- NACIONALE

Kurti thotë se për të marrëveshja me Abdixhikun “është ende valide.”

NACIONALE

Marrëveshja e tij me Lumir Abdixhikun e LDK-së për kandidatin për president, Bekim Sejdiun, “për neve është ende valide,” ka thënë Albin Kurti i Vetëvendosjes.

Ai tha se me Abdixhikun mund të takohet edhe sot.

“Flasim në Prishtinë për këto çështjet tjera. Këtu jemi për eficiencë të energjisë. Por, natyrisht, siç kam thënë mbrëmë, do të zhvillojmë edhe takime dhe mbledhje. Për neve marrëveshja politike është valide”, tha ai.

Evropa në alarm nga kërcënimet ruse: Von der Leyen dhe Rutte koordinojnë përgjigjen ndaj Moskës

NACIONALE

Kërcnimi hibrid rus ka shkaktuar shqetësime të mëdha në mesin e liderëve të Bashkimit Europian. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të takohet të mërkurën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për të diskutuar përgjigjen e tyre të përbashkët ndaj kërcënimeve hibride të Moskës, pasi Gjermania fajësoi zyrtarisht Rusinë për një incident që përfshinte një dron të mbushur me eksploziv në një nga aeroportet e saj.

Krerët e Komisionit Evropian dhe Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) do të zhvillojnë bisedime në Bruksel të mërkurën në përgjigje të një sërë incidentesh të luftës hibride në Evropë gjatë verës, përfshirë një tentativë sulmi me dron në aeroportin e Leipzigut, të cilin qeveria gjermane ia atribuon zyrtarisht Rusisë.

Ne do ta mbajmë BE-në të bashkuar pavarësisht këtyre akteve të përshkallëzuara dhe serioze. Qeveria gjermane ka ndërmarrë masa të forta. Dhe mesazhi është i qartë, sulmet hibride nuk do të kalojnë pa një përgjigje të qartë. Ne jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë për t’iu kundërvënë agresionit rus. Ne do ta pengojmë këdo që përpiqet të minojë lirinë dhe sigurinë tonë. Rusia po përpiqet të mbjellë mosbesim dhe frikë në shoqëritë tona. Por ajo do të dështojë. Dhe ne do të qëndrojmë përkrah Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Nesër do ta diskutoj këtë çështje me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ndërsa çështja, përfshirë sanksione shtesë, do të përgatitet nga ministrat e Jashtëm në takimin e tyre të ardhshëm nën presidencën irlandeze” thuhet në reagimin që Von der Leyen ka bërë në X.

Takimi dypalësh me “një njoftim të shkurtër” u konfirmua nga Zëdhënësja Kryesore e Komisionit Evropian, Paula Pinho, e cila tha se takimi do të zhvillohet gjithashtu në kontekstin e forcimit të bashkëpunimit mbrojtës midis Evropës dhe NATO-s.

Një zyrtar i NATO-s i tha Euronews se takimi do të përqendrohej kryesisht në thellimin e koordinimit kundër kërcënimeve hibride.

Pasi Gjermania ia atribuoi zyrtarisht incidentin e 4 gushtit Rusisë, shefi i NATO-s, Rutte postoi një deklaratë në X , duke theksuar se NATO qëndron në solidaritet të plotë me Berlinin dhe "provat janë të qarta" se Rusia ishte fajtore.

NATO do të vazhdojë të forcojë aftësinë tonë për të penguar dhe mbrojtur të gjithë aleatët kundër çdo kërcënimi, duke përfshirë veprime të dëmshme si ato të vërejtura në Leipzig dhe gjetkë në të gjithë Aleancën”, tha ai.

Komentet e Von der Leyen erdhën pasi Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, njoftoi të martën se "mjetet për të kryer aktin" e një incidenti sabotimi me dron që ndodhi në gusht "dihet se përdoren nga operacione të tjera hibride të kryera nga Rusia dhe lufta e saj kundër Ukrainës".

"Prandaj, qeveria gjermane arrin në përfundimin se Rusia është përgjegjëse për sulmin hibrid në Leipzig më 4 gusht", tha ai.

