- NACIONALE

Hoti beson në gjetjen e një presidenti "të pranueshëm për të gjithë"

NACIONALE

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se ekziston hapësirë politike për zgjedhjen e një presidenti të pranueshëm për të gjitha palët.

“Unë besoj që ka hapësirë në mes të gjitha forcave politike për t’i dhënë vendit një president që është i pranueshëm për të gjitha palët”, tha Hoti.

Ai shtoi se LDK-ja është e gatshme të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhjeje për presidentin.

Ura e Ibrit, Gashi: Tash rreziku juridik është më i madh dhe bisedimet më të ndjeshme, duhet strategji e përgjegjësi shtetërore

NACIONALE

Pas njoftimin nga Bashkimi Evropian se konsiderojnë kushte të pjekura për hapje të Urës së Ibrit për qarkullim të veturave, ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Ai tha se tash “rreziku juridik është më i madh.”

Gashi shtoi se duhet strategji dhe përgjegjësi shtetërore.

Postimi i plotë:

Kur thoja se gjendja faktike në veri ka ndryshuar, dhe se detyra jonë është ta ruajmë këtë status quo të re, ta përmirësojmë dhe njëkohësisht të luftojmë për ta forcuar pozitën juridike të Kosovës, shumëkush më sulmonte, madje edhe nga brenda.

Sot, rreziku juridik është më i madh se më parë. Bisedimet janë më të ndjeshme e më të rrezikshme. Ndërsa arkitektura e sigurisë botërore po ndryshon dhe kjo do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në rajonin tonë.

Prandaj Kosovës i duhet maturi, strategji dhe përgjegjësi shtetërore.

Duhet ta ruajmë atë që kemi arritur, ta forcojmë pozitën tonë juridike e ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, të jemi të përgatitur për çdo zhvillim.

Raportet speciale me aleatët nuk janë luks politik. Janë interes jetik dhe garanci e sigurisë së Kosovës.

Në kohë pasigurie, shteti nuk udhëhiqet me emocione. Udhëhiqet me vizion, maturi dhe guxim.

Prandaj na duhen institucione të fuqishme, me vizion të qartë dhe program konkret politik, ekonomik dhe të sigurisë.

Kosova nuk ka nevojë për improvizim. Ka nevojë për shtet që mendon përpara, që parashikon rreziqet dhe që di t’i mbrojë interesat e saj.

Aleanca dërgon në Prokurori 18 vendimet e fundit të Qeverisë, Tahiri: Kjo qeveri nuk ka legjitimitet

NACIONALE

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se kjo parti do ta dërgojë në Prokurori çështjen e vendimeve të fundit të Qeverisë në detyrë.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se 18 vendimet e fundit janë të kundërligjshme.

Sipas tij, Qeveria Kurti nuk ka legjitimitet për të ndërmarrë veprime të tilla.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë 18 vendime duke themeluar 18 komisione dikund, dikund me njerëz të njëjtë, për me i emëru në agjenci ekzekutive, në agjenci qeveritare, në një pozitë si sekretar permanent në një kohë kur kjo qeveri është në detyrë, kur kjo qeveri nuk ka legjitimitet, kur kjo qeveri është duke e bllokuar shtetin, kur këta ministra e shkelin ligjin për qeveri, duke ardhur te u betu si deputetë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe prej këtu duke hyrë për detyrën e duhurën e tyre dhe duke shkuar në ministri. Pra, në qoftë se e shohim ligjin për qeveritë që e kam këtu, neni 31 që flet për kufizimet e qeverisë në dorëheqje, e neni 1.3 thotë kështu”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.

“Procedura të reja për emërimin në pozita publike për emërimin e të cilave është kompetencë në bazë të ligjeve përkatëse. Le që po vazhdojnë me bë emërimet. Le që po vazhdojnë me bë Komisionet mirëpo edhe po përgatiten që jo vetëm në nivel politik të shkeljes së ligjit të betimit deputetit, ta shkelin kushtetutën, mirëpo po ashtu edhe në administratë të shtetit”, ka thënë ai.

Kurti injoron pyetjet e gazetarëve për situatën politike në vend

NACIONALE

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka injoruar pyetjet e gazetarëve për zhvillimet e fundit politike në vend.

Duke refuzuar pyetjet e gazetarëve për bllokadën institucionale, ai ka folur për projektin e Parkut Industrial në Livadicë të Podujevës, ku ka marrë pjesë sot.

“Kryesorja është 30 hektarë, 4.6 kilometra rrugë, qendra e kompetencës në anën tjetër edhe 350 ditë punë, parku industrial në Livadicë po mbyllet, urime të gjithëve për këtë gurthemel”, ka thënë Kurti.

