- NACIONALE

Banka Qendrore Evropiane paraqet modelet e propozuara për pamjen e re të euros

NACIONALE

Banka Qendrore Evropiane i ka prezantuar këtë të enjte propozimet e përzgjedhura për dizajnin e serisë së re të kartëmonedhave euro, duke nisur një konsultim publik që fton qytetarët në mbarë Evropën të shprehin opinionet e tyre deri më 21 shtator 2026.

Propozimet e përzgjedhura janë përzgjedhur pas një konkursi të dizajnit të organizuar në nivel të Bashkimit Evropian, në të cilin morën pjesë mbi 1,200 dizajnerë grafikë me aplikimet e tyre.

Kartëmonedhat aktuale euro do të vazhdojnë të kenë të njëjtën vlerë dhe do të mbeten në qarkullim së bashku me serinë e re. Ky do të jetë ridizajnimi i parë i plotë i kartëmonedhave euro që nga hyrja e tyre në qarkullim në vitin 2002.

Mes propozimeve të përzgjedhura janë përfshirë personalitete të njohura historike dhe kulturore, si Maria Sklodowska Curie, shkencëtarja e vetme që ka fituar Çmimin Nobel si në fizikë, ashtu edhe në kimi, kompozitori Ludwig van Beethoven dhe artisti Leonardo da Vinci.

Ardhja e mërgimtarëve, pritje deri në 1 orë nëpër pika kufitare

NACIONALE

Pritjet në pikat kufitare të Kosovës vazhdojnë të jenë të gjata, veçanërisht në Muçibabë dhe te Dheu i Bardhë.

Sipas të dhënave të fundit, në pikëkalimin kufitar të Muçibabës qytetarët po presin deri në një orë, si gjatë hyrjes, ashtu edhe të daljes nga Kosova.

Edhe te Dheu i Bardhë pritjet për dalje arrijnë deri në 60 minuta, ndërsa për hyrje zgjasin deri në 30 minuta.

Ndërkaq, në pikat kufitare të Hanit të Elezit dhe Vërmicës, pritjet janë më të shkurtra, duke lëvizur nga 10 deri në 15 minuta.

ShBA-ja u vendos taksa të reja prej 10 – 12,5 për qind rreth 60 shteteve

NACIONALE

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar taksa të reja ndaj mallrave që importohen në territorin e tyre nga dhjetëra shtete.

Taksat e reja, që lëvizin nga 10 deri në 12,5 për qind, kanë në shënjestër rreth 60 partnerë tregtarë, përfshirë Britaninë e Madhe, Bashkimin Evropian, Kanadanë, Japoninë dhe Indinë – për shkak të pretendimeve se këto vende kanë dështuar që ta ndalin si duhet punën e detyrueshme, raporton televizioni BBC.

Ky vendim është përshkallëzimi më i ri në luftën tregtare globale, e cila u rindez nga presidenti amerikan, Donald Trump, kur ai u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janarin e vitit të kaluar, thekson transmetuesi publik britanik.

Masa e re gjithashtu vjen pasi Gjykata Supreme e ShBA-së më herët këtë vit vlerësoi se shumë prej taksave të vendosura globalisht sipas kompetencave emergjente ishin zbatuar në mënyrë të paligjshme. Megjithatë, Trumpi është përpjekur që të bëjë manovra të tjera ligjore për ta çuar përpara politikën e tij tregtare.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, i cili argumenton se taksat e larta do ta rigjallërojnë prodhimin amerikan, vitin e kaluar e ndryshoi politikën amerikane të vjetër me dekada, me të cilën favorizoheshin taksat më të ulëta dhe tregtia gjithnjë më e lirë.

Britania i kundërpërgjigjet Iranit: Jemi të gatshëm ta mbrojmë vendin 24/7

NACIONALE

Britania ka thënë se forcat e saj të armatosura janë të gatshme që ta mbrojnë vendin nga cilido sulm, pasi Roja Revolucionare e Iranit lëshoi një paralajmërim kundër lejimit të fluturimeve të bombarduesve amerikanë nga bazat britanike.