Gjermania ka urdhëruar mbylljen e konsullatës ruse në Bon, ndërsa Shtëpia Ruse në Berlin do të mbyllet gjithashtu. Ministri i Punëve të Jashtme Johann Wadephul tha se veprimet e Rusisë janë pjesë e një "serie të gjatë përpjekjesh për destabilizim, dezinformim, kërcënime, sabotim dhe agresion të drejtuara ndaj Evropës".

Ambasada ruse në Gjermani ka lëshuar një deklaratë duke mohuar pretendimet e Berlinit dhe duke kërcënuar me "pasoja" për sanksionet e reja.

Më 4 gusht, një dron u gjet në zonën e sigurisë së Aeroportit Leipzig/Halle pranë një avioni mallrash ukrainas që përdorej për të transportuar furnizime ushtarake. Më vonë, një mjet i dytë ajror pa pilot u përplas gjithashtu me një avion, me ç'rast avioni nuk mundi të ulej.

Merz më parë është zotuar se do t’i përgjigjet incidenteve, me veprime të koordinuara midis aleatëve të BE-së dhe NATO-s.

Ministria e Jashtme ruse lëshoi ​​gjithashtu një deklaratë në fund të gushtit duke dënuar Evropën për fajësimin e Moskës, duke vënë në dukje se akuzat erdhën përpara se të përfundonte një hetim.

Evropa duhet të forcojë mbrojtjen nga kërcënimet hibride

Ndërkohë, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se Rusia po e godet Evropën me incidente hibride kinetike në rritje, duke synuar të na “trembë” dhe të na largojë nga mbështetja e Ukrainës.

Ata nuk do të kenë sukses”, tha ajo, pas një takimi ministror të mbrojtjes në Wicklow të Irlandës. Kallas tha se ishte e qartë se rreziqet nga këto incidente po rriteshin dhe “është e qartë se ne nuk po bëjmë mjaftueshëm për ta ndaluar këtë”.

Ministrja e Jashtme irlandeze Helen McEntee, duke mbajtur konferencën për shtyp së bashku me Kallas, tha se “mbështetja për Ukrainën dhe presioni ndaj Rusisë” mbetet thelbësore për presidencën gjashtëmujore të Irlandës në Këshillin e BE-së.

Tani po fillojmë të shohim kërcënime të materializohen që në 24 orët e fundit, ku kolegët tanë në Rumani, Letoni dhe Estoni, dhe sigurisht Gjermani, kanë folur për ndërhyrje në hapësirën e tyre ajrore, por edhe në territorin e tyre tokësor”, tha ajo.

Rumania dhe Estonia raportuan të martën ndërhyrje me dronë. Disa pajisje shpërthyese të improvizuara u gjetën pranë termocentralit me qymyr në Gjermani gjithashtu të martën.

Gjatë hyrjes në bisedime, Ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, tha se Evropa duhet të përgatitet për më shumë incidente të luftës hibride ruse.

Ata po e testojnë gjithmonë këtë prag -ku është kjo vijë e kuqe”, tha ai.

BE i bën thirrje Kosovës të ketë dialog efikas mes partive për formim të institucioneve

NACIONALE

BE-ja ka kërkuar që procesi i konstituimit të institucioneve në Kosovë të vazhdojë pa vonesa, duke respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Formimi i institucioneve do t’i mundësonte Kosovës të përfitonte plotësisht nga mundësitë që ofron rruga e anëtarësimit në BE”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së për Front Online.

BE-ja ka kërkuar gjithashtu dialog konstruktiv ndërmjet partive dhe zbatim të reformave të kërkuara nga qytetarët.

“Vetëm një dialog efikas dhe konstruktiv ndërmjet partive” do t’i mundësonte Kosovës të avancojë drejt objektivave të saj.

Muharremi: LDK nuk është më vetja, duket si një degë e LVV-së e ngjashëm sikur GUXO,

NACIONALE

Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar situatën brenda LDK-së pas dakordimit mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për kandidatin presidencial.

