- NACIONALE

Mehmetaj: Arkani me ushtarë të tij qëndruan në hotelin e familjes së Rron Gjinovcit gjatë luftës

NACIONALE

Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar ndaj aktivistit Rron Gjinovci, pas një postimi të këtij të fundit në rrjetet sociale, ku iu drejtua kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, me fjalët “ty t’vjen era bagla” dhe “rrin me selaka”.

Përmes një postimi në Facebook, Mehmetaj ka thënë se personat si Gjinovci, “e urrejnë” Ramën për shkak se nuk e ka problem Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ai la të kuptohet se gjatë luftës në Kosovë, krimineli serb Zeljko Raznatovic, i njohur si Arkan, kishte qëndruar në hotelin e familjarëve të Gjinovcit.

“A e dini pse pe urrejne kaq shume keta jugosllavet Perparim Ramen?

Nuk po munden me perbi kurrqysh qe dikush i Prishtines nuk e ka problem UÇK-ne e nuk ka komplekse te tipit ‘katunar e qytetar’.

Keta edhe e durojne naj katunar me fol per UÇK-ne e me respektu UÇK-ne, po kur e shohin naj prishtinali t’u e bo te njejten, s’ua perballon sistemi hic. Shllogiraten komplet, tuten qe ju paska hi UÇK-ja edhe n’rreth.

Keta une edhe i kuptoj, se kur t’flen Arkani me ushtare te tij ne hotel te familjes gjate luftes ne Kosove, masnej nime UÇK-ne e urren me shpirte edhe kedo qe i vendoset ne mbrojtje”, ka shkruar Mehmetaj.

Ministri francez viziton KFOR-in: Shembull i mbështetjes evropiane për stabilitetin rajonal

NACIONALE

Ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad, ka vizituar sot misionin e KFOR-it gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.

Përmes një postimi në platformën X, Haddad ndau përshtypjet nga kjo vizitë, duke vlerësuar kontributin e ushtarëve francezë në kuadër të misionit paqeruajtës.

"Shpreha mirënjohjen time për ushtarët tanë francezë të vendosur në Kosovë. Kjo forcë e armatosur shumëkombëshe është shembull i mbështetjes evropiane për stabilitetin rajonal”, tha ministri francez.

Po ashtu, Haddad bëri të ditur se gjatë ditës së hënë ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të partive politike në Kosovë.

Kurti pas takimit me Wikoff: Jemi mirënjohës për përkushtimin e NATO-s për mjedis të qetë dhe të sigurt

NACIONALE

Kryeministri në detyrë ka pirtur në zyrë, admiralin amerikan George M. Ëikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli të Italisë, së bashku me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş.

Kurti tha se është mirënjohës për përkushtimin e NATO-s, për mjedis të qetë për qytetarët.

E plotë:

“Pas takimit tonë të parë në janar, pata nderin ta pres sërish në Zyrën e Kryeministrit admiralin amerikan George M. Ëikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli të Italisë, i cili ishte i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş.

Ne jemi mirënjohës për përkushtimin e NATO-s për mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet, si dhe për kontributin e vazhdueshëm për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në Republikën tonë dhe mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Me admiralin Ëikoff biseduam për situatën e sigurisë dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona dhe NATO-s.”

Veturat nga Koreja e Jugut: Prokuroria dhe Policia kontrollojnë disa lokacione në Vushtrri, konfiskohen pesë vetura

NACIONALE

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Doganën dhe Policinë e Kosovës, ka zhvilluar kontrolle në disa lokacione në Vushtrri, nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve për importimin dhe zhdoganimin e veturave nga Koreja e Jugut.

Gjatë kontrolleve, të zhvilluara në shtëpitë e të pandehurve me qëllim të sigurimit të provave materiale, janë konfiskuar pesë vetura.

Sipas dyshimeve, të pandehurit kanë manipuluar të dhënat e veturave duke ndryshuar vitin e regjistrimit nga 2015 në 2016, në mënyrë që ato të paraqiteshin si jo më të vjetra se 10 vjet dhe të mundësohej importimi i tyre në Kosovë.

