- NACIONALE

Skicë urbane: e majta radikale, e majta ekstreme

Col Mehmeti

Administratës së Trumpit i kanë ardhur në maje të hundës grupet e së majtës ekstreme. Pasi i shpalli terroriste disa organizata radikale në ShBA e Evropë, Shtëpia e Bardhë ka shkuar edhe një hap më tej. Me fjalët e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, kërcënimi i majtë është ‘harruar’ sa kohë që bota merrej me kërcënimet e ekstremizmit islamik. Një hulumtim i NACIONALE-s ka pikasur nja shtatë organizime të majta në Kosovë. Asnjëra prej tyre nuk është e përfshirë në dhunë, por diskursi i disa prej tyre shpesh është skajshmërisht radikal, jotolerant dhe brutal. Pothuajse pjesa më e madhe e tyre ka një lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje. Aktivistë e ish-aktivistë udhëheqin disa prej tyre.

21 korrik 2026 – Grafiti i shkruar afër Fakultetit Juridik ende flet me mesazhin e tij antiamerikan.

Boja e bardhë përsipër nuk e ka fshehur përmbajtjen e tij eksplicite “Poshtë imperializmi amerikan”.

Me kaq është shprehur mirënjohja e shqiptarëve ndaj shtetit më të fuqishëm perëndimor që ndihmoi çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Ky grafit është vetëm njëri nga shumë syresh që për autorë kanë pjesëtarë të grupeve të majta.

Ekstremizmi i majtë ose radikalizmi i majtë zë vend skajor në ligjërimin publik.

Ende i papërkufizuar mire në studimet shkollareske, termi ekstremizëm i krahut të majtë përshkruan të gjitha përpjekjet në shërbim të luftës kundër rendit të lirë demokratik.

Individët që e kanë shkarkuar ‘aplikacionin’ e së majtës ekstreme kërkojnë të shfuqizohet gjendja ekzistuese e rendi shoqëror që përshkruhen a priori si të padrejtë.

çadrën e ekstremizmit të majtë mrizojnë anarkistë, socialistë, maoistë, komunistë, neomarksistë e të tjerë.

Nuancat dallimore mes tyre mund të jenë të mjaftueshme për luftë brenda llojit, por paqja mes tyre rivendoset përmes armiqësisë që e mbajnë gjallë kundër ‘kapitalizmit’, ‘imperializmit’ dhe ‘patriarkatit’.

Nga një ekstremizëm në tjetrin

Në doktrinën e sigurisë në Kosovë, ekstremizmi e radikalizmi i majtë nuk janë adresuar ndonjëherë.

Vendi i përjetoi për thuajse një dekadë të tërë andrallat e pasojat e ekstremizmit dhe radikalizmit fetar.

Ai u bë problem kombëtar kur mijëra shtetas të Kosovës u përfshinë në luftëra të huaja, siç ishte infamozi Shtet Islamik.

Ndryshe nga ky problem, shteti e institucionet e sigurisë nuk kanë një prosopografi për grupet radikale që afishohen të majta.

Me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje në shkurt 2020, këto grupe të nëndhéshme u duk sikur ranë në limbo.

Një hulumtim preliminar i grupeve të majta, që operojnë më tepër në margjina të jetës publike, do të zbulonte së paku nja shtatë prej tyre.

“Anarko-sindikalistët”

Një nga më të moçmit e këtyre organizimeve është edhe ‘Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës’ (GASP).

Nga sa e përshkruajnë veten në intervista fantome, anarko-sindikalistët e kryeqytetit kanë mësyrë me ambicien që të organizojnë “klasën punëtore” nëpër “sindikata radikale antikapitaliste”.

Në shumë nga manifestimet e gjertashme, anarko-sindikalistët kanë qenë fare të ngjashëm me Lëvizjen Vetëvendosje kur kjo nuk ishte ende në pushtet.

Midis të bëmave të këtij grupi, gjithnjë sipas deklarimeve të tyre, ishin kryesisht aksione të organizuara më 1 maj, por edhe aso ku protestave iu printe flamuri i Vetëvendosjes.

Anarko-sindikalistët e Prishtinës, siç thonë edhe vetë, iu mbahen borxhli për formimin e tyre teorive të ndryshme marksiste, neomarksiste e antikolonialiste – megjithëse më atraktive iu duket tradita teorike anarkiste e Bakuninit, Kropotkinit, Malatestës, Goldmanit, Rokerit, Stiernerit, Bukçinit e Magonit.

GASP-i është rrjetëzuar edhe me grupe të ngjashme në rajon, përfshirë grupin ‘Antipolitika’ në Greqi, dhe ‘FAO’ (Federata për Organizim Anarkist) në Slloveni e Kroaci.

