- NACIONALE

Parashikimi i motit për sot

NACIONALE

Sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe me vranësira të pakta në zona malore.

Temperaturat minimale do të jenë nga 10 deri në 14 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 28 deri në 32 gradë Celsius.

Do të fryjë erë e lehtë, kryesisht nga veriu dhe verilindja me shpejtësi 1-6 m/s.

Deri në një orë pritje për të dalë nga Kosova përmes Merdarës

NACIONALE

Deri në një orë po u duhet të presin qytetarëve që po dalin nga Kosova përmes pikës kufitare në Merdarë.

Sipas përditësimit të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritje deri në 25 minuta raportohet edhe në pikën kufitare te Dheu i Bardhë.

Në pikat e tjera kufitare, qarkullimi po zhvillohet pa vonesa të theksuara.

Situata ishte e ngarkuar edhe mbrëmjen e së premtes, kur pritjet për të dalë nga Kosova përmes Merdarës arritën deri në 70 minuta.

ShBA-ja do që Netanyahu ta dënojë rrethimin e kolonëve në fshatin palestinez, thonë zyrtarët

NACIONALE

Shtetet e Bashkuara duan që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, t’i dënojë publikisht kolonët militantë që kanë rrethuar disa palestinezë në shtëpitë e tyre në Bregun e pushtuar Perëndimor, thanë të premten disa zyrtarë amerikanë e izraelitë, përderisa kolonët u bënë presion banorëve duke ngritur një tendë të re para se të arrinin ushtarët izraelitë dhe ajo të hiqej.

Kolonët janë duke mbajtur nën rrethim disa shtëpi në Qusra për gati një javë, pasi ua ndërprenë furnizimin me ujë dhe rrymë, duke i lënë të ngujuar palestinezët në një zonë ku grupet për të drejtat e njeriut thonë se kolonët po bëjnë një përpjekje të bashkërenduar për të kapur më shumë toka, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Një zyrtar amerikan dhe një zyrtar izraelit thanë të premten se zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë po e shtyjnë Netanyahun që publikisht t’i dënojë veprimet e kolonëve.

Uashingtoni filloi të protestonte, pasi mori vesh se shtëpia e një amerikano-palestinezi ishte në mesin e atyre që janë vënë në shënjestër, thanë dy zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti.

“Një Breg Perëndimor stabil e mban Izraelin të sigurt dhe është në vijë me qëllimin e kësaj administrate për të arritur paqe në rajon” – tha në një deklaratë për agjencinë “Reuters” të premten një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Osmani: Njerëzit e afërt me Trumpin përgjigjen për 5 minuta, ministrat në Kosovë jo aq shpejt – ndoshta se janë më të rëndësishëm

NACIONALE

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se persona të afërt me presidentin amerikan, Donald Trump përgjigjen për pesë minuta, ndryshe prej ministrave në Qeverinë Kurti.

Këto deklarata ajo i ka bërë në Kanal 10, ku ironizoi duke thënë se “ndoshta janë më të rëndësishëm se ekipi i Trump”.

“Edhe sot, ata njerëz që janë shumë afër me Shtëpinë e Bardhë, aftër presidentit Trump, kurdo që ju shkruaj përgjigjen maksimum për 5 minuta, nuk do të thoja që ministrat këtu janë përgjigjur ndonjëherë aq shpejt, ndoshta se janë më të rëndësishëm krahasuar me ekipin e ngushtë të presidentit Trump”, ka thënë Osmani.

Trumpi thotë se së shpejti do ta shpallë Ngushticën e Hormuzit territor të ShBA-së

NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se së shpejti do ta shpallë Ngushticën e Hormuzit territor të vendit të tij, duke e përshkallëzuar retorikën për rrugën jetike detare nëpër të cilën kalon një pjesë e konsiderueshme e dërgesave globale të karburanteve.

Lajmin për këtë deklaratë të kreut të Shtëpisë së Bardhë e publikuan mediumi amerikan, “NBC News” dhe televizioni “Al Jazeera”, pa dhënë më shumë hollësi për momentin.

Presidenti amerikan gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara janë duke u përgatitur për ta goditur Iranin rëndë ekonomikisht.

Më herët, sekretari i Thesarit i ShBA-së, Scott Bessent, tha se vendi i tij do të zbatojë masa të ashpra ndaj Teheranit që “nuk janë parë kurrë”, hiq më larg se javën e ardhshme.

