- NACIONALE

Zelensky thotë se ka nisur hetimi pas përleshjes mes dy agjencive ukrainase të sigurisë

NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të enjten se një hetim do të përcaktojë se çfarë e shkaktoi përshkallëzimin në të shtëna të një mosmarrëveshjeje mes dy agjencive ukrainase të sigurisë në Kiev këtë javë që la të lënduar tre pjesëtarë të Drejtorisë së Inteligjencës Ushtarake, HUR, e cila është pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Mosmarrëveshja ka të bëjë me zhdukjen për nëntë ditë të një aktivisti nacionalist rus që po luftonte krahas trupave ukrainase në luftën kundër Rusisë, raporton agjencia "Reuters".

Nacionalisti tha se ai ishte ndaluar nga Shërbimi i Sigurisë SBU dhe ishte detyruar që të nënshkruante një rrëfim se ai kishte bashkëpunuar me inteligjencën ruse. Ai më vonë e tërhoqi deklaratën.

Përleshja në rrugë ndodhi të martën në qendër të Kievit, pasi ishte bastisur shtëpia e aktivistit në kryeqytet. Oficerët e SBU-së shkrepën armë në drejtim të njësitit të HUR-it. SBU-ja ka thënë se ishte duke vepruar për të parandaluar një komplot të frymëzuar nga Moska për të vrarë aktivistë kundër Kremlinit në Kiev.

“Është me rëndësi që e vërteta të dalë në shesh dhe që situata si kjo të mos ndodhin prapë” – tha Zelensky në video-adresimin tradicional të mbrëmjes.

“Ora e Pritjes” për çlirimtarët fillon edhe në Drenas

NACIONALE

Të enjten në Drenas ka filluar “Ora e Pritjes” për çlirimtarët që ndodhen në Hagë.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci ka thënë se Ora e Pritjes u vendos në sheshin “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”.

“Krah shtatores së Fehës dhe Xhevës, “Ora e Pritjes” do të shënoj rrjedhën mbrapa të sekondave, minutave, orëve dhe ditëve, deri te vendimi lirues për heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashimin, Kadriun, Jakupin dhe Rexhën.

Ora e lirisë për çlirimtarët, është peshë e pamatshme mbi shpirtin atdhetar, peshë mbi mendjen e kontribuesve të çlirimit të Kosovës, është pritje për drejtësi.

Heronjtë tanë të luftës dhe paqes, e kurorëzuan përpjekjen tonë shekullore për liri, bashkë me NATO- dhe Amerikën, andaj, sot e përgjithmonë, historia nuk rishkruhet”, ka shkruar ai.

Rama e pranon flamurin e Lojërave Mesdhetare, do ta sjellë në Prishtinë

NACIONALE

Përparim Rama, kryetar i kryeqytetit, e ka pranuar flamurin e Lojërave Mesdhetare në Taranto të Italisë.

Flamuri më pas do të sillet në Prishtinë.

Këtë moment Rama e publikoi në rrjete sociale. Aty dëgjohet edhe intonimi i himnit të Kosovës.

“Çfarë emocioni, çfarë krenarie! Urime Prishtinë, urime Kosovë” – shkroi Rama.

Zemaj paralajmëron: Ka edhe deputetë të tjerë që kanë mendimin e vetë, i shihni veprimet në të ardhmen

NACIONALE

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka paralajmëruar se përveç deputetëve që tashmë kanë bërë publike qëndrimet e tyre, ka edhe deputetë të tjerë, veprimet e të cilëve, sipas tij, do të shihen në të ardhmen.

“Ka edhe deputetë të tjerë, i shihni edhe veprimet e tyre në të ardhmen. Ka edhe deputetë të tjerë që e kanë mendimin e vetë”, tha Zemaj.

Ai u pyet në “Pressing” nëse me këtë deklaratë po nënkupton se ende nuk dihen veprimet dhe qëndrimet e 12 deputetëve të tjerë të LDK-së.

