- NACIONALE

Xhaka në mbështetje të çlirimtarëve: Luftuan në tokën e tyre për lirinë e atdheut

NACIONALE

Futbollisti i njohur me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, ka reaguar pas verditk dënuar për Gjykatën Speciale për ish-krerët e UÇK-së.

Ai ka ndarë një mesazh mbështetje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

Përmes rrjeteve sociale, ai ka publikuar një fotografi të ish-krerëve ndërsa në të shkruhet: “Luftuan në tokën e tyre, për lirinë e atdheut. Liria ka emër”.

Qytetarët ende në sheshin e Prishtinës, vazhdon protesta kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

NACIONALE

Qytetarë të shumtë po vazhdojnë të qëndrojnë në Sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës, afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, edhe në orët e vona të së mërkurës.

Sipas disa fotografive të siguruara nga reporterët e gazetës “Nacionale”, në shesh shihen ende shumë qytetarë të mbledhur pranë ndërtesës së Qeverisë, e cila po ruhet nga një kordon i policisë, me ndihmën e pengesave metalike.

Në shesh, bashkë me qytetarët e rëndomtë, janë parë edhe disa deputetë të partive opozitare, PDK e Aleanca.

Von der Leyen e mbështet planin që Kanadaja të bëhet “anëtare e asociuar” e BE-së

NACIONALE

Presidentja e Komisionit Evropian i ka mbështetur propozimet që Kanadaja të bëhet anëtare e asociuar” e Bashkimit Evropian. Ky shtet do të ishte i pari me status të tillë brenda bllokut.

Ursula von der Leyen i tha Parlamentit Evropian të mërkurën se ajo dëshiron të punojë rreth “hapjes së derës” për Kanadanë, që do të përfshinte lidhje më të ngushta në sektorë kyçë, raporton televizioni BBC.

Kryeministri kanadez, Mark Carney, javën e kaluar foli për synimin e një “aleance unike” me Bashkimin Evropian. Ky shtet tani për tani ka marrëdhënie të tensionuara me Shtetet e Bashkuara, të përkeqësuara nga një përplasje për tregtinë.

Pa e përmendur në emër presidentin amerikan, Donald Trump, zonja Von der Leyen tha se ofrimi i një lloj anëtarësimi për Kanadanë “nuk është partneritet kundër askujt tjetër, por për fuqinë tonë të përbashkët”.

Carney ishte i pranishëm në fjalimin vjetor në Strasburg dhe pritet t’i drejtohet Parlamentit Evropian të enjten.

Krasniqi: Në emër të popullit të Kosovës, ju shpallim heronj të gjallë

NACIONALE

Analisti Krasniqi ka reaguar pas dënimeve drakonike të Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së.

Ai ka thënë se themelet e shtetit të Kosovës janë ngritur mbi sakrificën dhe idealin për liri.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se ish-krerët e UÇK-së janë heronj të gjallë.

“Në emër të popullit të Kosovës, ju shpallim heronj të gjallë! Themelet e shtetit të Kosovës janë ngritur mbi sakrificën dhe idealin për liri. Në këto themele qëndron lufta çlirimtare e UÇK-së - një kapitull i pandashëm i rrugëtimit tonë drejt lirisë dhe shtetësisë. Kosova u ndërtua mbi sakrificë. Liria u fitua me shumë mund. E vërteta dhe drejtësia do të triumfojnë. Dje. Sot. Gjithmonë. Për Kosovën”, ka shkruar ai.

Pas dënimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, shtohen thirrjet që Kosova ta shpërbëjë Gjykatën Specialen

NACIONALE

Pas aktgjykimit dënues ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, ka pasur ardhur thirrje që Kosova të rishqyrtojë mbështetjen për Specialen.

Avokati i Hashim Thaçit kërkoi që Kuvendi i Kosovës të veprojë menjëherë, duke e cilësuar procesin si një rast ku “është dhunuar drejtësia”.

“Kosova duhet t’ia vë mendjen kësaj. Parlamenti i Kosovës duhet ta shikojë këtë”, tha ai pas shpalljes së aktgjykimit.