Sidoqoftë, eksperti Kenneth Katzman tha se ka pak prova se presioni i mëtejmë ekonomik nga Shtetet e Bashkuara do ta detyrojë udhëheqjen e Iranit që ta ndryshojë drejtimin.

Një muaj paraburgim për Skender Llugiqin, që bëri thirrje për pushkatimin e Ramush Haradinajt

NACIONALE

Gjykata Themelore i ka caktuar një muaj paraburgim Skender Llugiqit, personit që bëri thirrje për pushkatimin e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Lajmi është konfirmuar për Klan Kosova nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

I njëjti, pak ditë më parë derisa po qëndronte në sallën e Kuvendit të Kosovës, bëri thirrje për burgosjen dhe pushkatimin e Haradinajt.

Llugiqi, mbante në duar një pankartë dhe bërtiste duke kërkuar pushkatimin e Haradinajt:

“Nëse duhet me u dënu Milan Radojiçiq 20 vjet, Ramush Haradinaj duhet 40, 50, 100, duhet me u pushkatu”.

Dogana ndalon mbi 23 mijë artikuj në tri lokale në Prishtinë

NACIONALE

Dogana e Kosovës ka ndaluar gjithsej 23 mijë e 918 artikuj gjatë kontrolleve të realizuara në tri lokale në Prishtinë.

Sipas Doganës, kontrollet janë zhvilluar në kuadër të aktiviteteve operative ndaj subjekteve tregtare, ndërsa në mesin e mallrave të ndaluara janë gjetur pajisje dhe aksesorë të ndryshëm elektronikë.

Mallrat e ndaluara përfshijnë 16 mijë e 394 mbrojtëse për telefona mobilë, kufje të modeleve AirPods dhe AirPods Max, kabllo USB-C dhe Lightning, adapterë e pajisje për mbushje, orë inteligjente, pajisje AirTag, lapsa elektronikë, tastiera dhe aksesorë të tjerë elektronikë, si dhe bateri për telefona mobilë.

Dogana ka bërë të ditur se në disa prej mallrave janë evidentuar shenja të markave të njohura tregtare, përfshirë Apple, Louis Vuitton, Prada, Gucci dhe Guess.

Nga kontrollet, në lokalin e parë janë ndaluar 22 mijë e 391 artikuj, në të dytin 477 artikuj, ndërsa në lokalin e tretë 1 mijë e 50 artikuj.

Dy nga subjektet e kontrolluara janë referuar për trajtim të mëtejmë në Sektorin për Kundërvajtje Doganore.

Ndërkaq, për subjektin e tretë, për shkak të sasisë dhe vlerës së lartë të mallrave të ndaluara, është njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë. Sipas Doganës, rasti do të trajtohet në përputhje me udhëzimet e Prokurorisë.

Aksident në Pogragjë të Klinës, 6 persona të lënduar

NACIONALE

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në fshatin Pogragjë të Klinës, ku si pasojë janë lënduar gjashtë persona.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Rugova ka bërë të ditur se në aksident janë përfshirë dy vetura dhe një kamionetë, ndërsa të gjithë personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës.

“Sot rreth orës 17:40, Policia është njoftuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Pogragjë-Klinë, në këtë aksident ishin të involvuara, dy vetura dhe një kamionetë, si pasojë e këtij aksidenti gjashtë (6) persona kanë pësuar lendime trupore të njejtit janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, për tretman mjekësor’’, ka bërë të ditur Rugova për Express.

Gjykata e lartë franceze e bllokon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

NACIONALE

Një gjykatë e lartë e Francës të premten bllokoi një projektligj me të cilin do t’u ndalohej qasja në rrjete sociale fëmijëve nën moshën 15-vjeçare, duke thënë se legjislacioni e cenon lirinë e të shprehurit dhe duke i dhënë një goditje presidentit Emmanuel Macron, i cili kërkoi nga ekzekutivi që ta rishkruajë legjislacionin.

Me këtë projektligj do t’u ndalohej fëmijëve nën 15 vjeç hapja e llogarive në rrjete sociale nga 1 shtatori. Llogaritë që tashmë janë hapur do të mbylleshin brenda katër muajve nga platformat e rrjeteve sociale, të cilat gjithashtu do të duhej ta vërtetonin moshën e përdoruesve sipas miratimit nga rregullatori francez i privatësisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Megjithatë, Këshilli Kushtetues i Francës vlerësoi se projektligji, përderisa kërkon nga të gjithë që të japin dëshmi të moshës, dështoi “që t’i saktësojë kushtet dhe kufizimet” nën të cilat ato do të ofroheshin, si dhe i cenoi liritë dhe privatësinë.