Deliu-Kodra, Kurtit: Nuk ke mandat ta mbash shtetin peng

NACIONALE

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka vlerësuar së Albin Kurti nuk ke mandat për të mbajtur peng shtetin e Kosovës.

Ajo e ka ftuar edhe një herë liderin e VV-së që të konstituoi Kuvendin e Kosovës.

Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se Kushtetuta është mbi të gjithë.

“Edhe sot para Qeverisë, për t’ia thënë troç: Albin Kurti, nuk ke mandat ta mbash shtetin peng! Hajde në Kuvend, ndale bllokadën dhe hape rrugën për rikthimin e rendit kushtetues. Institucionet e Kosovës nuk mund të sakrifikohen për interesin dhe kalkulimet e një njeriu. Kushtetuta është mbi ty. Shteti është mbi pushtetin tënd”, ka shkruara ajo.

Hamiti: Kurti me VV-në po e përmbys kulturën politike dhe shtetërore që e ka ndërtuar Rugova dhe të tjerët

NACIONALE

Zyrtari i lartë i VV-së, Muhamet Hamiti, ka vlerësuar se Albin Kurti po e përmbys kulturën politike dhe shtetërore që është ndërtuar për vite të tera.

Ai ka bërë me dije se ajo tani po rrënohet ajo që është ndërtuar me vite nga ish-presidenti Ibraim Rugova dhe liderët tjerët politik që erdhën në pushtet pas tij.

Në profilin e tij në Facebook, Hamiti ia ka numëruar dëmet që VV-ja ia ka sjell Kosovës.

“Albin Kurti me Vetëvendosjen e vet (VV) po e përmbys kulturën politike dhe shtetërore që e ka ndërtuar Kosova me Presidentin Ibrahim Rugova dhe të tjerët që erdhën në pushtet pas tij, para dhe pas pavarësimit të Kosovës. VV-ja e Albin Kurtit e quante Ibrahim Rugovën kolaboracionist të Serbisë në ditën kur Presidenti i parë i Kosovës u varros me nderime të larta nga qindra mijëra shqiptarë dhe miq nga mbarë bota. VV-ja nuk festoi kur Kosova e shpalli pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008. Kurti, Konjufca, Haxhiu e të tjerë, aktualisht deputetë që ushtrojnë pushtet ekzekutiv në këtë shtet në emër të VV-së, nuk shihnin arsye pse të festohej shteti. Pushtetin e deshën dhe ia dolën ta marrin më në fund dhe ta ruajnë, tash me shkelje kushtetuese serike dhe me nëpërkëmbje të rendit demokratik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Shteti i Kosovës është paralizuar”, ka shkruar ai.

Punëtori i KEK-ut humb jetën në aksident në zonën e ekskavatorit

NACIONALE

Punëtori i KEK-ut, Haxhi (Selatin) Gojnovci, ka humbur jetën më 16 gusht, rreth orës 20:30, pas një aksidenti në vendin e punës.

Gojnovci, teknik i xehtarisë në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, ishte pjesë e KEK-ut që nga viti 1985.

Sipas KEK-ut, aksidenti ndodhi derisa ai po lëvizte në zonën e ekskavatorit.

Korporata i ka shprehur ngushëllime familjes, ndërsa ka njoftuar se varrimi do të bëhet publik pas përfundimit të procedurave mjeko-ligjore.

Haliti: VV-ja nuk është e interesuar për koalicion, e më së paku me PDK-në

NACIONALE

Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka deklaruar se Albin Kurti nuk ka bërë ofertë publike për koalicion.

“Ashtu siç nuk e ka as PDK-ja ndonjë ofertë të deklaruar”, tha Haliti.

Sipas tij, Vetëvendosje nuk është e interesuar për koalicion, “në këtë rast më së paku me PDK-në”.

Haliti tha se e mbështet çdo koalicion për të cilin ekziston marrëveshje, por nuk mund ta detyrojë PDK-në të hyjë në të.

Këto janë çmimet e naftës për sot

NACIONALE

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për sot.

Sipas njoftimit të MINT-it, çmimi maksimal i naftës është 1.76 euro për litër.

Ndërkaq, benzina do të tregtohet me çmim maksimal prej 1.50 euro për litër, ndërsa gazi me 0.62 euro për litër.

Këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00 dhe do të vlejnë për 24 orët e ardhshme.

Eliza Hoxha e PDK-së e quan Kurtin “uzurpator”

NACIONALE

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e ka akuzuar Albin Kurtin se po qëndron “ilegalisht” në pozitën e kryeministrit.

“Zotëri Kurti duhet ta kuptojë që në vend se ta sabotojë Kuvendin, të vijë aty të krijojë mundësi për ta konstituuar Kuvendin”, tha Hoxha.

Ajo shtoi se Kurti “sot qëndron si uzurpator në zyrat e kryeministrit”, duke kërkuar kthimin e tij në Kuvend.