“Kjo Gjykatë është teknikisht partneritet mes Kosovës dhe BE-së. Dhe po të isha unë deputet i Kosovës, do t’ia tërhiqja mbështetjen kësaj gjykata qysh nesër.”

Të njëjtën linjë e ndoqi profesori amerikan i së drejtës ndërkombëtare, Paul Williams, i cili kishte dëshmuar në mbrojtje të Thaçit.

“Rruga e qartë përpara është që qeveria e Kosovës ta shpërbëjë këtë gjykatë”, deklaroi Williams.

Ai e përshkroi Specialen si një projekt të “keqkonceptuar të drejtësisë” dhe tha se krijimi i saj kishte qenë “një gabim i tmerrshëm”.

Williams argumentoi se gjykata ishte larguar nga qëllimi fillestar dhe se procesi kishte prodhuar një “barazi morale” ndërmjet palëve të konfliktit.

Sipas tij, kjo qasje lidhet me përpjekjen evropiane për të krijuar barazi morale mes palëve në konfliktet e ish-Jugosllavisë.

Ai shtoi se pretendimet për trafikim organesh, të lidhura me raportin e Këshillit të Evropës, nuk u vërtetuan dhe nuk u përfshinë në aktakuzën përfundimtare.

Sipas Williams, pas krijimit të gjykatës fokusi u zhvendos në pretendime të tjera për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së.

“Është më keq se një dështim”, tha ai, duke argumentuar se procesi mund të dëmtojë besimin në mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë.

Reagim të fortë pati edhe gjenerali amerikan Wesley Clark, ish-komandant suprem i NATO-s në Evropë dhe dëshmitar i mbrojtjes në procesin gjyqësor.

“Jam i shokuar dhe i zemëruar”, tha Clark.

Ai tha se kishte dëshmuar për atë që kishte parë gjatë luftës dhe se nuk kishte parë dëshmi që, sipas tij, justifikonin këtë vendim.

Clark tha se UÇK-ja ishte “një rebelim kundër një regjimi autoritar” dhe se qëndrimi i tij nuk kishte ndryshuar nga materialet e paraqitura në proces.

Ai tha gjithashtu se nuk mund ta konsideronte Thaçin një person që mund të dënohej për krime lufte, bazuar në përvojën e tij.

Profesori amerikan Edward Joseph paralajmëroi ndërkohë se aktgjykimi do të përdoret politikisht kundër Kosovës nga Serbia, Rusia dhe Kina.

“Kjo gjë do të përdoret nga Serbia si mjet për të diskretituar UÇK, veprimtarinë e saj. Do të përdoret nga Rusia dhe Kina”, tha Joseph.

Ai pretendoi se këto vende do të përpiqen “ta izolojnë edhe më shumë Kosovën” dhe kundërshtoi krahasimin e dënimeve me ato ndaj figurave serbe.

Edhe profesori dhe njohësi amerikan i Ballkanit, Daniel Serwer, reagoi ashpër ndaj aktgjykimit dhe vetë ekzistencës së gjykatës.

Serwer shkroi se shumë shqiptarë në Kosovë do ta konsiderojnë rezultatin të padrejtë dhe shprehu shpresën që protestat të mbeten paqësore.

Ai argumentoi se amerikanët dhe evropianët kishin kriminalizuar një lëvizje çlirimtare që më parë e kishin mbështetur.

Sipas Serwer, kjo kishte reduktuar drejtësinë ndërkombëtare në hakmarrje politike, ndërsa amerikanët dhe evropianët, sipas tij, kishin kaluar te çështje të tjera.

Serwer shkroi gjithashtu se problemi, sipas tij, nuk qëndron vetëm te aktgjykimi, por edhe te vetë gjykata.

Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.

Mblidhet PDK-ja, Hamza: Të gjitha format demokratike dhe ligjore janë opsion

NACIONALE

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë me dije se kjo parti do t`i diskutojë sot të gjitha opsionet pas verdiktit dënuar të Speciales.

Para hyrjes në mbledhjen e Kryesisë dhe të Grupit Parlament të PDK-së, ai ka thënë se të gjitha format demokratike dhe ligjore do të jenë në opsion.

