë që totali i tij të jetë sa më paradoksal, me sa më shumë shkelje e sa më shumë kundërthënie.
Kjo do ta ekspozonte vendimin e 16 shtatorit para një komuniteti ekspertësh e profesionisësh të huaj, e rrjedhimisht do të përgatitej një strategji e re dhe efikase në Apel.
Zemërata e vërtetë që duhet të na përshkojë është vetëm kur bëjmë dallimin mes 2015-s dhe 2026-s.
Në këtë dekadë çmendurie, i pabesë nuk ishte Perëndimi, por të pabesët ishim ne, ne ishim bukëshkalët e mosmirënjohësit përballë tij.
Më 2015, dera diplomatike për Kosovën ishte e hapur në Washington, Paris, Londër, Berlin e Romë.
Sot, të gjitha këto dyer janë të mbyllura me shula refuzimi dhe askush nuk e bën hesap një shtetëruc që sillet me arrogancë sikur të ishte Rusi, Iran apo ndonjë tjetër nga klubi i batakçinjve.
Kryeministrin e Kosovës sot e pret vetëm Hristijan Mickoski në Shkup.
Nëse dikur një burrështas nga Kosova mund të shtrëngonte duart me Obaman, Macronin e Merkelin, sot nuk është e mundur as të kapet për mëngësh një diplomat i rangut të tretë teksa endet shkallëve.
Aq e thellë është shpërfillja ndërkombëtare sa edhe kur dy mashtrues rusë e telefonuan Kurtin, ky foli me ta për 10 minuta resht duke menduar naivisht se në anën tjetër të telefonit po kuvendonte me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs.
Më 2015, Kosova ndjesohej si një faktor lokal tek i cili Perëndimi llogariste në qetësinë e tij strategjike, por edhe në aftësinë e tij për të bërë probleme nëse ato ishin të ekspendientizueshme për një qëllim të caktuar të Perëndimit.
Sot, Kosova e vetëshkërdhyer nga populizmi e provincializmi nuk ka kurrfarë aftësie a takati për destabilitet.
Qetësia e saj as nuk i shënohet në defter sepse është shtet që gradualisht e ka zgjedhur një jetë ishullore, një izolim të plotë, një jetë nga zeroja si e Robinson Kruzosë.
Qysh në fund të 2024-s, për këdo që e përcillte procesin më me vëmendje, kuptohej qartë se Gjykata Speciale do ta dënonte ekzemplarisht krejt udhëheqjen e UÇK-së.
Gjatë kësaj kohe po kryheshin testime inxhinierike se cili do të ishte impakti social, sa do të ishte ndjeshmëria e njerëzve kur do të prekej identiteti i tyre.
Megjithëse institucionet ndërkombëtare të sigurisë para disa ditësh paralajmëronin skenarë potencialë dhune, peizazhet urbane në Kosovë, dje dhe sot, ishin të qeta, të vdekura e indiferente.
Ndjeshmëria kolektive praktikisht është e hiçtë dhe ka plot gjëra të tjera që mbiprodhojnë emocione, ndjeshmëri e elektrizim.
Filozofia antike greke nuk është ajo e thellësive dhe koncepteve të mëdha siç mendojmë. Jo!
Filozofia greke ishte veçse përpjekja për të thënë se si shkatërrohet bota kur turmat e bëjnë ligjin, kur sundon kallaballëku.
Dhe kishin të drejtë sepse populizmi ia përlau kryet këtij vendi.