“Forcat tona të Armatosura janë të gatshme që ta mbajnë të sigurt Mbretërinë e Bashkuar nga cilido lloj i sulmeve, qofshin ato në tokën tonë apo nga jashtë. Mbretëria e Bashkuar qëndron e gatshme 24 orë në ditë, 7 ditë në javë që ta mbrojë veten” – tha një zëdhënës qeveritar, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

“Këtu përfshihet [mbrojtja] përmes zbatimit të një qasjeje shtresore ndaj mbrojtjes ajrore dhe raketore, e ofruar nga asetet e Marinës Mbretërore, Ushtrisë Britanike dhe Forcës Ajrore Mbretërore, të pajisura me një varg kapacitetesh të avancuara, duke punuar ngushtë me aleatët tanë të NATO-s” – shtoi zëdhënësi.

Ditë më parë, Irani e paralajmëroi edhe Bullgarinë që të mos e lejojë shfrytëzimin e një baze ajrore nga forcat amerikane për operacione në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, deputetët bullgarë e miratuan propozimin qeveritar që lejon një gjë të tillë, pas kërkesës nga Ambasada e ShBA-së në Sofje.

Rënia e lirisë së mediave: Kusari thotë se kjo lidhet me veprimet e Vetëvendosjes

NACIONALE

Misioni faktmbledhës i Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve ka publikuar të hënën raportin me titull “Kosovë: Rikthimi i lirisë së mediave pas rënies”.

Sipas raportit, liria e medias në Kosovë është përkeqësuar si pasojë e ndërhyrjeve politike, sulmeve verbale ndaj gazetarëve dhe dobësimit të pavarësisë së institucioneve mediale.

Lidhur me këtë çështje ka folur në emisionin “Pressing”, Flutura Kusari, e cila tha se raporti e përmend në mënyrë specifike partinë në pushtet si një nga faktorët që ka ndikuar në këtë përkeqësim të lirisë së medias.

“Raporti flet qartë për rënie të lirisë së mediat në Kosovë sidomos në tri vitet e fundit. Kanë ndikaur shumë faktor, por përgjithësisht raporti tregon që ka të bëje me faktorin politik me qasjen e partisë në pushtet në raport me mediat. Partia në pushtet përmendet në mënyrë specifike”, ka thënë ajo.

“PDK nuk bëhet pjesë e takimeve që i ngjajnë serialeve latino-amerikane”: Hamza flet për bisedimet me Kurtin

NACIONALE

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka dhënë detaje pas takimit që pati para disa ditësh me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Hamza fillimisht u pyet se pse shkoi vetëm në takim:

"Jo more, unë atë çka kam me folë, e njoftoj kryesinë. Tek e fundit, nuk mundesh ti me njoftu kryesinë çka ki me folë, se varet qysh zhvillohet biseda, unë aty shkoj si kryetar i PDK-së.

Pse jam kryetar i PDK-së, përfaqësoj PDK-në, dhe konsideroj që e kam besimin e plotë të gjithë strukturave të PDK-së. Mund të shkoj vetëm, mund të shkojë edhe me dikë”.

Tutje, ai foli edhe për mungesën e ofertës serioze nga Kurti, derisa shtoi se “PDK nuk bëhet pjesë e takimeve që i ngjasojnë serive latino-amerikane”.

" Dhe për me i zbatu prioritetet, PDK ka nevojë, do garanci e garancia është pjesëmarrja në vendimarrje. Unë kam folë për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, jo pozitë. Vërehet që nuk ka ofertë serioze për PDK-në, nëse nuk të thotë që ke mundësi me bashkëqeverisë, kjo nuk është temë. Nuk të jep indikacione. PDK s’ia jep as nu kia kërkon askujt përkrahjen bllanko. Faktikisht asgjë nuk ofroi. S’ka ofertë, cila është oferta. E kam pyetur cila është oferta. Nëse nuk ka ofertë, në studio të juaj eksponentë të lartë të VV-së kanë deklaruar publikisht që nuk kanë qëllim me kriju institucione me PDK-në. Edhe? Nëse ti nuk do institucione me PDK-në. Shiko, i qëndroj asaj që e kam thënë gjithmonë, jo vija të kuqe, marrëveshje gjithëpërfshirëse politike për të gjitha institucionet. PDK nuk bëhet pjesë e takimeve që i ngjasojnë serive latino-amerikane me shumë episode.