Ne do ta diskutojmë situatën, do ta diskutojmë detajshëm. Ne e kemi thënë, që të gjitha format demokratike dhe ligjore janë opsion. Më tutje do të diskutojmë dhe pastaj do të shohim se cilat janë qëndrimet zyrtare të Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë tha ai.

I pyetur nëse PDK-ja do të marrë iniciativë për zhbërjen e Gjykatës Speciale, ai nuk ka dhënë shumë detaje.

Të gjitha veprimet demokratike dhe ligjore janë të mundshme”, ka thënë ai.

Deputetët e PD-së në Shqipëri shkojnë në Kuvend me simbole të UÇK-së, solidarizohen me Kosovën

NACIONALE

Partia Demokratike e Shqipërisë sot është solidarizuar me Kosovën pas vendimit të Gjykatës Speciale për të dënuar me 81 vite burgim drejtuesit e UÇK-së.

Euronews Albanian raportoi se grupi parlamentar i PD-së është nisur për Kuvend të Shqipërisë me simbole të UÇK-së në seancë.

Rujuni nga miqtë që sjellin tribunale ndërkombëtare

NACIONALE

Çlirimtarët e Kosovës u vunë në bankën e të akuzuarve. Bashkë me ta u dënua edhe historia.

Shkruan: Petrit Selimi

Lufta për çlirim nga regjimet shtypëse nuk është kurrë një punë e pastër.

Në Francë, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, më shumë se 9,000 njerëz u ekzekutuan gjatë épuration sauvage, një spastrim i dhunshëm nga Lëzizja e Rezistencës ndaj bashkëpunëtorëve të dyshuar, që përfshinte vrasje jashtëgjyqësore, torturë, poshtërim publik, si dhe rruajtjen e kokave të grave, të cilat më pas ekspozoheshin nëpër rrugë në “marshime turpi” për shkak të rolit të tyre në të ashtuquajturin collaboration horizontale - seks me gjermanët. Historianët kanë dokumentuar shumë raste që ishin të nxitura nga thashethemet, hakmarrjet personale, rivalitetet lokale, vjedhjet apo larjet banale të hesapeve politike.

Në kohë më moderne, Kongresi Kombëtar Afrikan i Nelson Mandelës, një prej lëvizjeve çlirimtare më të kremtuara — dhe më të admiruara — në historinë bashkëkohore të botës, u gjet se kishte kryer shkelje të rënda të të drejtave të njeriut gjatë luftës kundër aparteidit, përfshirë torturën, ndalimin arbitrar dhe ekzekutimin e bashkëpunëtorëve dhe disidentëve të dyshuar. Vetë Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit i Afrikës së Jugut konstatoi se strukturat e sigurisë të krahut ushtarak të ANC-së përdornin në mënyrë rutinore torturën në kampet e saj në mërgim ndërmjet viteve 1979 dhe 1989, dhe se shumë të ndaluar u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan pa një proces adekuat ligjor.

FRETILIN-i i Timorit Lindor dhe krahu i tij i armatosur FALINTIL, një tjetër lëvizje çlirimtare e respektuar globalisht që luftoi kundër një okupimi brutal, u gjetën po ashtu nga Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit i vetë vendit se kishin kryer shkelje serioze të ligjeve të luftës. Ato përfshinin torturë, ndalim të paligjshëm, vrasje të civilëve, madje edhe masakra, të fshatrave të tëra të akuzuara për bashkëpunim me forcat indoneziane, si dhe ekzekutime të kundërshtarëve politikë dhe të brendshëm.

Megjithatë, organet gjyqësore dhe të pajtimit të krijuara pas çlirimit, si në Afrikën e Jugut ashtu edhe në Timorin Lindor, u kujdesën të theksonin se këto abuzime, sado serioze, përbënin vetëm një copëz të vogël të shkeljeve të kryera gjatë viteve të shtypjes dhe okupimit nga regjimi i pakicës së bardhë në Afrikën e Jugut dhe, përkatësisht, nga ushtria indoneziane.

