- NACIONALE

Çun Lajçi i kërkon falje deputetes së PDK-së

NACIONALE

Aktorit Çun Lajçi, i cili është shndërruar në militant të Albin Kurtit, i ka kërkua falje deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, të cilën e kishte fyer dje.

Ai ka bërë me dije se gjuha që ka përdoru dje ndaj deputetes së PDK-së ka qenë një lloj tallje.

“Para se t’i them dy fjalë për urën e Mitrovicës, dua t’ua mbyll gojën portaleve që e shpërndanë komentin tim, tue i vu madje edhe titujt që atyne iu konvenuen për pak klikime e do centa. Pra, Po të kërkoj falje për batutën, kolege, sepse jemi artistë të dy; e artistët edhe jetën, edhe ndjenjën, edhe fjalën e kanë art. Veçse, shumë herë, të tjerët nuk na e kuptojnë… ose, ma mirë me thanë, e kuptojnë qysh u duhet atyne! Kolege, kemi luejt dikur bashkë në shfaqjen “Kur vjen liria” të Agim Sopit. E, me beso — n’daç, mos beso — deshta veç me u tallë me dy artistë: njani që mbeti tue aktrue rrugëve, e tjetra që artin provoj me ba politikë tue kujtue se asht në t’mirën e shtetit”, ka shkruara ai.

E goditi me shuplaka e shkelma nënën e tij në Gjakovë, dënohet me 19 muaj burgim dhe 500 euro gjobë

NACIONALE

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur fajtor M.D. për tri vepra penale: “Dhuna në familje”, “Mospërfillja e gjykatës” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.

I pandehuri është dënuar me dënim unik prej 19 muajsh burgim dhe 500 euro gjobë. Në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 17 shkurti 2026.

Sipas aktakuzës, M.D. kishte ushtruar dhunë ndaj nënës së tij në shtëpinë e tyre në fshatin Novosellë e Epërme të Gjakovës, pavarësisht urdhrit për mbrojtje.

Më 17 shkurt 2026, pas një konflikti, ai dyshohet se e kishte goditur, shtyrë dhe rrëzuar viktimën, duke i shkaktuar lëndim në dorën e majtë. Më pas, sipas aktakuzës, e kishte goditur me shkelm dhe e kishte kërcënuar me një hekur që përdoret për ndezjen e prushit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Kundër aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga pranimi i tij në formë të shkruar.

Komunikata e plotë:

Gjakovë, 18 gusht 2026 – Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti i Përgjithshëm, ka shpallur aktgjykim dënues kundër të pandehurit M.D., për tri vepra penale, “Dhuna në familje” “Mospërfillja e gjykatës” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.

Pas shqyrtimit gjyqësor, gjyqtarja Blerina Kurtaj, të akuzuarin M.D., e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burg për tri veprat penale në kohëzgjatje prej nëntëmbëdhjetë (1) vit e tre (3) muaj dhe gjobë në shumë pesëqind (500) euro. Në dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 17 shkurt 2026.

I pandehuri M.D., akuzohet se “ në shtëpinë e tyre të përbashkët në fshatin Novosellë e Epërme në Gjakovë, i pandehuri, në kundërshtim me urdhrin për mbrojtje dhe me qëllim të cenimit të dinjitetit të nënës së tij, R.D., viktimë e ndjeshme për shkak të moshës, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me gjërat ushqimore, e ka ofenduar dhe shqetësuar emocionalisht, duke i gjuajtur dhe shkelur me këmbë gjërat ushqimore dhe duke tentuar ta kapë për ta goditur, për çka e dëmtuara, nga frika, është mbyllur në dhomë dhe ka lajmëruar policinë. Pavarësisht urdhrit për mbrojtje, i pandehuri ka përsëritur veprimet e dhunshme ndaj të dëmtuarës, duke i shkaktuar shqetësim të madh emocional. Më 17.02.2026, rreth orës 12:00, në të njëjtën shtëpi, pas një konflikti tjetër, i pandehuri e ka sulmuar përsëri të dëmtuarën, duke e goditur me shuplaka, duke e shtyrë dhe rrëzuar mbi tavolinë, me ç’rast ajo ka lënduar dorën e majtë, ndërsa kur ajo ka kërkuar ndihmë për t’u ngritur për shkak të moshës dhe problemeve me gjunjë, i pandehuri e ka goditur me shkelm në trup dhe, pasi ka marrë hekurin që përdoret për ndezjen e prushit, e ka kanosur sërish me fjalët “të ka ardhur momenti i fundit”, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.”

