Policia merr masa për Marshin e Lirisë, paralajmërohen bllokime të disa rrugëve
4 orë më parë
10:36
NACIONALE
4 orë më parë
10:36
Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë për mbarëvajtjen e marshit solidarizues paqësor që do të mbahet sot, më 12 shtator, duke filluar nga ora 14:00.
Sipas Policisë, marshi do të zhvillohet në sheshet kryesore “Zahir Pajaziti”, “Nëna Terezë” dhe “Skënderbeu”, ndërsa qëllimi i masave policore është garantimi i sigurisë së pjesëmarrësve, qytetarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Policia ka njoftuar se do të angazhojë njësi të ndryshme policore për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, si dhe për të siguruar që marshi të zhvillohet pa incidente.
Për shkak të lëvizjes së pjesëmarrësve, pritet të ketë kufizime dhe ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa nga rrugët e prekura nga aktiviteti. Njësitë e trafikut do të jenë të angazhuara për të orientuar qarkullimin, në rast se paraqitet nevoja për përdorimin e rrugëve alternative.
Sipas planifikimit policor, rrugët që pritet të bllokohen për qarkullim janë “Agim Ramadani”, “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymberi”. Policia ka bërë të ditur se, varësisht nga nevojat operative, mund të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit edhe në rrugë të tjera.
Në fund, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në marsh që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që aktiviteti të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt.