- NACIONALE

Italia e Spanja i zgjatin kontrollet kufitare hakmarrëse pas krizës me emigrantë në Ceuta

NACIONALE

Italia tha të hënën se do t’i pezullojë marrëveshjet e saj me Spanjën për kufij të hapur për 15 ditë shtesë, duke ua zgjatur afatin masave kufizuese që i kishte vendosur pas dyndjes së emigrantëve në enklavën spanjolle Ceuta një muaj më parë.

Si kundërpërgjigje, Spanja tha se do t’i vazhdojë kontrollet ndaj pasagjerëve që arrijnë nga Italia përmes detit dhe ajrit për 15 ditë shtesë, duke e zgjatur afatin e kufizimeve që e kanë minuar zonën Schengen për lëvizje të lirë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Qeveria djathtiste në Romë fillimisht i kishte njoftuar kufizimet më 1 gusht, duke thënë se donte të sigurohej që asnjë emigrant që hynte në Ceuta nuk do të mund të udhëtonte drejt Italisë. Afati i këtyre masave do të skadonte të hënën.

Vendimi për zgjatjen e afatit “u mor... për shkak të vazhdimësisë së faktorëve që kishin çuar në rivendosjen e masave” – tha Ministria e Brendshme e Italisë.

Autoritetet spanjolle thonë se 5.000 deri në 8.000 njerëz mbeten në Ceuta, pasi të paktën 72 mijë kishin hyrë nga Maroku më 30 korrik.

Ramadani: AAK-ja nuk ka obligime ndaj marrëveshjes VV-LDK për çështjen e presidentit

NACIONALE

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka deklaruar se partia e tij e ka të përcaktuar qëndrimin lidhur me procesin për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Në një lidhje telefonike në emisionin “Pressing” në T7, Ramadani është pyetur për pozicionin e AAK-së ndaj mundësisë që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president.

Ai u shpreh se, meqë marrëveshja është arritur vetëm ndërmjet këtyre dy subjekteve politike, AAK-ja nuk konsideron se ka ndonjë detyrim që buron prej saj.

“Ne e kemi qëndrimin tonë që nga 26 qershori. Oferta që kemi bërë nuk është përfshirë në marrëveshjen VV-LDK. Kjo është një marrëveshje mes dy partive dhe ne nuk kemi obligime ndaj saj”, deklaroi Ramadani.

Trumpi thotë se do ta rishikojë pozicionin e ShBA-së rreth Ishujve Falkland

NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se do ta rishikojë pozicionin e vendit të tij rreth Ishujve Falkland, arkipelag që ndodhet në jug të Oqeanit Atlantik dhe që kontrollohet nga Britania e Madhe.

“Unë gjithmonë e rishikoj secilin pozicion. Ky është vetëm një nga shumë prej tyre” – tha Trumpi para gazetarëve në Zyrën Ovale, kur u pyet për sovranitetin e ishujve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti amerikan nuk sinjalizoi nëse rishikimi do ta ndryshojë pozicionin e Shteteve të Bashkuara rreth sovranitetit, që përgjithësisht e ka shmangur marrjen e anëve që nga viti 1982.

Argjentia, e cila drejtohet nga aleati i Trumpit, Javier Milei, pretendon se ka sovranitet mbi këta ishuj.

Një ndryshim i mundshëm i pozicionit të ShBA-së ishte në mesin e një vargu opsionesh të shqyrtuara nga Pentagoni më herët këtë vit për t’u bërë presion aleatëve të NATO-s për të cilët beson se kanë dështuar që t’i mbështesin operacionet ushtarake amerikane në luftën me Iranin.

Dy të vdekur e 15 të zhdukur pas vërshimeve në Kanionin e Madh të ShBA-së

NACIONALE

Viktima e dytë u konfirmua nga Shërbimi i Parqeve Kombëtare të hënën, pas vërshimeve në Kanionin e Madh në Arizonë të Shteteve të Bashkuara në fundjavë.