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Çitaku: VV synon ta thellojë krizën politike, do të kërkojmë sërish vazhdimin e seancës konstituive

NACIONALE

Deputetja, Vlora Çitaku, ka thënë se sot do t’i drejtojnë sërish kërkesë me shkrim kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, për thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive.

Çitaku ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po synon ta thellojë krizën politike dhe institucionale në vend.

“Mungesa e vullnetit politik nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje e ka shkaktuar krizën institucionale dhe ciklet e pafundme të zgjedhjeve”, tha ajo.

Duke folur për themelimin e institucioneve, Çitaku tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, “e ka rrugën e hapur, vetëm nuk po dëshiron të ecë”.

Vritet me thikë turisti francez në Ksamil, arrestohet autori i fshehur në bagazhin e një veture

NACIONALE

Pushimet në Ksamil do të ishin të fundit për turistin francez Migel Mendes, i cili u vra këtë mëngjes nga truproja i beach bar’-it ‘Principotes.’ Një konflikt me truprojën e lokalit, Sokrat Vatën, përshkallëzoi deri në vrasjen e 20-vjeçarit.

Që prej mbrëmjes të së hënës, Mendes ndodhej bashkë me miqtë e tij në klubin e natës së vetë kompleksit, të quajtur “La Guerre”(Lufta) ku organizohej një festë me DJ francez. Në këtë pjesë të kompleksit, ndodhi edhe konflikti me truprojën. Më pas, turisti është nxjerrë nga Vata në pjesën e jashtme të lokalit, pas 'beach bar'-it dhe shezlongëve ku është goditur me thikë nga 29-vjeçari që më pas është larguar.

Vata është kapur vetëm pas pesë orësh në Levan të Fierit, teksa përpiqej të arratisej në bagazhin e një makine, ku shoferja 31-vjeçare dhe pasagjeri 38-vjeçar, ishin turq.

Sipas raportimeve, 29-vjeçari, i cili banonte në Has dhe ishte i punësuar si truprojë në ‘Principotes’, nuk ishte i panjohur për autoritetet, pasi më herët ka pasur probleme me drejtësinë në Britaninë e Madhe, ku ishte dënuar në vitin 2024 për trafik droge. Rrethanat e lirimit të tij nga autoritetet britanike mbeten për t’u sqaruar.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike të Ksamilit.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit, para një lokali në Ksamil, është gjetur pa shenja jete shtetasi francez M. M., rreth 20 vjeç, i cili dyshohet se është goditur me mjet prerës (thikë).

Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 20-vjeçari është goditur me mjet prerës nga shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Ndërkohë, Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes" njoftoi sot policia.

Haxhiu e 'zbulon' se do të ketë takime VV-LDK: Uroj që të dalin me emër konsensual për President

NACIONALE

U.D. e Presidentes, Albulena Haxhiu, është pyetur për emrin e kandidatit konsensual, por ajo s’ka dhënë detaje, por ka shtuar se uron që në takimet e radhës mes VV-së dhe LDK-së të ketë një emër të kandidatit për President.

Haxhiu ka zbuluar se do të ketë takime të radhës mes LDK-së dhe VV-së, lidhur me emrin e kandidatit konsensual për President.

“Unë uroj që takimet e radhës që do të jenë mes LDK-së dhe VV-së të dalin emra të kandidatëve konsensualë”, tha Haxhiu.

“Unë uroj në mirëkuptim, pasi që nuk mundem nga kjo foltore të jap detaje për qëndrimet e VV-së”, tha tutje Haxhiu.

Ndërsa, nuk ka pranuar të thotë ndonjë emër të veçantë, pasi, siç tha ajo, partitë e tjera menjëherë “hidhen” kundër atij emri.

“Sa i përket emrit të kandidatit konsensual për President, po i referohem fjalës së zotit Kurti, që sapo të ketë një emër të veçantë, bëhen radhët nga partitë e tjera kundër atij emri. Prandaj është mirë që partitë e tjera të flasin për emra konsensualë”, tha Haxhiu.

Foto e Kurtit me minoritet në Presidencë, analisti: Na kujton takimet e Millosheviqit gjatë viteve 1998-1999

NACIONALE

Analisti politik Shenoll Muharremi ka komentuar fotografinë e takimit të Albulena Haxhiut me përfaqësuesit e pushtetit në Presidencë.

