- NACIONALE

Parashikimi i motit për fundjavë

NACIONALE

Nën ndikimin e masave ajrore relativisht të qëndrueshme, fundjava do të karakterizohet me mot kryesisht të kthjellët, me intervale me diell dhe vranësira të pakta.

Të shtunën do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13°C, ndërsa temperaturat maksimale të ditës do të arrijnë ndërmjet 28 dhe 33°C.

Të dielën parashihet mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13°C, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë nga 28 deri në 32°C.

Kroacia gati të rrisë praninë në KFOR mes planeve për reduktimin e trupave të NATO-s në Kosovë

NACIONALE

Kroacia është e gatshme të rrisë numrin e ushtarëve të saj në KFOR, në rast se reduktohet prania amerikane në Evropë.

Këtë e ka lënë të kuptohet ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anusiç, ndërsa burime diplomatike thonë se disa aleatë evropianë po shqyrtojnë mënyra për të mbushur boshllëkun që mund të krijohet nga një tërheqje e pjesshme e SHBA-së, raporton portali kroat Vecernji List.

Ndërkohë, NATO po planifikon të zvogëlojë numrin e trupave të KFOR-it në Kosovë nga rreth 4,700 në 3,000–3,500, duke e kthyer misionin në nivelin para vitit 2023.

Sekretari i Luftës i SHBA-së, Pete Hegseth, u ka kërkuar aleatëve evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit, duke paralajmëruar se Uashingtoni do të vlerësojë kontributin e secilit vend.

Behrami: Kuvendi nuk duhet të shkojë në pushim vjetor pa u krijuar institucionet, çdo vonesë i shërben Kurtit

NACIONALE

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar lidhur me procesin e konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve, duke kundërshtuar mundësinë që Kuvendi të shkojë në pushim vjetor pa u përmbyllur procesi i krijimit të institucioneve.

Përmes një postimi publik, Behrami ka deklaruar se “Kuvendi i konstituuar assesi nuk bën të shkojë në pushim vjetor”, duke paralajmëruar se çdo vonesë në krijimin e institucioneve i shërben interesave politike të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Ai ka pretenduar se Kurti do të insistojë që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen më 27 dhjetor, duke shtuar se për këtë arsye çdo shtyrje e krijimit të institucioneve është në interes vetëm të tij.

“Prandaj, çdo shtyrje e krijimit të institucioneve është interes vetëm i Kurtit – assesi i Kosovës”, ka shkruar Behrami.

Arrestohet në Han të Elezit i dënuari me pesë vjet burg për sulm seksual

NACIONALE

Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit një person të kërkuar me urdhër të gjykatës për vuajtjen e një dënimi me burg.

Sipas njoftimit policor, më 19 qershor 2026, rreth orës 17:10, policia ka pranuar informacione se një person i kërkuar ishte parë në fshatin Paldenicë.

Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë arritur ta lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin me inicialet M.B., 57 vjeç.

Policia ka bërë të ditur se ndaj tij ishte lëshuar urdhër nga gjykata për vuajtjen e dënimit me pesë vjet burgim për veprën penale “Sulm seksual”.

Pas përfundimit të procedurave të nevojshme në stacionin policor në Han të Elezit, i arrestuari është dërguar në institucionin korrektues përkatës për vuajtjen e dënimit.

\

Bekim Haxhiu kërkon rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së

NACIONALE

Kandidati për deputet nga Bekim Haxhiu ka bërë të ditur se ka paraqitur ankesë në Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputet të Partia Demokratike e Kosovës.

Përmes një reagimi publik, Haxhiu ka thënë se kërkesa e tij nuk bazohet në pakënaqësi me rezultatin zgjedhor, por në gjetjet e dala nga procesi i rinumërimit të zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas tij, rinumërimi i 185 vendvotimeve, që përfshin rreth 3.52 për qind të votave të PDK-së, ka dëshmuar se ka pasur gabime në numërimin fillestar. Ai pretendon se nga ky proces i janë shtuar gjashtë vota që nuk ishin numëruar më herët.

“Kur diferenca ndërmjet kandidatëve është vetëm 102 vota, çdo votë ka rëndësi dhe çdo pasaktësi mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar”, ka deklaruar Haxhiu.

Ai ka kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat e kandidatëve të PDK-së që nuk janë përfshirë në procesin e deritanishëm të rinumërimit, duke vlerësuar se vetëm një verifikim i plotë mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka fituar besimin e qytetarëve.

Haxhiu ka theksuar se besimi në procesin zgjedhor ndërtohet mbi transparencën, ligjshmërinë dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve, ndërsa ka kërkuar që PZAP të shqyrtojë ankesën në mënyrë të paanshme.