Dhjetëra vizitorë u desh të evakuoheshin me helikopter gjatë vërshimeve. 15 njerëz janë ende të zhdukur, ndërsa parashikohen reshje shiu e stuhi të reja, raporton gazeta “The Guardian”.

Zyrtarët e parqeve i kanë bërë thirrje publikut që të ofrojë çfarëdo informate rreth personave që mund të kenë qenë duke bërë alpinizëm në pjesën e brendshme të kanionit, ose për persona që kanë bërë rezervime në atë zonë.

Vërshimet nuk janë të pazakonshme në këtë rajon, sidomos gjatë periudhës së reshjeve, nga qershori deri në shtator, kur shiu i furishëm e godet peizazhin e thatë dhe mund t’i mbushë shpejt zonat gurore. Vizitat te Kanioni i Madh mund të jenë veçanërisht të rrezikshme gjatë verës për shkak të rrezikut nga vërshimet në periudhën e reshjeve.

Trupi i një burri 46-vjeçar u gjet të dielën në mbrëmje përgjatë Lumit Kolorado, tha Shërbimi Kombëtar i Parqeve, pa ofruar hollësi shtesë. Të paktën një trup tjetër ishte tërhequr, sipas një njoftimi nga parku kombëtar “Kanioni i Madh”.

Buzhala për propozimin e Bekim Sejdiut për president: Pse e la detyrën e gjyqtarit, a shkoi të marrë tenderë te Gërvalla?

NACIONALE

Gazetari Berat Buzhala e ka quajtur të papranueshme kandidaturën e Bekim Sejdiut për postin e Presidentit, duke e cilësuar atë si figurë jo-unifikuese që ka përfituar politikisht dhe financiarisht nga pushteti.

I ftuar në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Buzhala ngriti dyshime mbi të kaluarën e Sejdiut, duke kujtuar se ai e ka “ndërprerë në gjysmë mandatin pa asnjë arsye” në Gjykatën Kushtetuese, e cila kujtoi se mban “detyrën më të lartë në Republikën e Kosovës”, me peshën e jashtëzakonshme ku gjyqtarët “rrëzojnë presidenta, rrëzojnë kryeministra dhe shpallin zgjedhje”.

"E para, një person si zotri Sejdiu, i cili ka qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, e ka ndërprerë në gjysmë mandatin pa arsye të Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese është detyra më e lartë në Republikën e Kosovës. Ata rrëzojnë presidenta, rrëzojnë kryeministra, shpallin zgjedhje. Pa arsye, pa pretekst, në gjysmë të mandatit e ka braktisë. Ku ka pozitë më të lartë se pozita e gjyqtarit? Domethënë, çka je kanë tu bo në ndërkohë kur e la qat punë? A, paske shku me marrë tendera te Donika Gërvalla", u shpreh ai.

Hamza paralajmëron ankesë në Kushtetuese, thotë se Haxhiu s’ia dekretoi PDK-së dy anëtarë në KQZ

NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dekretimin e Rashit Qalajt si përfaqësues të saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha për KosovaPress se partia do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, pasi pretendon se i takojnë dy anëtarë në KQZ dhe se anëtari i dytë nuk është dekretuar.

Hamza ka thënë se përfaqësuesi i propozuar nga PDK-ja nuk ka bërë asnjë shkelje dhe se përgjegjësia, sipas tij, qëndron te mosdekretimi.

“Nëse e ka shkel dikush Kushtetutën, e ka shkelë ai që e ka shkelë. Anëtari ynë s’ka bë asnjë shkelje. Ne, përkundrazi, neve na takojnë dy anëtarë në KQZ dhe për këtë punë do ta referojmë rastin në Gjykatë Kushtetuese për mosdekretimin edhe të anëtarit të dytë nga radhët e PDK-së”, tha Hamza.

Pjesëmarrja e ministrit rus në takimin e G20 në ShBA, ministri gjerman thotë se s’ka kthim në normalitet me Rusinë

NACIONALE

Ministri i Financave i Gjermanisë, Lars Klingbeil, tha të hënën se situata me Rusinë nuk është “normale”, edhe nëse Moska merr pjesë në takimin e grupit G20 në Asheville të Shteteve të Bashkuara.

