- NACIONALE

Bajrami: LDK-së i duhet udhëheqje që bashkon, dëgjon dhe respekton mendimin ndryshe

NACIONALE

Deputetja e LDK-së , Hykmete Bajrami, ka bërë thirrje për ndryshim të thellë në udhëheqjen dhe funksionimin e partisë, përpara Kuvendit të jashtëzakonshëm që pritet të mbahet këtë të enjte.

Sipas saj, Kuvendi nuk duhet të shndërrohet në përplasje ndërmjet individëve apo në përcaktim të rreshtimeve ndaj partive të tjera, por në një vendim për të ardhmen e LDK-së.

“Kuvendi do të tregojë se kush është me LDK-në”, ka shkruar Bajrami, duke shtruar pyetjen nëse anëtarësia është e kënaqur me gjendjen aktuale të partisë. “Nëse përgjigjja është ‘jo’, atëherë duhet të kemi guxim për ndryshim.”

Ajo kujtoi se, nga viti 2021, LDK-ja ka përfunduar si partia e tretë në tri palë zgjedhje dhe nuk ka arritur fitore as në nivelin lokal.

“Këto nuk janë opinione. Nuk janë interpretime. Janë rezultate”, ka deklaruar Bajrami, sipas së cilës mungesa e vazhdueshme e rezultateve kërkon marrje të përgjegjësisë politike.

Bajrami ka rikujtuar se pas humbjes në zgjedhjet e dhjetorit 2025 kishte kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, ndërsa njëkohësisht kishte dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares. “Sepse përgjegjësia politike nuk është dënim. Është standard demokratik dhe respekt ndaj anëtarësisë dhe votuesit”, ka shkruar ajo.

Sipas Bajramit, LDK-së nuk i nevojitet vetëm zëvendësimi i një emri, por një model i ri udhëheqjeje që bashkon, dëgjon, respekton mendimin ndryshe dhe vlerëson meritën e kontributin.

Valë e re të nxehti rrit rrezikun e zjarreve në Evropë

NACIONALE

Një valë e re të nxehti pritet të godasë Evropën Perëndimore këtë javë, duke shtuar rrezikun e zjarreve, sipas The New York Times. Temperaturat mund të arrijnë ose tejkalojnë 40 gradë Celsius në Francë, Spanjë dhe Portugali, ndërsa thatësira, bimësia e tharë dhe erërat e forta mund të përhapin vatrat ekzistuese dhe të shkaktojnë zjarre të reja.

Kjo është vala e katërt e të nxehtit në Evropë që nga maji. Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret Pyjore parashikon kushte ekstreme në Francën jugperëndimore dhe Spanjën veriore të paktën deri të mërkurën. Rrezik i lartë pritet edhe në Portugali, Britani dhe Irlandë.

Në Spanjë, temperaturat mund të ngjiten në 42 gradë Celsius, sidomos në jug, ndërsa vala pritet të zgjasë deri të dielën. Franca parashikon deri në 40 gradë dhe zgjerim të zonave me rrezik të lartë. Sipas Météo-France, lagështia e tokës kishte rënë në nivele rekord deri më 22 korrik.

Në Anglinë qendrore dhe jugore, temperaturat mund të arrijnë 35 gradë. Në Skocinë verilindore, banorët u kthyen në shtëpi pasi mbi 500 zjarrfikës dhe vullnetarë luftuan një zjarr aktiv në Parkun Kombëtar Cairngorms. Shiu i së dielës ngadalësoi përhapjen.

I doli përpara autobusit dhe shtiu me kallash në drejtim të tij: Prokuroria e Gjakovës ngre aktakuzë

NACIONALE

Prokuroria e Gjakoës ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet S.M, i cili sipas aktakuzës, ndër të tjera ceket se i pandehuri me inicialet S.M., më datë 11 qershor 2026, rreth orës 12:07, në fshatin Pagarushë, Komuna e Malishevës, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me linjën e autobusëve, i armatosur me një armë automatike të tipit AK-47, fillimisht ka bllokuar rrugën me traktorin e tij, e më pas ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të autobusit që drejtohej nga i dëmtuari V.S., ku pasagjer ishin edhe të dëmtuarit F.K. dhe H.K.

E plotë:

Aktakuzë për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

Gjakovë, 27 korrik 2026 – Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet S.M.

Sipas aktakuzës, ndër të tjera ceket se i pandehuri me inicialet S.M., më datë 11 qershor 2026, rreth orës 12:07, në fshatin Pagarushë, Komuna e Malishevës, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me linjën e autobusëve, i armatosur me një armë automatike të tipit AK-47, fillimisht ka bllokuar rrugën me traktorin e tij, e më pas ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të autobusit që drejtohej nga i dëmtuari V.S., ku pasagjer ishin edhe të dëmtuarit F.K. dhe H.K.

Sipas aktakuzës, nga të shtënat janë goditur disa pjesë të autobusit, duke rrezikuar jetën e të dëmtuarve. Megjithatë, fatmirësisht, asnjëri prej tyre nuk ka pësuar lëndime trupore.

Gjithashtu i pandehuri me inicialet S.M., ka poseduar pa autorizim armën automatike AK-47, së bashku me karikatorin dhe municionin, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale. Arma dhe municioni janë sekuestruar në vendin e ngjarjes.

Më këto veprime i pandehuri S.M., ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173 par.1 nënpar.1.5 lidhur me nenin 28 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë.

Mashtronte kinse është anëtare e një OJQ-je, duke përfituar mbi 11 mijë euro: Prokuroria e Pejës ngreh aktakuzë

NACIONALE

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj një gruaje që dyshohet se ka mashtruar disa qytetarë, duke u prezentuar si anëtare e OJQ-së, për t’i ndihmuar kinse për bujqësi si dhe vizat.

E plotë:

Prokuroria Themelore në Pejë ngrit aktakuzë ndaj një personi për veprën penale "Mashtrimi"

Pejë, 27 korrik 2026 - Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës me inicialet Gj.M , për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në vazhdimësi ka kryer veprën penale "Mashtrimi", sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, e pandehura, në periudha të ndryshme kohore gjatë viteve 2022–2024, përmes paraqitjes së rreme të fakteve dhe duke u prezantuar si përfaqësuese e një organizate joqeveritare, ka mashtruar një numër të konsiderueshëm qytetarësh duke u premtuar përfitimin e donacioneve, përfshirë krerë gjedhësh, sera bujqësore dhe ndërmjetësim për sigurimin e termineve për viza, në këmbim të pagesave të ndryshme.

Sipas aktakuzës, me këto veprime e pandehura dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën e përgjithshme prej 11,650 (njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) euro.

Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Pejë që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurën Gj.M ta shpallë fajtore për veprën penale që i vihet në barrë dhe ta dënojë sipas ligjit.

Aleanca me thirrje ndaj prokurorisë e policisë që të hetojnë dhe ndjekin penalisht ata që fshihen para profileve me emra grash

NACIONALE

Aleanca ka bërë thirrje që policia e prokuroria të hetoj e t’i ndjek penalisht ata që fshihen prapa profileve fallce, e që sulmbojnë, denigrojnë, kërcënojnë e delegjitimojnë secilin që mendon ndryshe nga Vetëvendosje.

E plotë:

Përdorimi i profileve të rreme, fushatave të koordinuara të dezinformimit dhe linçimit politik është bërë shenjë dalluese e kulturës politike që ka ndërtuar Lëvizja Vetëvendosje gjatë viteve të fundit.

Qëllimi i kësaj propagande nuk është vetëm elektoral. Synimi është delegjitimimi i të gjitha të arriturave të shtetit të Kosovës, rrënimi i besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit dhe ulja e besimit në aleatët tanë strategjikë, për të krijuar një realitet të rremë politik nga i cili përfiton vetëm pushteti e indirekt edhe armiqtë e Kosovës.

Aleanca kërkon nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës që të hetojnë dhe të ndjekin penalisht çdo person që organizon ose merr pjesë në rrjete të profileve të rreme dhe fushata të koordinuara të dezinformimit. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pavarësisht lidhjeve politike.

Demokracia nuk mbrohet me ushtri profilesh të rreme, por me sundim të ligjit dhe përgjegjësi.

Vdes motoçiklisti pas përplasjes me kamionin në Istog

NACIONALE

Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë të hënë në fshatin Veriq të Istogut, ku një motoçiklist ka humbur jetën pas përplasjes me një kamion.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:17 minuta, ditën e hënë.

Vdekja është konfirmuar nga mjeku kujdestar.

Zjarret në Francë krijojnë “re zjarri” që prodhojnë motin e tyre

NACIONALE

Zjarret e fuqishme që po përfshijnë jugperëndimin e Francës kanë arritur intensitet të tillë sa po krijojnë edhe kushte të veçanta atmosferike, raportoi CNN, duke cituar autoritetet zjarrfikëse.

Fenomeni njihet si “retë e zjarrit”, ndërsa në terminologjinë shkencore këto formacione quhen “re pirokumulonimbus”. Bëhet fjalë për re gjigante që krijohen mbi zjarre me intensitet jashtëzakonisht të lartë.

Nxehtësia e madhe e prodhuar nga flakët ngre me shpejtësi ajrin mbi zonën e zjarrit. Meqë ajri i nxehtë është më i lehtë, ai ngjitet drejt shtresave më të ftohta të atmosferës.

Gjatë ngritjes, ajri ftohet dhe lagështia e tij kondensohet, duke krijuar re të larta të ngjashme me ato të stuhive. Këto re mund të zhvillojnë sistemin e tyre atmosferik dhe të prodhojnë reshje, erëra të forta, madje edhe rrufe.

Fenomeni mund ta bëjë situatën edhe më të paparashikueshme për ekipet e emergjencës.

Policia ekzekuton 228 urdhër-arreste në Prishtinë, sekuestrohen 13 armë

NACIONALE

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë javës së kaluar ka zhvilluar një sërë operacionesh në rajonin e Prishtinës, duke ekzekutuar gjithsej 228 urdhëresa të lëshuara nga gjykatat.

Sipas njoftimit, 52 prej urdhëresave lidhen me persona të kërkuar për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër kishte të bënte me kundërvajtje, paraqitje në seanca gjyqësore dhe procedura verifikimi.

Personat e dënuar me burgim janë dërguar në institucionet përkatëse për vuajtjen e dënimit. Ndërkohë, personat e dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë shlyer detyrimet e përcaktuara në urdhëresat gjyqësore.

Gjatë operacioneve, policia ka sekuestruar gjithashtu 13 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.

Konjufca: Ne si popull do të ishim shumë të revoltuar nëse do të merrrej vendim politik në Hagë

NACIONALE

Ministri i jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, ka folur në lidhje me aktgjykimin që pritet të shpallet me 16 shtator në Hagë për krerët e UÇK-së në Hagë.

Konjufca ka thënë se Gjeneralët më të njohur të NATO-s kanë qenë bashkë me figurat më të njohura të UÇK-së, për ta ndalur gjenocidin e Millosheviçiqt. Në këtë kontekst ai ka paralajmëruar revoltë, nëse merret vendim politik.

“Unë bëj thirrje që Gjykata e Hagës të mos bëjë vendim politik, por vendim të drejtësisë, e nëse bën vendim të drejtësisë ne të gjithë e dijmë çka është drejtësia, ne të gjithë jemi dëshmitarë që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë, të kishte qenë luftë kriminale, kurrë nuk do ta kishte marrë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, këtë mbajeni mend. Nuk ka mundësi një luftë kriminale me u mbështetë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej Britanisë së madhe prej Gjermanisë e prej Francës. Gjeneralët më të njohur të NATO-s kanë qenë bashkë më figurat më të njohura të UÇK-së, oficerët e NATO-s kanë bashkëpunuar me trajnimet me oficerët e UÇK-së që lufta të jetë e suksesshme. Pse e kanë bërë këtë, sepse lufta jonë i ka kontribuar ndaljes së gjenocidit të Millosheviqit, të akuzuarit në Hagë, këtij qëllimi i kanë kontribuar. Kjo është drejtësia, nëse vendoset drejtësia ne nuk dëshirojmë si popull, bile do të ishim shumë të revoltuar nëse do të merrej vendim politik”

Konjufca: Albulena Haxhiu mbetet kandidate për kryetare të Kuvendit

NACIONALE

Glauk Konjufca ka deklaruar se Albulena Haxhiu pritet të jetë sërish kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Ai tha se, megjithëse çështja ende nuk është diskutuar në parti, në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë pritet të merret vendimi zyrtar.

Konjufca foli edhe për takimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me partitë opozitare, duke vlerësuar se LDK ka treguar më shumë gatishmëri për të tejkaluar ngërçin politik, ndërsa PDK ka mbetur në qëndrimet e saj të mëparshme. Sipas tij, mundësitë për një marrëveshje varen nga vullneti i partive për bashkëpunim.