Ai gjithashtu ka deklaruar se më e rëndësishme se shpejtësia e publikimit të rezultateve zgjedhore është saktësia e tyre, në mënyrë që çdo votë të numërohet sipas vullnetit të shprehur nga qytetarët në zgjedhjet e 7 qershorit 2026.

Në fund, Haxhiu ka kujtuar se edhe në procesin e kaluar zgjedhor kishte ngritur pretendime për manipulime, duke thënë se edhe procesi aktual, sipas tij, ka deformime, për çka ka vendosur të paraqesë ankesë në PZAP.

'I kushtoi rreth 1 milion euro': Ministria e Drejtësisë nuk arriti ta renovojë kulmin e IML-së as pas dy vjetësh

NACIONALE

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur parregullsi dhe shkelje edhe në Ministrinë e Drejtësisë, e cila udhëhiqej nga Albulena Haxhiu. Në gjetjet e saj, ZKA ka evidentuar se Ministria nuk ka arritur ta përfundojë renovimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) as pas dy vjetësh, projekt ky i planifikuar të përfundonte për 150 ditë pune.

Siç thuhet në gjetjet e ZKA-së, projekti "Renovimi i Kulmit IML", me vlerë kontrate prej 814,229 eurosh, nuk është realizuar brenda afateve kontraktuale, duke shkaktuar vonesa në përmbushjen e obligimeve.

Kontrata ishte nënshkruar më 25.09.2024, me afat përfundimi prej 150 ditësh pune.

Sipas kontratës, projekti është dashur të përfundonte më 30.05.2025, mirëpo nuk ishte përfunduar as gjatë vitit 2026.

Vonesa në përfundimin e punimeve dhe tejkalimi i sasive të parapara

Sipas kushteve kontraktuale, janë përcaktuar afatet e realizimit të projekteve të kontraktuara bazuar në planin dinamik për përmbushjen e secilës kontratë.

Gjatë auditimit dhe verifikimit të gjendjes në terren, është konstatuar se projekti "Renovimi i Kulmit IML", me vlerë kontrate prej 814,229 eurosh, nuk është realizuar brenda afateve kontraktuale, duke shkaktuar vonesa në përmbushjen e obligimeve. Kontrata është nënshkruar më 25.09.2024, me afat përfundimi deri më 30.05.2025, përkatësisht 150 ditë pune, ndërsa projekti nuk ishte përfunduar as gjatë fazës së auditimit.

ZKA ka bërë të ditur se vonesa të tilla në realizimin e projekteve kanë çuar në vonimin e përfitimit të shërbimeve të planifikuara, si dhe kanë rritur rrezikun për shpenzime shtesë dhe kanë ndikuar negativisht në kontrollin e kostos financiare të projektit.

Vonesat në realizimin e projektit kanë rezultuar në mos përfundimin e punimeve brenda afatit kontraktual dhe shtyrjen e vënies në funksion të objektit të IML-së, duke vonuar përfitimin e shërbimeve të planifikuara. Ndërkohë, tejkalimet në disa pozicione krahasuar me paramasën kanë rritur rrezikun për shpenzime shtesë dhe kanë ndikuar negativisht në kontrollin e kostos financiare të projektit.

Ish-ministrja Albulena Haxhiu, para dy viteve kishte njoftuar për projketin përmes një postimi në Facebook.

Në shtator të vitit 2024, ajo kishte njoftuar se po ndërmerrte hapa konkretë për përmirësimin e infrastrukturës mjeko-ligjore, por projekti ende nuk ka përfunduar./Nacioanale

'Urgjent, të mos përdoret ky produkt' Zemaj 'alarmon', publikon bisedën e punëtorëve shëndetësorë

NACIONALE

Deputeti i zgjedhur, Armend Zemaj, ka ngritur alarmin lidhur me një produkt që përdoret në shërbimin publik shëndetësor.

Zemaj ka bashkëngjitur në postimin e tij një fotografi të një komunikimi mes punëtorëve shëndetësorë, ku kërkohet urgjentisht që produkti në fjalë të mos përdoret.

"Të nderuar kolegë, Nëse keni produktin Riger 500 ml me numër serie 1252149 dhe afat skadence 04/2028, duhet ta ndaloni distribuimin e tij dhe t’i njoftoni repartet për mos përdorimin e këtij produkti. Urgjente", thuhet në një shkëmbim mesazhesh mes punëtorëve shëndetësorë, të publikuar nga Zemaj.

Ky është postimi i plotë i Zemajt:

Prej kohësh kemi ngritur shqetësimet se korrupsioni dhe interesat e grupeve të caktuara farmaceutike kanë ushtruar ndikim të madh në Ministrinë e Shëndetësisë, të udhëhequr nga Arben Vitia, e deri te Komiteti Ekzekutiv i Albin Kurtit. Sipas gjendjes aktuale, degradimi dhe keqmenaxhimi në QKUK dhe në spitalet rajonale kanë arritur nivele shqetësuese.