1 Maji, dita kur antikapitalistët bëhen bashkë

Por, Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës e përdor jorrallëherë edhe logon e ‘Bllokut Antikapitalist’.

Ndërkëmbyeshëm me këtë përdoret edhe emri ‘Asambleja Antikapitaliste’, me të cilin nënshkruhet si organizatore e protestave të 1 majit.

Ndër aktivitetet më recente të këtij ‘Blloku’ janë parullat e shumta që u shkruan në muret e kryeqytetit në pranverën e sivjetme.

Përmbajtja e tyre shkonte deri atje sa Kosovës i vihej barra për ‘gjenocid’ në Gazë.

Aktivistët e ‘Bllokut’ kanë vizatuar nëpër mure e hapësira publike presidentin amerikan Donald Trump dhe ish-presidenten Vjosa Osmani afër njëri-tjetrit.

Bashkëfajtorë në gjenocid”, është mënyra sesi aktivistët e panjohur kanë vendosur ta kryqëzojnë moralisht gatishmërinë e Republikës së Kosovës që të bëhet pjesë e nismës për të paqtuar Gazën.

Si pjesë e Bordit të Paqes, nën aegisin e presidentit Trump, Kosova do të jetë në mesin e pesë shteteve të tjera që do të nisin trupa paqeruajtëse në Gaza.

Burime të NACIONALE-s kanë bërë të ditur se autorët e përmbajtjeve të tilla denigruese janë nga organizimi i quajtur ‘Komunë’.

Farat e VV-së

Grupi i leximeve ‘Platypus’ është po ashtu nga më të moçmit në skenën e organizimeve të majta.

Ashtu siç vetëstilizohet në mediat sociale, grupi mban edhe emrin si ‘Shoqëria e Bashkuar Platypus’.

Në autobiografinë e vet, ky organizim thotë se ka histori që nga dhjetori i 2006-s duke pasur pas vete organizime të grupeve të leximit, forume publike e ligjërime në shërbim të indoktrinimit me ide të majta.

Më prominenti i këtij grupi është aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Tahiri, që është edhe i afërt familjarisht me kryeministrin, Albin Kurti.

Të dyja grupimet, GASP dhe Platypus, e farëzuan edhe një qendër sociale ‘Sabota’.

Nga përmbajtjet e afishuara në faqen e vet, ‘Sabota’ i shërben ndjekësit me materiale, lexime e pjesë të përzgjedhura nga repertori i teorive feministe.

Shumë më e re në moshë është edhe Qendra Sociale ‘Përpjekja’ në Gjilan.

Më i shquari prej tyre duket aktivisti lokal i Vetëvendosjes, Yll Islami, kurse vetë qendra mëton të jetë organizatore protestash, diskutimesh e aksionesh solidariteti në Anamoravë.

Një tjetër grupim mjaft aktiv është edhe ‘Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist’.

Nga afishimet e përmbajtjeve në mediat sociale, ky ‘Kolektiv’ merr përsipër luftën për çlirim “nga patriarkati heteronormativ, kapitalist dhe racist”.

Pos atyre që i quajnë si lexime feministe, ky grupim së fundmi ka shprehur solidaritet me protestuesit në Tiranë që kundërshtojnë investimin amerikano-kataras në Zvërnec.

Ç’thotë politika e re amerikane për të majtën ekstreme?

Ndonëse grupet e zëna në gojë, përveç radikalizmit diskursiv, janë shmangur nga përdorimi i dhunës, përvoja nga gjetkë nuk është aq rozë.

Shumë nga grupet e majta radikale e kanë në takëmin e praksës përdorimin e dhunës dhe përplasjet me autoritetet policore.

Sidoqoftë, shteti më i fuqishëm në botë tani duket i vendosur t’i qërojë hesapet me atë që e quan si ‘terror i së majtës ekstreme’.

Së mbrami, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio kumtoi se Shtetet e Bashkuara tani e tutje do të rifokusojnë përpjekjet kundërterroriste ndaj radikalëve të majtë, duke theksuar se dhuna që vjen nga krahu i majtë është nënvlerësuar.

Në fjalimin që mbajti, Rubio tha se kërcënimi i militantizmit islamik është “dobësuar rëndë” falë përpjekjeve të bashkërenduara ndërkombëtare, porse rritja e dhunës nga e majta ka qenë “një kënd i vdekur”.

Ne mund dhe ne duhet ta identifikojmë dhe vëmë në hartë këtë kërcënim e të rindërtojmë arkitekturën tonë të kundërterrorizmit për ta shpartalluar atë”, tha Rubio.