“Ka pak edhe sentimet personal, nuk mundesh me anashkalu faktin që se 20 vjet disa jemi bashkë aty. Edhe këtë duhesh me pas pak parasysh”, tha Zemaj.

Ndërsa, duke folur për raportet me partnerët politikë, Zemaj tha se nuk dëshiron të jetë pjesë e një partneriteti ku do të ndihej i nënshtruar.

“Nuk bëhem pjesë e një partneriteti ku unë jam i nënshtruar”, tha ai.

“Duhesh me u ndalë”: Vjosa Osmani nervozohet me pyetjet e gazetarit Adriatik Kelmendi

NACIONALE

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani është nervozuar me pyetjet e gazetarit Adriatik Kelmendi gjatë një intervistë që kjo po e jep aktualisht në emisionin “Rubikon”.

Osmani është përballur me pyetje nga gazetari në lidhje me mënyrën se si i menaxhuan ajo dhe Lumir Abdixhiku negociatat me Vetëvendosjen rreth emrit të presidentit.

“Për këtë po e them, mosmenaxhim i mirë i procesit po ju len juve si LDK duke e shigjetuar njëri tjetrin”, u shpreh gazetari.

Këtu ndërhyu Osmani duke thënë: “Tash je tu folë veç vet, duhesh me u ndalë. S’je tu më lanë hapësirë me u përgjigj”.

“A mund të shtroj pyetje apo s’mund?”, tha Kelmendi.

“Tanë kohën po jep konstatime pa ma dhënë mundësinë për me u përgjigj”, u shpreh Osmani më pas.

Vance thotë se ShBA-ja po e heton sulmin ajror për të cilin Irani thotë se goditi një dasmë

NACIONALE

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, të enjten tha se vendi i tij është duke hetuar një sulm ajror për të cilin Irani thotë se ka goditur një dasmë në Iran.

“Ne jemi duke e hetuar këtë, sepse sigurisht se na intereson. Duam të dimë” – tha Vance para gazetarëve gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Nëse bëjmë gabime, sërish, ky është një dallim i madh mes nesh dhe Iranit. Kur ushtria jonë bën gabime, ata mësojnë prej tyre në përpjekje për t’u mirë më të mirë nga to” – shtoi numri dy i Shtëpisë së Bardhë.

Zyrtarët iranianë thonë se katër njerëz vdiqën dhe gati 70 të tjerë u plagosën nga një sulm që goditi një shtëpi gjatë dasmës.

Televizioni shtetëror iranian raportoi të enjten se personi i pestë, një grua 22-vjeçare, ka vdekur më pas në spital.

Ushtria amerikane ka thënë se është e vetëdijshme për raportimet iraniane, por se “kurrë nuk vë në shënjestër civilë”.

Çitaku pasi Vuçiq tha se “e frikëson Marshi për Liri”: Ty, Serbinë e armiqtë e Kosovës ju frikëson verdikti në Hagë

NACIONALE

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se Aleksandër Vuçiq dhe armiqtë e tjerë të vendit frikësohen nga verdikti në Hagë.

Kjo deklaratë e saj vjen pasi Vuçiq tha se “e frikëson Marshi për Liri”.

“Vuçiq paska thënë se e frikëson Marshi për Liri.

Deksha n’lloç.

Ty, Serbinë e armiqtë e Kosovës nuk ju frikëson marshi. Ju frikëson verdikti në Hagë.

Juve ju frikëson e ju tmerron fakti i pamohueshëm se një popull i vogël, të cilin jo vetëm që jeni përpjekur ta shfarosni, por edhe e keni përbuzur politikisht e kulturalisht, ju ka mundur”, ka shkruar ajo.

Çitaku tutje ka thënë se Kosova është e shtet, dhe se lufta e UÇK-së ishte e drejtë.

“Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë. Luftë për liri e mbijetesë. NATO ka ndërhyrë për të na dalë në ndihmë dhe për t’i dhënë fund një katastrofe humanitare.