Muharremi ka akuzuar Kurtin se ka arritur të përçajë LDK-në përmes kësaj marrëveshjeje.

“LDK nuk është më vetja, duket si një degë e LVV-së e ngjashëm sikur GUXO, asgjë më shumë”, ka shkruar ai.

Sipas Muharremit, çështja e presidentit është pjesë e një strategjie politike për zgjedhje të reja.

Ai e ka cilësuar Kurtin si “kasapi i LDK-së”.

Djali kanos babanë pas një mosmarrëveshjeje në Prishtinë

NACIONALE

Të martën, në Prishtinë, një burrë është kanosur nga djali i tij pas një mosmarrëveshjeje.

Sipas Policisë, i dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti është iniciuar si “Dhunë në familje dhe kanosje”.

“DHUNË NË FAMILJE&KANOSJE

Prishtinë 01.09.2026, 14:40. Është raportuar se viktima mashkull kosovar, pas një mosmarrëveshje është kanosur nga djali i tij. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Kurti duke e “shtrydhur” LDK-në, Musliu e PDK-së “thumbon” partinë e Abidxhikut

NACIONALE

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka komentuar raportet e LDK-së me liderin e VV-së, Albin Kurti.

Me anë të një fotografie ajo ka thumbuar partinë e Lumir Abdixhikut.

Në “WhatsApp”, ajo ka postuar një “meme”, e cila flet për qëllimet jo të mira të Kurtit ndaj LDK-së.

Fotografia në fjalë flet se si Kurti po shfrytëzon LDK-në.

Hap profil të rremë në emër të një gruaje, arrestohet i dyshuari në Lipjan

NACIONALE

Policia ka arrestuar një burrë në fshatin Janjevë të Lipjanit, nën dyshimin se ka hapur profile të rreme në emër të një gruaje.

Sipas Policisë, i dyshuari është intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. Rasti është cilësuar si “Hyrje në sistemet kompjuterike” dhe ka ndodhur më 1 shtator 2026, rreth orës 09:50.

“Fsh. Janjevë, Lipjan 01.09.2026-09:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën e lartcekur, duke hapur profile false në emër të viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në rapotin e policisë.

Durmishi i VV-së flet si kryetar i KQZ-së: Do të angazhohem maksimalisht që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike

NACIONALE

Anëtari i VV-së në KQZ-së, Hysen Durmishi, ka komentuar zhvillimet e fundit.

Ai ka thënë se opozita nuk e ka problem presidentin, por kryeministrin.

Në profilin e tij në Facebook, Durmishi ka dhënë në zotim të çuditshëm.

Ai ka thënë se do të angazhohet maksimalisht që zgjedhjet e reja të jenë të lira dhe demokratike.

“Zgjedhjet e reja janë të panevojshme, por nëse doni zgjedhje, atëherë nuk ka problem. Problemin nuk e keni te Presidenti, por te Kryeministri. Ama, Kryeministrin e përcakton vota e qytetarëve. Unë vetëm një gjë mund t’ju garantoj: do të angazhohem maksimalisht që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike”, ka shkruara ai.

Xhelal Sveçla shpallet fajtor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

NACIONALE

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shpallur fajtor për akuzat lidhur me përdorimin e armës dhe hedhjen e bombolës së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Dënimi për veprën penale pritet të shpallet më 8 shtator.

Rasti lidhet me ngjarjen e 21 marsit 2018, gjatë seancës për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Sveçla ishte deklaruar i pafajshëm, duke thënë se veprimi kishte qenë politik.

Gjykata ndërkohë ka vendosur që procedura ndaj Sveçlës të ndahet nga ajo ndaj ish-deputetëve të Vetëvendosjes, Drita Millaku, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Salih Zyba.

PDK e Aleanca sërish i bëjnë thirrje VV-së për seancën: Kurti po bllokon institucionet

NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vazhduar edhe sot me aksionin simbolik para Qeverisë, në shenjë revolte për moskrijimin e institucioneve të reja. Opozita ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj, Albin Kurtin, se po e mbajnë peng Kuvendin dhe procesin e konstituimit të institucioneve.