Veprimet dyshohet se janë kryer në kundërshtim me nenin 44, paragrafi 2, të Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjete.

Njoftimi i plotë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë:

Urdhër kontroll në disa lokacione lidhur me falsifikimin e dokumenteve për importimin dhe zhdoganimin e veturave nga Korea e Jugut – Sekuestrohen pesë vetura

Mitrovicë, 28 korrik 2026 - Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se sot, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës – Njësinë për Hetimin e Auto krimeve Mitrovicë-Jug, në kuadër të një hetimi penal që është duke u zhvilluar, ka realizuar kontroll në shtëpinë e të pandehurve në Vushtrri, me qëllim të gjetjes dhe sigurimit të provave materiale relevante për procedurën penale.

Veprimet hetimore janë ndërmarrë në kuadër të hetimeve lidhur me dyshimin e bazuar se të pandehurit, me dashje, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë falsifikuar dhe përdorur dokumente të falsifikuara publike gjatë procedurës së importimit dhe zhdoganimit të automjeteve.

Sipas dyshimeve të deritanishme, me datë 06.07.2026, të pandehurit kanë përdorur dokumente të falsifikuara - librezat koreane të automjeteve duke manipuluar të dhënat që lidhen me datën e regjistrimit të parë të automjeteve, konkretisht, në dokumentet përkatëse është ndryshuar viti i regjistrimit të parë nga 2015 në 2016, me qëllim që automjetet të paraqiteshin si jo më të vjetra se dhjetë (10) vjet dhe, në këtë mënyrë, të mundësohej importimi i tyre në Republikën e Kosovës, në kundërshtim me nenin 44 paragrafi 2 të Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjete.

Dokumentet e dyshuara si të falsifikuara dyshohet se janë përdorur gjatë procedurës së importimit dhe zhdoganimit të pesë (5) automjeteve, me ç ‘rast për secilin automjet janë lëshuar Deklarata Unike Doganore (DUD), në të cilat është evidentuar në mënyrë të pasaktë se regjistrimi i parë i automjeteve ishte bërë gjatë vitit 2016, ndonëse nga provat e siguruara deri më tani rezulton se regjistrimi i tyre i parë ishte bërë gjatë vitit 2015. Pesë (5) veturat të cilave dyshohet se u janë falsifikuar dokumentet janë sekuestruar.

Lidhur me këtë rast, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 paragrafi 1 nënparagrafët 1.2, 1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

104 vjet miqësi: Ambasada Amerikane rrëfen historinë e vulës së fshehur për 40 vjet në Tiranë

NACIONALE

Ambasada Amerikane në Tiranë ka kujtuar 104-vjetorin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, përmes historisë së vulës së Legatës Amerikane.

Sipas Ambasadës, kur Legata u mbyll pas pushtimit të Shqipërisë në vitin 1939, Loni Adami dhe bashkëshortja e tij, Andromaqi, rrezikuan gjithçka për ta fshehur vulën, të cilën e ruajtën për më shumë se 40 vjet.

Pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ata zbuluan vendin ku e kishin fshehur vulën, në bodrumin e godinës së Ambasadës. Ajo vulë, sipas Ambasadës, ndodhet ende aty sot.

“Një miqësi që historia nuk mundi ta thyejë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.

Legata Amerikane në Tiranë ishte ndërtesa e parë e ngritur nga Departamenti Amerikan i Shtetit posaçërisht për të shërbyer si ambasadë, duke u bërë simbol i marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.

“Dëshmia e kësaj qëndron sot në mjediset tona: vula e Ambasadës Amerikane që daton që nga vitet 1930. Kur Legata Amerikane u mbyll pas pushtimit të Shqipërisë në vitin 1939, Loni Adami dhe bashkëshortja e tij, Andromaqi, rrezikuan gjithçka për ta fshehur vulën, duke e ruajtur atë për më shumë se 40 vjet. Kur marrëdhëniet diplomatike u rivendosën më në fund, ata zbuluan vendin ku e kishin fshehur në bodrumin e godinës së Ambasadës - dhe po ajo vulë qëndron me ne sot. Një miqësi që historia nuk mundi ta thyejë”

Dy persona ndalohen nën dyshimin për krime lufte në rajonin e Mitrovicës

NACIONALE

Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale, ka ndaluar dy persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit me inicialet M.J. dhe M.B. dyshohet se gjatë vitit 1999 kanë kryer krime ndaj popullsisë civile në rajonin e Mitrovicës.