Ai ka bërë me dije se kjo fotografi ia rikujton takimet e Sllobodan Millosheviqit gjatë viteve 1998 dhe 1999.

Në profilin e tij, ai ka shkruar se ish-diktatori i Ballkanit përmes takimeve të tilla me minoritet tentonte ta manipulonte botën, duke thënë se vetëm shqiptarët nuk i binden.

“Kjo foto, fatkeqësisht, na kujton takimet e Millosheviqit gjatë viteve 1998 dhe 1999, kur tentonte me e mashtru dhe manipulu botën dhe qytetarin e Serbisë se gjithçka është në rregull dhe normale. "Krejt" po bashkëpunojnë, krejt pakicat vetëm shqiptarët jo. Krejt të mirë e të kënaqur, vetëm ata jo. Fatkeqësisht, në këtë foto, edhe pse është prezantuar si e gjerë dhe me shumë njerëz, është vetëm një parti, ndërsa krejt partitë e tjera të pakicave që po shihen aty i kanë vetëm disa qindra apo mijëra vota”, ka shkruar ai.

Rama mbështet nismën e IKD-së për ndryshimin e Kodit Penal: Keqpërdoruesit e parasë publike duhet të japin përgjegjësi para drejtësisë

NACIONALE

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është bashkuar nismës legjislative qytetare të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për ndryshimin e Kodit Penal, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të demokracisë dhe qytetarisë aktive.

Rama bëri thirrje për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, duke theksuar se personat që keqpërdorin fondet publike duhet të japin përgjegjësi para drejtësisë.

“Demokracia po fillon me qytetari aktiv. Kërkohet përgjegjësi nga institucionet, politikanët dhe çdo qytetar që të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjet në fuqi”, tha Rama.

Ai theksoi se mosrespektimi i vendimeve të Kushtetueses e cenon shtetin dhe tha se për këtë arsye e ka nënshkruar peticionin e IKD-së.

Rama u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen nismës, duke shprehur pritjen që së shpejti të mblidhen mbi 10 mijë nënshkrime, në mënyrë që iniciativa të procedohet më tej.

Kurti e përfundon takimin me deputeten Haxhiu: Unë nuk thërras seancë

NACIONALE

Ka përfunduar takimi i lideri të VV-së, Albin Kurtin, me deputeten Albulena Haxhiu, e cila sot i ka thirrur në takim liderët e partive politike në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentes.

Pas takimit, Kurti nuk ka dashur të flas për gazetarët.

Derisa është larguar nga ndërtesa e Kuvendit, ai ka aluduar se deputeti Avni Dehari e thërret seancën.

“Unë nuk thërras seancë”, ka thënë shkurti Kurti.

Çitaku për takimin Haxhiu-Kurti: Fotografia e një partie politike të papërgjegjshme, nën dirigjimin e një individi që i ka kapur institucionet

NACIONALE

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, si dhe deputetja Vlora Çitaku, ka reaguar pas takimit të mbajtur mes u.d. Albulena Haxhiut, liderit të VV-së, deputetit dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe minoriteteve, edhe pas refuzimit nga PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca.

Çitaku tha, figurativisht, se kjo fotografi mes Haxhiut dhe Kurtit tregon një parti të papërgjegjshme, e cila dirigjohet nga një njeri që, siç tha ajo, po e mban shtetin peng.

Ajo tha se në orën 11:00 do të jenë sërish në Kuvend dhe se aty duhet të jenë edhe VV-ja dhe lideri i saj, deputeti Kurti.

“Fotografia e një partie politike të papërgjegjshme, nën dirigjimin e një individi, që i ka kapur institucionet, po e mban shtetin peng dhe po e përdor pushtetin për interesa politike, në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve të Kosovës.

Vendin e keni në Kuvend, aty ku duhet ta materializoni vullnetin e qytetarëve dhe ta konstituoni Kuvendin.

Ju presim sot, në orën 11:00, në Kuvend!

Ministria publikon çmimet e derivateve, ky do të jetë çmimi i naftës

NACIONALE

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet për ditën e sotme.

Ministria ka bërë me dije se çmimi i naftës ka mbetur i pandryshuar.

Sipas vendimit të ministrisë, çmimi i naftës do të jetë 1.76 euro për litër, benzina 1.49 euro për litër, kurse gazi0.62 euro për litër.