Si Nelson Mandela, ANC-ja e të cilit përdori gjithashtu dhunën për ta çliruar vendin nga makineria e aparteidit, ashtu edhe José Ramos-Horta, një udhëheqës i lartë dhe zëdhënës ndërkombëtar i lëvizjes guerile të Timorit Lindor, fituan më vonë Çmimin Nobel për Paqe, në njohje të rezultateve të rrugëtimit të tyre të gjatë dhe brutal drejt lirisë. Madje edhe Yasser Arafat, i cili udhëhoqi një lëvizje që kishte përdorur terrorizëm mizor dhe kishte vrarë njerëz krejtësisht të pafajshëm, përfshirë gra dhe fëmijë, mori Çmimin Nobel për Paqe.

Hashim Thaçi, udhëheqësi politik i lëvizjes çlirimtare të Kosovës, u bashkënominua gjithashtu për Çmimin Nobel për Paqe, fillimisht nga bashkëkryetarët republikanë dhe demokratë të grupeve parlamentare në Kongresin Amerikan, si dhe nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, për rolin e tij në përpjekjet e pajtimit pas luftës me Serbinë.

Joe Biden, atëherë Nënpresident i Shteteve të Bashkuara, madje e quajti Thaçin “George Washingtoni i Kosovës” në vitin 2010, për rolin e tij si në çlirimin e Kosovës, ashtu edhe në ndërtimin e njërës prej demokracive më dinamike në këtë pjesë të trazuar të Evropës. Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord Robertson, e quajti Thaçin “një udhëheqës të jashtëzakonshëm”, ndërsa e ndjera dhe shumë e dashura Sekretare Madeleine Albright shkroi dikur se ajo “i besonte vizionit të Thaçit — një vizion që Kosovës i kishte munguar”.

Por, disa dekada nga momenti kur ish-Presidenti Bill Clinton shprehte “admirimin për udhëheqjen” e Hashim Thaçit gjatë muajve kaotikë pas luftës në Kosovë, dhe lëvizja jonë çlirimtare do të pësonte një prej goditjeve më të rënda ndaj reputacionit të saj nga një gjykatë hibride, e themeluar formalisht nga Kosova, por me seli në Hagë dhe e përbërë tërësisht nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Nuk do t’i rikthehem historisë së kësaj gjykate: shantazhit nën të cilin u vu Kosova për ta themeluar atë mbi bazën e një raporti absurd për trafikim organesh, të hartuar nga një senator zviceran me një histori të gjatë qëndrimesh kundër pavarësisë së Kosovës, pas një kërkese në Këshillin e Evropës të udhëhequr nga Konstantin Kosachev, një deputet rus që sot gjendet nën sanksione të Bashkimit Evropian. Po aq i njohur është edhe vendimi i dyshimtë i Prokurorit të Specializuar Jack Smith për ta shpallur aktakuzën në kohën kur Thaçi ndodhej në një aeroplan të Austrian Airlines, duke udhëtuar drejt Washingtonit për t’u takuar me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë për një marrëveshje paqeje me Serbinë.

Por kjo gjykatë dje shqiptoi dënime të rënda ndaj udhëheqësit politik të UÇK-së dhe ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe ndaj tre bashkë të akuzuarve, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët të gjithë luajtën role kyçe në çlirimin e Kosovës dhe në udhëheqjen e institucioneve demokratike të ndërtuara pas luftës.

Shumica e kosovarëve u tronditën jo vetëm nga ashpërsia e dënimeve të shkallës së parë e të cilat ishin më të rënda se ato të shqiptuara ndaj udhëheqësve dhe gjeneralëve serbë në rastin Milutinović et al. të ICTY-së për krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë, por edhe më shumë nga narrativa e artikuluar nga kryetari i trupit gjykues, mbi të cilën u mbështet aktgjykimi.

Gjyqtarët ndërkombëtarë e shpërfillën krejtësisht thelbin e dëshmive të ish-Komandantit Suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, si dhe të diplomatëve shumë të lartë amerikanë, britanikë dhe të OKB-së, të cilët e përshkruan Thaçin si udhëheqës politik dhe jo ushtarak, ndërsa UÇK-në si një lëvizje guerile të fragmentuar, me kontroll të kufizuar qendror.