Këtë histori nuk e zhbëni dot. As me propagandë, as me viktimizim, as me frikë nga marshet tona.

Kosova është e lirë.

Move on”, ka shkruar ajo.

Kujtim Shala: Njerëzit e lirë, përcaktues të rrugës së përjetshme të LDK-së

NACIONALE

Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, ka bërë edhe një reagim lidhur me zhvillimet ne këtë parti.

Gjashtë deputetë, përfshirë edhe Shalën, kanë deklaruar se nuk do të votojnë për Bekim Sejdiun për postin e Presidentit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar këta deputetë, duke thënë se nuk po e respektojnë vullnetin e shumicës.

Shala ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar edhe një fotografi nga një tubim i LDK-së.

“Njerëzit e lirë, përcaktues të rrugës së përjetshme të LDK-së”, ka shkruar ai.

Trupi i kriminelit Mladiq kthehet në Serbi me aeroplan qeveritar

NACIONALE

Një aeroplan qeveritar serb e solli të enjten në Beograd trupin e ish-komandantit ushtarak, Ratko Mladiq, i cili vdiq javën e kaluar duke e vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm në Hagë për krime lufte. Pritet që funerali për të të jetë i madh.

Mladiqi, i cili ishte i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë luftës së Bosnjës në vitet 1992 – 1995, vdiq javën e kaluar në një objekt ndalimi të OKB-së në Hagë në moshën 84-vjeçare, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Aeroplani aterroi në aeroportin e Beogradit pak para orës 18:00. Arkivoli ishte i mbështjellë me falmurin serb. Në aeroplan ndodheshin i biri dhe mbesa e Mladiqit si dhe ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq.

Ushtarët serbë e bartën arkivolin deri te një minibus i kuq, për të cilin mediat serbe thanë se do ta dërgonte trupin në një spital ushtarak, ku do t’i bëhet autopsia në fundjavë.

Një ministër qeveritar serb kishte thënë fillimisht se Mladiqit do t’i mbahej funeral shtetëror, por pas kritikave nga udhëheqësit evropianë, qeveria serbe nuk ka konfirmuar një gjë të tillë.

Deliu-Kodra: S’do të qëndrojmë duarkryq, do të kërkojmë kthimin e rendit kushtetues

NACIONALE

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e interpreton Kushtetutën në mënyrë që i përshtatet atij.

E ftuar në emisionin “DPT Te Fidani” në Klan Kosova, Deliu-Kodra tha se PDK-ja nuk do të qëndrojë pasive dhe se do të angazhohet për rikthimin e rendit kushtetues në vend.

“Mënyra qysh lexohet Kushtetuta prej Albin Kurtit është mënyrë qysh atij i konvenon. 30 ditëshi ka qenë i qartë, 30 ditëshi ka kaluar dhe tash ne jemi jashtë afatit. Kur e shoh sot përpjekjen që Albin Kurti me imponu një rend të ri edhe kushtetues, edhe ligjor, edhe shoqëror, unë nuk befasohem që ai ka me u sjellë në afate të reja, me u thirrë në afate të reja. Ne s’kemi me qëndru duarkryq, të jeni të bindur që kemi me kërku si Parti Demokratike e Kosovës, si deputetë që kemi marrë besim e mandat, si forca e parë opozitare, deri në fund kthimin e rendit kushtetues dhe veprimet tona brenda Kuvendit të jenë në harmoni me mandatet që na kanë dhënë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Më tej, Deliu-Kodra u shpreh se asnjë përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund ta ndalë vullnetin dhe mandatin e deputetëve të zgjedhur nga qytetarët.

“Nuk mundet as Albin Kurti, as Avni Dehari, as asnjë eksponent i Lëvizjes Vetëvendosje me e ndalë vullnetin dhe mandatin me të cilin na kanë ngarkuar qytetarët”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.