Lista e të padëshiruarve

Administrata republikane e Trumpit nuk i ka lënë këto veç si fjalë.

Dhe vepra më e prekshme e kësaj vendosmërie është që tashmë Shtetet e Bashkuara e kanë shpallurAntifa’ (shkurtesë për ‘antifashizëm’) si grup terrorist.

E gjithë kjo ishte pjesë e ‘betimit’ të Trumpit për të vënë drejtësinë në vend ndaj grupeve të majta që bëhen me gisht si fajtorë për vrasjen e aktivistit konsverativ, Charlie Kirk.

Shtëpia e Bardhë tashmë e ka pasuruar listën edhe me organizime nga Evropa që cilësohen si terroriste: Antifa Ost (Gjermani); Federata Joformale Anarkiste/Fronti Ndërkombëtar Revolucionar (Itali); Drejtësia e Armatosur Proletare (Greqi); dhe Klasa Revolucionare për Vetëmbrojtje (Greqi).

Sipas një raporti të vitit të kaluar nga Qendra për Studime Strategjike e Ndërkombëtare, terrorizmi i krahut të majtë e ka kapërcyer atë nga grupet e djathta për herë të parë gjatë tridhjetë viteve të fundit.

Pas konferencës së Rubios, Washingtoni tashmë u ka përcjellë udhëzime të qarta ambasadave të veta gjithandej botës.

Edhe ambasadës amerikane në Tiranë, në mesin e njëzet syresh, i ka ardhur njoftimi nga administrata amerikane për politikën e re sa i përket kufizimit të vizave.

Kjo ka të bëjë me individët që kanë lidhje me grupet ekstremiste të majta, dhe kështu ambasadat amerikane do të mbledhin informacione mbi aktivitetin e këtyre grupeve. /Nacionale/

Gjendja me motin e ligë, Haradinaj fton qeverinë pë reagim të shpejtë t’u dalë në ndihmë qytetarëve për dëmet

NACIONALE

Ramush Haradinaj i Aleancës ka reaguar pas dëmeve të shkaktuara si pasojë e motit të ligë.

Ai ftoi qeverinë në detyrë që në bashkëpunim me komunal të dalë ne terret dhe t’u dalë në ndihmë qytetarëve për dëmet.

“Situata e krijuar pas stuhisë dhe të reshurave të rrëmbyeshme në Kosovë kërkon reagim të shpejtë institucional.

Ftoj Qeverinë në detyrë që në bashkëpunim me komunat, të dalë në terren, të evidentojë dëmet e shkaktuara dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve,” shkroi ai.

Inspektorati ndalon punimet në 16 vendpunishte për shkelje të sigurisë

NACIONALE

Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në 16 vendpunishte në Pejë, Prishtinë, Ferizaj, Lipjan dhe Fushë Kosovë, pas konstatimit të shkeljeve të rënda të sigurisë në punë.

Sipas njoftimit, parregullsitë paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

Punimet do të rifillojnë vetëm pasi të eliminohen të gjitha shkeljet dhe të verifikohet përmbushja e standardeve ligjore. Inspektorati paralajmëroi vazhdimin e kontrolleve në mbarë vendin.

Mjekët thonë se një familje 6-anëtarëshe u vra nga sulmi ajror izraelit në Gaza

NACIONALE

Të paktën 12 palestinezë, përfshirë gjashtë anëtarë të një familjeje, janë vrarë në tri sulme të ndara izraelite në Rripin e Gazës, sipas mjekëve lokalë.

Në pamje shihej banesa e familjes, e kapluar nga zjarri gjatë natës në lagjen perëndimore, al-Sabra, në qytetin Gaza, raporton televizioni BBC.

Vëllai i Firas al-Masrit i tha transmetuesit britanik se ai ishte djegur për vdekje bashkë me gruan e tij, Salsabeel, djalin dhe tri vajzat e tyre, Naim, Salma, Amira dhe dhe Faryal.

Ushtria izraelite tha se në shënjestër kishte një operativ të Hamasit dhe se ende ishte duke i analizuar rezultatet e sulmit.

Të martën pasdite, katër njerëz të tjerë u vranë nga një sulm ajror izraelit ndaj një shtëpie në zonën al-Samar, në qendër të qytetit Gaza, citohen të kenë thënë mjekët, sipas mediave palestineze.

Dy të tjerë u vranë nga një sulm izraelit me dron ndaj një automjeti në zonën al-Zahra, në jug të qytetit Gaza, shtuan ata.

Stuhia e fortë shkakton dëmtime në Suharekë dhe fshatrat përreth

NACIONALE

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se stuhia e fortë ka shkaktuar disa dëmtime në qytetin e Suharekës dhe në fshatrat përreth.