Megjithatë, Trupi Gjykues konstatoi se të pandehurit (dhe shumë komandantë të tjerë të UÇK-së të përmendur shprehimisht) ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” me një “qëllim të përbashkët kriminal” për të shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së, ndërkohë që i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Menjëherë pas vendimeve tronditëse, shumë ambasada mike theksuan se Kryetari i Trupit Gjykues kishte “theksuar se gjykimi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur, por me përdorimin e disa mjeteve kriminale nga disa prej pjesëtarëve të saj për t’i arritur këto synime”.

Por kjo, natyrisht, nuk është krejtësisht e vërtetë. Kryetari i Trupit Gjykues vërtet e tha këtë. Por ky sqarim qëndronte në siklet përballë narrativës së gjatë që pasoi. Deklarata e tij e gjatë hyrëse ishte e mbushur me akuza, përfundime dhe insinuata që vinin në pikëpyetje vetë vendimin e këtyre burrave, shumica prej tyre atëherë në të njëzetat e hershme ose të mesme. për të përdorur dhunën me qëllim që të çliroheshin nga një regjim shtypës. Gjyqtari nuk e shfrytëzoi kohën e tij para mediave botërore (e as, me sa duket, aktgjykimin e tij konfidencial prej afro 2,000 faqesh) për të dhënë një shpjegim të qartë dhe të pakontestueshëm të ligjshmërisë së rezistencës së armatosur kundër një regjimi të ngjashëm me aparteidin. As nuk kaloi shumë kohë duke shpjeguar se këto abuzime, sado serioze, përbënin vetëm një pjesë të vogël të shkeljeve të kryera gjatë shumë viteve nga regjimi i Miloševićit.

Diplomatët e huaj po ashtu theksojnë se aktgjykimet nuk janë përfundimtare. Vërtet, etërit themelues të dënuar të Republikës së Kosovës do të ankohen në Apel, por këtë do ta bëjnë duke pasur parasysh bilancin jashtëzakonisht asimetrik të ankesave të paraqitura nga Prokuroria dhe Mbrojtja. Siç theksoi në korrik Luka Mišetić, avokati me përvojë, por thellësisht i frustruar i Thaçit, Prokuroria kishte paraqitur tri ankesa dhe i kishte fituar të tria, një normë suksesi prej 100 për qind. Mbrojtja, ndërkaq, kishte paraqitur 44 ankesa dhe i kishte humbur të 44-at - një normë dështimi prej 100 për qind. Marrëdhënia ndërmjet Dhomave dhe Prokurorisë është bërë juridikisht incestuozë. Nuk ekziston më ndonjë ndarje kuptimplotë dhe në distancë institucionale, siç është vënë në dukje edhe nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, vështirë se një institucion i simpatizantëve të UÇK-së.

Sa për reagimet në Kosovë… Ikona globale të muzikës si Dua Lipa dhe Rita Ora, yje të futbollit si Granit Xhaka dhe qindra mijëra të tjerë i mbushën platformat e tyre me logot e UÇK-së, të shoqëruara me deklarata si “Jo në emrin tim” dhe “Liria ka emër”, një kundërpërgjigje e qartë ndaj absurditetit të gjyqtarëve që, duke vendosur “në emër të popullit të Kosovës”, shpallën kriminalitetin e lëvizjes çlirimtare të këtij populli. Sa për pasojat politike, për to do të flasim më vonë.

Çfarëdo që të ndodhë në apel, ai konstatim i ka shkaktuar dëm të thellë reputacionit jo vetëm të katër burrave, por edhe imazhit historik të tërë lëvizjes çlirimtare të Kosovës. Daniel Serwer, studiues i lartë në Institutin për Politikë të Jashtme të Johns Hopkins SAIS dhe ish-diplomat i lartë amerikan, ishte tepër kritik ndaj aktgjykimit: “Amerikanët dhe evropianët duhet të ndihen të turpëruar”, shkroi ai, duke argumentuar se ata kishin “kriminalizuar një lëvizje çlirimtare që vetë e kishin mbështetur dhe e kishin reduktuar drejtësinë ndërkombëtare në hakmarrje politike”.