Por, e kam deklaru që PDK në mungesë të ofertës serioze, pamundësisë që me gjetë në këtë fazë se di për të ardhmën, mundësi bashkëpunimi, deklaron se ne do të jemi parti në opozitë”, tha ai në Debat Plus.

Eskalon debati në Tëvë1: Një panelist i turret prof. Nexhit, ky e rrok tasin në dorë

NACIONALE

Ka eskaluar debati i mbrëmjes në televizionin Tëvë1.

Pas një përplasjeje me fjalë, një panelist u ngrit në këmbë dhe iu turr analistit Nexhmedin Spahiu.

Edhe ky u ngrit në këmbë dhe e rroku tasin me dorë.

Në atë moment regjia e ndërpreu pamjen, por në sfond ende dëgjoheshin fjalët.

Për më shumë, shikojeni videon më poshtë.

Aktakuza ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt konfirmohet edhe nga Apeli

NACIONALE

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke refuzuar ankesat e mbrojtjes së Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt për kundërshtimin e provave dhe hedhjen poshtë të aktakuzës për korrupsion.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Mujka, si ish-nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, dhe Muzliukaj, si ish-drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me këmbimin e pronës së ish-Bankosit me pronë private.

Mujka akuzohet edhe për mosdeklarim të 60 mijë e 50 eurove që iu sekuestruan në shtëpi, gjatë kohës sa ishte kryeshef ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, Apeli vlerësoi se aktakuza mbështetet në prova të mjaftueshme për të vazhduar procedura penale dhe se pretendimet e mbrojtjes do të shqyrtohen gjatë gjykimit, kur do të vendoset për fajësinë ose pafajësinë e të akuzuarve.

Vendimi i Apelit është marrë më 20 shkurt 2026, ndërsa të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 20 tetor 2025.

Kërkohet paraburgim ndaj serbit që importoi armë nga Serbia

NACIONALE

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgim ndaj një serbi nën dyshimet për “import, eksport dhe shitje të paautorizuar të armëve”.

Në një njoftim të publikuar në media, thuhet se armët janë importuar nga Serbia.

“Prishtinë, 23 Korrik 2026 - Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se, pas zhvillimit të hetimeve intensive dhe grumbullimit të provave materiale, më 22.07.2026, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar në flagrancë personi i dyshuar me inicialet Z.M., shtetas i Republikës së Serbisë, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materiale plasëse’’, nga neni 364 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, armët e zjarrit janë importuar nga Republika e Serbisë dhe më pas janë modifikuar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa sot më 23.07.2026, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë Gjykatës kompetente për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materiale plasëse’’, nga neni 364 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Të shtëna me armë zjarri në Prizren, një i plagosur

NACIONALE

Një incident me armë zjarri është raportuar sot rreth orës 17:00 në rrugën “Liman Shala” në Prizren, ku si pasojë një person ka mbetur i plagosur.

Sipas informacioneve të para nga policia, ngjarja ka ndodhur pas një fjalosjeje ndërmjet një personi të dyshuar dhe tre personave të tjerë. I dyshuari dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit të palës tjetër, duke shkaktuar plagosjen e një personi.

I lënduari është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka bërë të ditur se të gjithë personat e përfshirë janë identifikuar. Përveç të plagosurit, personat e tjerë janë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit rajonalë dhe njësia e forenzikës, të cilët po merren me grumbullimin e provave dhe sigurimin e dëshmive materiale.

Rasti është duke u hetuar në koordinim me Prokurorin e Shtetit për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivet e incidentit.