“Këshilli vlerëson se dispozitat e kontestuara, në njërën anë, i cenojnë në mënyrë joproporcionale lirinë e shprehjes dhe komunikimin dhe, në anën tjetër, dështojnë që të ofrojnë masa sigurie ligjore të nevojshme për ta garantuar të drejtën për respektim të jetës private” – thuhet në vendim.

Ligjvënësit francezë e kishin miratuar projektligjin në korrik, duke e bërë Francën vendin e parë të Evropë që do ta ndiqte shembullin e Australisë, shtet që në dhjetor ua ndaloi të rinjve nën 16 vjeç qasjen në disa platforma, përfshirë Facebook-un, Snapchat-in, TikTok-un, dhe YouTube-n. Ligjvënësit atje po shqyrtojnë gjoba më të ashpra, pasi të dhënat treguan sukses të pjesshëm.

Zytarin me aktakuzë të konfirmuar nga Apeli, Kurti e vendos në krye të komisionit për përzgjedhjen e Drejtorit të AQP-së

NACIONALE

Hysen Muzliukaj, ndaj të cilit Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin për konfirmimin e aktakuzës në një rast ku akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është vendosur nga kryeministri në detyrë dhe i betuar si deputet, Albin Kurti, si kryesues i Komisionit të Pranimit për përzgjedhjen e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP).

Përgaditi: Fatbardha Krasniqi

Ky vendim për ta vendosur Muzliukajn në krye të komisionit është marrë nga Qeveria e Kosovës në detyrë në mbledhjen e 12 gushtit 2026 dhe mban nënshkrimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Si kryesues i këtij komisioni, Muzliukaj do të bëjë vlerësimin për pozitën më të rëndësishme në prokurimin publik, atë të Drejtorit të Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP), raporton Gazeta Nacionale.

Duhet theksuar se Muzliukaj gjithashtu mban pozitën e Drejtorit të Institutit për Administratë, në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë, pasi ai vazhdon ta mbajë këtë pozitë pa u pezulluar edhe pas ngritjes së aktakuzës.

Ndërsa, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sa ishte në opozitë, në vazhdimësi bënte thirrje për qeverisje me "duar të pastra". Por, pas ardhjes në pushtet, një praktikë të tillë nuk po e ndjek, pasi vazhdimisht ka emëruar e vendosur në pozita të ndryshme njerëz që kanë ose dyshohën për afera korruptive, si dhe probleme me ligjin.

Apeli kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Muzliukajt

Gjykata e Apelit, më 20 shkurt 2026, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes dhe kishte vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për refuzimin e kërkesave për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.

Muzliukaj është njëri nga dy të akuzuarit në rastin ku, së bashku me Faruk Mujkën, kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc”, akuzohen për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Çfarë thotë aktakuza e ngritur ndaj tij

Sipas aktakuzës, Muzliukaj, në cilësinë e ish-drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private.

Rasti lidhet me pretendimet e Prokurorisë se prona e propozuar për këmbim ishte paraqitur si pronë komunale, ndonëse, sipas aktakuzës, të akuzuarit e dinin se ajo nuk ishte e tillë.

Mbrojtja e Muzliukajt dhe Mujkës kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit që t’i aprovonte ankesat, t’i shpallte provat të papranueshme, ta hidhte aktakuzën dhe ta pushonte procedurën penale.

Megjithatë, Apeli i kishte refuzuar këto kërkesa dhe kishte vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të 16 dhjetorit 2025.

Në arsyetimin e saj, Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se gjykata e shkallës së parë kishte dhënë arsye të qarta dhe juridikisht të qëndrueshme dhe se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale përmban prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat për të cilat ngarkohen.

Gjykata kishte theksuar gjithashtu se vendimi për konfirmimin e aktakuzës nuk përbën vendim përfundimtar mbi fajësinë e të akuzuarve.

“Fajësia apo pafajësia mund të bëhet vetëm me aktgjykim të formës së prerë, pas administrimit dhe vlerësimit të drejtpërdrejtë të të gjitha provave në shqyrtimin gjyqësor”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Pra, ndërsa çështja penale ndaj Muzliukajt ende nuk ka përfunduar me një aktgjykim të formës së prerë, ai tash është caktuar nga Qeveria në detyrë për të udhëhequr një komision që do të ketë rol në përzgjedhjen e njërit prej zyrtarëve të lartë të administratës publike./Nacionale