Ironia më e gjerë është e vështirë të injorohet.

Në një kohë kur qeveritë perëndimore flasin vazhdimisht për përballjen me ndikimin armiqësor, revizionizmin historik dhe luftën hibride të Rusisë, ato tani kanë shpenzuar qindra miliona dollarë për të ndërtuar dhe mbajtur në këmbë një institucion, aktgjykimi i të cilit ofron pikërisht atë lloj municioni narrativ që kundërshtarët e tyre kanë kërkuar prej dekadash. Për revizionistët në Moskë dhe Beograd, kishte arsye për t’i hapur shishet e shampanjës.

Për lëvizjet çlirimtare që luftojnë për liri dhe demokraci anembanë botës, mësimi do të jetë i qartë: Ruhuni nga miqtë që sjellin tribunale ndërkombëtare.

Shkruar në Hagë, këtë ditë të 17-të të shtatorit, Anno Domini 2026. Versioni origjinal këtu.

Happy Days në Neptun Zbritje deri në 60% vetëm më 17 shtator

NACIONALE

Neptun Kosova sjell ofertën “Happy Days”, të enjten, më 17 shtator, me zbritje deri në 60% në një përzgjedhje të gjerë produktesh.

Oferta vlen vetëm për një ditë dhe mund të shfrytëzohet si online, ashtu edhe në të gjitha dyqanet e Neptun Kosova. Për ta bërë blerjen edhe më të lehtë, konsumatorët mund të përfitojnë gjithashtu nga mundësia e blerjes me këste.

Në kuadër të “Happy Days”, zbritje do të ketë nga brende të njohura të teknologjisë dhe elektroshtëpiakeve, përfshirë Beko, LG, Bosch, Apple, Philips, Fuego, Samsung, Roborock, Tefal etj.

Nga televizorët dhe pajisjet e mëdha elektroshtëpiake, deri te laptopët, pajisjet e vogla për shtëpi dhe produktet e teknologjisë, oferta përfshin kategori të ndryshme për nevoja të përditshme.

Neptun Kosova, pjesë e Balfin Group, është lider në tregun e shitjes me pakicë të elektronikës dhe elektroshtëpiakeve në Kosovë, duke sjellë gjatë gjithë vitit një linjë të gjerë produktesh dhe oferta promocionale për konsumatorët.

Përmes fushatave të ndryshme promocionale, Neptun synon t’u ofrojë konsumatorëve mundësi për të përfituar nga çmime më të favorshme në kategori dhe brende të ndryshme.

Mos e humbisni këtë mundësi pasi “Happy Days” zgjat vetëm një ditë, më 17 shtator, konsumatorët mund t’i shfrytëzojnë ofertat si në dyqanet e Neptun Kosova, po ashtu edhe përmes platformës online.

*Artikull i sponsorizuar!

Alarmon Joseph: Aktgjykimin e Speciales do ta përdorin Serbia, Rusia dhe Kina kundër Kosovës

NACIONALE

Aktgjykimin dënues ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do ta përdorin Serbia, Federata Ruse dhe Kina kundër shtetit të Kosovës, tha profesori amerikan, Edward Joseph.

Joseph vlerësoi se dënimi prej 81 vitesh burgim dhënë ndaj katër drejtuesve të UÇK-së nuk është as i barabartë me dënimet ndaj figurave ushtarake dhe politike serbe që shkaktuan katër luftëra në ish-Jugosllavi.

“Kjo gjë do të përdoret nga Serbia si mjet për të diskretituar UÇK, veprimtarinë e saj. Do të përdoret nga Rusia dhe Kina. Do përpiqen ta izolojnë edhe më shumë Kosovën. Ne kemi parë këtë muaj në Serbi, që është nderuar imazhi i këtij personazhi, kemi parë ceremoni, është përdorur gjuhë urrejtjeje në Beograd. Ne kemi dëshmuar sesa të gjata janë dëmet që janë dhënë. Dënimi nuk është i barabartë me dënimet që kanë marrë figurat serbe, që kanë kryer krime”, theksoi ai.