Përmes një njoftimi, ai u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat që mund të paraqesin rrezik.

“Nga stuhia e fortë ka disa dëmtime në qytetin e Suharekës dhe fshatra me rrethinë. Apelojmë për kujdes”, ka shkruar Muharremaj.

KEDS del me njoftim pas motit të ligë që përfshiu vendin

NACIONALE

Korporate Energjetike e Kosovësm(KEDS) ka dalë me njoftim pas reshjeve të dendura të shiut dhe breshërit, ku u tha se ekipet e tyre janë të pranishëm në terren, dhe të gatshëm për intervenim dhe rikthim të shpejt me furnizim.

Njoftimi i plotë i KEDS:

Erërat e forta, të shoqëruara me reshje të dendura shiu dhe breshër, mund të ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin e sistemit të shpërndarjes dhe të shkaktojnë ndërprerje të përkohshme në furnizim me energji elektrike. ⚡

Ekipet tona janë të pranishme në terren në numër të shtuar dhe po monitorojnë vazhdimisht situatën, të gatshme për intervenim të menjëhershëm dhe rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit.

Era e fortë në Skenderaj, dëmtohet minarja e një xhamie

NACIONALE

Si pasojë e erërave të forta një xhami në Skenderaj ka pësuar dëmtime në minare.

Media lokale skenderaje kanë publikuar pamje.

Pentagoni identifikon ushtarin e 17-të amerikan të vrarë në luftën me Iranin

NACIONALE

Pentagoni publikoi të martën identitetin e një ushtari amerikan që humbi jetën gjatë asgjësimit të kontrolluar të një droni iranian në Irakun verior, sipas The New York Times.

Rreshteri Michael Emmanuel Swinton, 30 vjeç, nga Fayetteville i Karolinës së Veriut, u vra të shtunën në bazën ajrore të Erbilit. Sipas Pentagonit, rrethanat e incidentit po hetohen.

Një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti për çështje operative, tha se Swinton nuk ishte përfshirë drejtpërdrejt në shpërthim, por u godit për vdekje nga copëzat e hedhura në ajër.

Ai shërbente në Brigadën e 108-të të Artilerisë së Mbrojtjes Ajrore, me bazë në Fort Bragg të Karolinës së Veriut.

Gjenerallejtënant John L. Rafferty, komandant i Komandës Hapësinore dhe të Mbrojtjes Raketore të Ushtrisë amerikane, deklaroi se Swinton humbi jetën gjatë një operacioni që synonte mbrojtjen e ushtarëve të tjerë.

Ushtria njoftoi se ai do të dekorohet pas vdekjes me Bronze Star, Purple Heart dhe Combat Action Badge. Ai gjithashtu do të gradohet pas vdekjes në gradën staff sergeant.

Gruaja e Hysen Durmishit bëhet këshilltare e ministrit Vitia, e falënderon edhe Kurtin

NACIONALE

Mirjeta Durmishi, bashkëshortja e Hysen Durimishit të Vetvendosjes përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se është punësuar si këshilltare e ministirt Arben Vitia. Ajo ka falënderuar Kurtin e Vitinë për emërimin si dhe e ka quajtur Vitinë, si ministrin më të suksesshëm.

E plotë:

“Faleminderit kryeministër Kurti!

Faleminderit ministër Vitia!

Jam e nderuar, që nga sot, të jem këshilltare politike e ministrit më të suksesshëm të Qeverisë së Kosovës z. Arben Vitia”

"Çfarë hipokrizie", Zemaj: Qeveria premton kompensime të reja, por nuk ka paguar dëmet e vjetra

NACIONALE

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, e ka quajtur hipokrite daljen e akterëve të VV-së që janë në pushtet për t’i vlerësuar dëmet që ia ka shkaktuar breshëri ditëve të fundit.

Zemaj tha se të njëjtit ende nuk i kanë kompensuar qytetarët për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e viteve të kaluara, ndërsa sot pushtetarët e njëjtë po premtojnë se do t’i kompensojnë dëmet e reja.

Reagimi i plotë i Zemajt:

Akoma nuk është kompensuar asnjë familje, asnjë fermer dhe asnjë qytetar për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e viteve të kaluara. Sot, e njëjta qeveri del sërish me premtime se do të evidentojë dëmet e reja dhe do t’i kompensojë të dëmtuarit.

Çfarë hipokrizie! Çfarë paaftësie dhe keqmenaxhimi!

Premtimet tuaja boshe nuk kanë më asnjë peshë, sepse qytetarët gjykojnë nga veprat, jo nga propaganda.