“Njerëzit po vdesin përditë, ne porsa kemi parë një përshkallëzim tjetër të sulmeve. Nuk mundeni thjesht të ktheheni në normalitet” – deklaroi ministri gjerman, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ministri i Financave i Rusisë, Anton Siluanov, dhe përfaqësues të Bankës Qendrore të Rusisë do të marrin pjesë në takimet e ministrave të financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të grupit G20.

“Më duket goxha shqetësues sinjali i dërguar përmes pritjes së ministrit rus të Financave këtu. Do të kisha dashur më shumë qartësi nga pala amerikane që ai nuk duhet të pritet këtu si një mysafir normal” – tha ministri Klingbeil para gazetarëve në Asheville.

Arifi: Aleanca nuk është pjesë e projektit Kurti-Abdixhiku për presidentin

NACIONALE

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka deklaruar se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me kushtet për mbështetjen e një kandidati për president të Kosovës.

Në një deklaratë për Klan Kosova, Arifi ka thënë se Aleanca nuk është pjesë e marrëveshjeve politike mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për zgjedhjen e presidentit.

Sipas tij, u takon Kurtit dhe Abdixhikut të sqarojnë marrëveshjen e tyre, ndërsa qëndrimi i Aleancës mbetet i njëjtë me atë të para tre muajve.

“Ne nuk jemi pjesë e projektit Kurti-Abdixhiku. U takon atyre të sqarojnë. Qëndrimi ynë është ai që kemi pasur para tre muajsh. Për ne asgjë nuk ka ndryshuar”, ka deklaruar Arifi.

Deklarata e tij vjen në ditën kur VV-ja dhe LDK-ja kanë arritur marrëveshje që Bekim Sejdiu të jetë kandidat i përbashkët për president të Kosovës.

Trumpi zotohet për kundërpërgjigje ndaj sulmit iranian ndaj trupave amerikane në Jordani

NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se vendi i tij do t’u kundërpërgjigjet sulmeve të Iranit mbrëmë ndaj forcave amerikane në Jordani.

“Do t’i godasim fort. Do të ketë një kundërpërgjigje” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë në televizionin “Fox News”, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

Disa orë më herët, Trumpi publikoi pamje të formuara me inteligjencë artificiale, ku shfaqej gjoja një sulm ndaj Ishullit Kharg të Iranit.

Irani hodhi raketa drejt një baze amerikane në Jordani si hakmarrje për sulmet e forcave amerikane ndaj aseteve ushtarake iraniane, për të cilat ShBA-ja thotë se ishin duke u përgatitur për të lëshuar mina ujore në Ngushticën e Hormuzit.

Trumpi ka thënë se pothuajse të gjitha raketat e hedhura nga Irani janë penguar.

Deputeti Berisha mbështet Marshin për Liri dhe fton qytetarët t’i bashkohen më 12 shtator

NACIONALE

Deputeti nga komuniteti egjiptian dhe kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka shprehur mbështetjen e tij për “Marshin për Liri”, që do të mbahet më 12 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, nga ora 14:00.

Berisha ka bërë të ditur se sot është takuar me Elizën dhe Ridvanin, dy nga organizatorët e marshit, i cili, sipas tij, organizohet në mbështetje të lirimit të plotë nga Gjykata Speciale në Hagë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në postimin e tij, Berisha ka shkruar se vendimi i Gjykatës pritet të jepet më 16 shtator.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim, që t’i bashkohen marshit, duke ftuar në mënyrë të veçantë edhe pjesëtarët e Komunitetit Egjiptian.

“Ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim, e në veçanti Komunitetin Egjiptian, që t’i bashkohen këtij marshi dhe të shprehim së bashku mbështetjen tonë”, ka shkruar Berisha.

“Bashkë për Liri, Kosova i pret çlirimtarët!”, ka përfunduar ai.