Ata janë ndaluar për 48 orë, ndërsa pritet të ndërmerren veprime të mëtejshme procedurale ndaj tyre.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar, por nuk ka publikuar hollësi të tjera, me arsyetimin se duhet të ruhet integriteti i procedurës penale.

Policia e gjobit drejtuesin e veturës me targa gjermane, theu rregullat e trafikut

NACIONALE

Policia e Kosovës ka gjobitur një person pas publikimit të videoincizimit ku i njëjti shihej duke tejkaluar kolonën në krahun e djathtë.

Policia ka bërë me dije se personi po drejtonte një automjet me targa të shtetit gjeman.

“Me datёn 25.07.2026, nё rrjetin social facebook, njё portal ka postuar njё videoincizim ku nё rrugёn ‘Besnik Lajqi’ nё Pejё njё veture e tipit mercedes me targa tё Shtetit Gjerman, kishte bёrё kundёrvajtje duke bёrё tejlakimin e automjeteve/kolonёs nё krahun e djatht, mё pas shihet duke levizur nepёr trotuar duke u rikyqe serish nё shirit rrugor.

Ekipa e tafikut pёr qytet ka arritur ta identifikoje kundёrvajtesin tё cilit i ёshtё shqiptuar gjoba dhe me pelqimin e tij i ёshtё dyfishuar vlera e gjobёs pasi qё sipas Ligjit 08L-186, pёr rregullat e komunikaionit rrugor ia mundёson qё shoferi i cili posedon patent shofer tё njё vendi tё huaj qё mos ti ndalohet vozitja pёr tre muaj me pelqimin e tij ti bёhet dyfishimi i vlerёs monetare”, thuhet në njoftim.

Qytetari has në një mjet shpërthyes teksa po mblidhte fruta, tërhiqet nga FSK-ja dhe KFOR-i

NACIONALE

Një mjet shpërthyes është gjetur nga një person në Parkun Nacional në Luboten.

Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh ka bërë të ditur se derisa ishte duke mblehdur fruta, një person ka hasur në një mjet të dyshuar shpërthyes.

Më pas, FSK-ja dhe KFOR-i kanë bërë tërheqjen e mjetit pa incidente.

“Luboten, Parku Nacional 27.07.2026 – 12:16.Dëshmitari mashkull kosovar ka raportuar se derisa ka qenë duke mbledhur fruta-Boronica, në fushë ka hasur në një mjetë të dyshuar shpërthyes. Njësiti përkatës policor ka siguruar vendin e ngjarjes derisa njësiti për deminim i FSK-së dhe KFOR-it kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë tërheqjen e mjetit pa incidente”, thuhet në raport.

Dyshohet se është vjedhur një pllakë përkujtimore në Rahovec

NACIONALE

Një pllakë përkujtimore raportohet se është vjedhur në Rahovec.

Policia e Kosovës në raportin 24-orësh ka njoftuar se gjatë patrullimit, është vërejtur se persona të panjohur kanë vjedhur pllakën përkujtimore.

Rasti po hetohet nga policia.

“Rahovec / 2026 – NN. Më 27.07.2026 njësia policore gjatë patrullimit ka vërejtur se nga persona të panjohur, dyshohet se është vjedhur një pllakë përkujtimore. Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante policore”, thuhet në raport.

Vazhdon shtrenjtimi i naftës në Kosovë, MINT publikon çmimet maksimale për sot

NACIONALE

Rritja e çmimeve të derivateve të naftës në Kosovë po vazhdon.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për 24 orët e ardhshme.

Sipas njoftimit, çmimi maksimal i naftës (dizelit) është caktuar në 1.73 euro për litër, ndërsa benzina do të tregtohet me çmim maksimal prej 1.52 euro për litër.

Ndërkaq, çmimi maksimal i gazit është caktuar në 0.60 euro për litër.