Pacientët jo vetëm që përballen me mungesë të barnave për shkak të menaxhimit të dobët, shpërdorimeve ose vjedhjeve të mundshme, por ekzistojnë edhe shqetësime serioze lidhur me cilësinë dhe origjinën e disa barnave që futen në sistemin publik shëndetësor. Këto çështje kërkojnë hetim të plotë, dhe të pavarur nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të garantohet siguria e pacientëve dhe integriteti i sistemit shëndetësor.

Mos të flasim edhe për tenderët njëburimorë dhe çmimet e stërfryera në këto kohë, kur nuk ka mbikëqyrje parlamentare. Kjo qasje s’ka arsyetim, do hetim dhe përgjegjësi.

Qeveria në detyrë mban mbledhje, merren disa vendime

NACIONALE

Qeveria në detyrë ka mbajtur mbledhje elektronike.

Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, janë miratuar disa vendime:

- Miratuar vendimin për emërimin e Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

- Miratuar vendimin për emërimin e Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën Komisioner për Gjuhët.

- Miratuar vendimin për emërimin e Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

- Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr. 10/230, të datës 13 nëntor 2024, për themelimin e Komisionit për Vlerësimin e Sistemeve të Informacionit dhe Komunikimit me Rëndësi Strategjike.

- Miratuar vendimin për vazhdimin e mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, i themeluar me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 11/130, të datës 22.02.2023, i ndryshuar dhe i plotësuar me Vendimin Nr. 14/169, të datës 27.10.2023, Vendimin Nr. 19/218, të datës 28.08.2024, Vendimin Nr. 12/249, të datës 26.02.2025, dhe Vendimin Nr. 01/268, të datës 22.08.2025, Vendimin 10\280 të datës 19.12.2025, dhe Vendimin Nr. 16\05 të datës 19.03.2026, i vazhdohet mandati nga data 22.06.2026 deri me datën 22.09.2026.

MASh jep detaje për Testin e Maturës 2026: Ndalohen telefonat, testi nis në orën 10:00

NACIONALE

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se nesër do të mbahet Testi i Maturës Shtetërore 2026, afati i parë, në të cilin do të marrin pjesë 19,514 maturantë në 152 qendra të testimit në të gjithë vendin.

Sipas njoftimit, procesi i testimit do të administrohet nga 1,360 administrues, si dhe 750 kryetarë dhe anëtarë të komisioneve. Testi do të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë deri në orën 12:30.

Ministria u ka bërë thirrje të gjithë maturantëve që të paraqiten në qendrat e tyre të testimit më së largu deri në orën 09:00, në mënyrë që të përfundojnë me kohë procedurat e identifikimit dhe sistemimit në sallat ku do të zhvillohet testi.

Testi i Maturës Shtetërore 2026 do të zhvillohet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë kandidatët. Ai përmban gjithsej 100 pyetje, përkatësisht nga 25 pyetje për secilën prej katër lëndëve: gjuhën amtare, gjuhën angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore të përzgjedhur nga vetë kandidati.

MASh ka rikujtuar se posedimi i telefonave mobilë dhe i çdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit është rreptësisht i ndaluar. Çdo kandidat që konstatohet se ka me vete telefon apo pajisje elektronike do të largohet menjëherë nga testi, pavarësisht nëse pajisja është përdorur apo jo.

Ndërkaq, Qendra për Vlerësim ka bërë të ditur se janë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit, ndërsa administruesit dhe anëtarët e komisioneve janë trajnuar dhe pajisur me udhëzimet përkatëse.

Rrezikuan bisedimet SHBA-Iran: Arrihet armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut

NACIONALE

Është arritur armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut, ka raportuar CNN.

Sipas CNN, armëpushimi mes Izraelit dhe organizatës Hezbollah është arritur me ndërmjetësimin e SHBA-së dhe Katarit.

Duhet theksuar se Hezbollah vrau katër ushtarë izraelitë, ndërsa Izraeli iu kundërpërgjigj me një valë të re sulmesh në Liban sot (e premte), duke vrarë të paktën 21 persona, çka u rrëzikuan bisedimet mes Iranit dhe ShBA-së.

Irani menjëherë ka kërcënuar se marrëveshja me SHBA-në varet nga armëpushimi në Liban, siç thuhet në klauzolën fillestare të nënshkruar nga palët Iran–SHBA.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, fillimisht ishte planifikuar të udhëtonte për në Zvicër për një raund të parë bisedimesh teknike me Teheranin sot (e premte), por negociatat u shtynë pasi Irani kërkoi garanci se armiqësitë në Liban do të përfundonin. Vance ka kritikuar ofensivën e Izraelit si të tillë që ka rrezikuar negociatat e tensionuara.

Ndryshe, KËTU mund ta lëxoni marrëveshjen ShBA-Iran i përbërë nga 14 pika. /Nacionale