Për bllokaden instuticionale, ka folur deputetja e PDK-së, Blerta Deliu si dhe deputeti nga Aleanca. Burim Ramadani.

Deliu tha se Kosova po përballet me ditë të rënda pa institucione, ndërsa theksoi se janë tejkaluar afatet kushtetuese e ligjore.

Ajo u bëri thirrje Kurtit dhe kryesuesit të seancës, Glauk Konjufcës, që ta ftojnë seancën dhe të vazhdohet me konstituimin e Kuvendit.

Sipas saj, bllokada institucionale po e dëmton vendin dhe po shkakton pasoja për qytetarët. Deliu kërkoi që Kurti “ta lërë egon” dhe t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja, duke shtuar se pas konstituimit të Kuvendit mund të procedohet edhe me zgjedhjen e presidentit, nëse sigurohen votat e nevojshme.

“Se jemi sot këtu bashkë me kolegët deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës, po ashtu jemi edhe me asamblistët e Drenasit. Natyrisht, po e shprehim prapë shqetësimin tonë, sepse Kosova po i kalon ditët e saj më të rënda, pa institucione. Ju e keni parë dhe jeni dëshmitarë të deklarimeve të kryesuesit të seancës plenare, zotit Dehari, i cili kur diskutonte për thirrjen e seancës, kërkonte që të ketë një marrëveshje politike. Mbrëmë qartazi e pamë të gjithë: nuk ka marrëveshje politike dhe Albin Kurti nuk po e thërret seancën.Prandaj, edhe sot e përsërisim thirrjen tonë që e bëjmë tash e sa kohë. Albin Kurti duhet ta ftojë seancën, të kthehet në Kuvend, t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja. E thashë dhe po e ripërsëris: janë ditë të rënda që po i përjeton qytetari i Kosovës. Kosova po stagnon në të gjitha drejtimet e saj. Dje e kemi parë një protestë në sheshin e qytetit ku komunat e Kosovës, qytetarë nga të gjitha komunat kanë protestuar për shkak të diskriminimit dhe qasjes joserioze që po e bën Albin Kurti dhe përfaqësuesit e partisë së tij.Prandaj, kërkesa jonë sot është që ta lërë njëherë e përgjithmonë egon e tij, t’i kthehet krijimit të institucioneve të reja dhe ta ndalë bllokadën politike që po e bën si parti që ka marrë besimin më të madh të qytetarëve të Kosovës. Ia kemi borxh këtij vendi, ia kemi borxh gjeneratave të reja, por mbi të gjitha ia kemi borxh Kosovës që t’i hapim rrugë krijimit të institucioneve të reja, dhe thirrja ime sot është që zoti Dehari ta ftojë seancën sepse nuk ka më kohë për të pritur.Kemi tejkaluar çdo afat kushtetues, çdo afat ligjor dhe jemi përtej çdo norme demokratike e kushtetuese. Prandaj po e përsëris: kthehuni në seancë, konstituoni Kuvendin, pastaj mundësitë janë që ai, nëse i ka votat, të procedojë me zgjedhjen e presidentit”, tha Deliu.

Ndërsa, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka thënë se opozita do të vazhdojë të qëndrojë dhe të rezistojë në mbrojtje të Kushtetutës, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në Kosovë.

Ramadani ka akuzuar pushtetin se, sipas tij, qëllimi ka qenë që vendi të dërgohet në zgjedhje përmes “lojërave politike”, duke e cilësuar këtë si në kundërshtim me demokracinë dhe rendin kushtetues.

Ai tha se Aleanca, së bashku me PDK-në dhe qytetarët e Kosovës, nuk do ta pranojnë një situatë ku, “një njeri, sikurse është Kurti, është edhe kryeministër, edhe president, edhe parlament, edhe gjithçka”.

“Ne nuk e pranojmë këtë, nuk do ta pranojmë dhe për këtë besoj që qytetarët do t’i japin përgjigjen së shpejti”, ka deklaruar Ramadani.