- NACIONALE

Vazhdon të bie çmimi i naftës në Kosovës, këto janë çmimet e derivateve për sot

NACIONALE

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e derivateve për ditën e sotme.

Sipas njoftimit, çmimi për naftë është 1 euro e 43 centë për litër.

Krahasuar me një ditë më parë, nafta është liruar për dy centë.

Çmimi i litrës së benzinës do të jetë 1 euro e 35 centë.

Kurse, çmimi gati do të jetë 0.67 cent për litër.

Përleshje fizike në Prishtinë, policia thotë se ka disa të lënduar

NACIONALE

Policia e Kosovës ka treguar për një përleshje ndërmjet disa personave që ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë për kryeqytetin Enis Pllana ka treguar se rasti ka ndodhur në rrugën “Papa Gjon Pali” në Prishtinë dhe se janë lënduar disa persona.

“Rreth orës 20:00, Policia ka pranuar informatën për një përleshje fizike në mes të disa personave në rrugën. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku sipas informacioneve fillestare tre persona kanë mbetur të lënduar, dy nga ta dyshohet se janë lënduar nga arma e zjarritë cilët janë dërguar për tretman mjekësor”, ka njoftuar për tëvë1.

“Nëse krerët e UÇK-së...”, Behrami: Fushata e Kurtit dhe VV-së kundër Drenicës dhe UÇK-së ka dy qëllime

NACIONALE

Kandidati i PDK-së për deputet, Artan Behrami, ka treguar pse Albin Kurti dhe VV-ka po e sulmojnë Drenicën dhe UÇK-në.

Ai ka treguar se kjo fushatë e pushtetit ka dy qëllime.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka vlerësuar së të dy qëllimet lidhen me procesin gjyqësor në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së.

“Fushata më e re e VV-së dhe Kurtit kundër Drenicës dhe UÇK-së i ka dy qëllime. 1. Nëse krerët e UÇK-së dënohen, të krijohet shtrati i pranimit të verdiktit, që të shuhet çdo reagim qytetar! 2. Nëse krerët e UÇK-së lirohen, të krijohet një ambient toksik që e bën rikthimin e tyre politik të pamundur. Kjo fushatë e ka vetëm një problem. Janë disa shtete në rajon që para Albin Kurtit kanë investuar gjatë në përçarjen e shqiptarëve, në ndarjet krahinore, por kanë dështuar. Edhe ky do të dështojë!”, ka shkruar ai.

Arifi: Preokupimi i VV-së është si me shku në zgjedhje të reja, jo me gjetë zgjidhje

NACIONALE

Kandidati për deputet i AAK-së, Avni Arifi, ka bërë me dije se VV-ja sërish dëshiron që vendin ta dërgojnë në zgjedhje.

Ai ka deklaruar se prokupimi i partisë së Albin Kurtit janë zgjedhjet e reja, jo si me i ofruar vendit zgjidhje.

Është një nismë që në një formë apo tjetër na flet për përgatitje për zgjedhje të reja, jo për një zgjidhje”, ka thënë Arifi në Edicionin Special të Klan Kosovës.

Sipas tij, VV-ja dëshiron të ia lë fajin opozitës për zgjedhje të reja.

Çka e kanë preokupim është vetëm qysh me shku në zgjedhje me ia lanë fajin opozitës. Njëherë mas 28 shkurtit pagoi LDK-ja sepse (LVV) arriti me e bindë elektoratin që faji është i LDK-së, dhe pagoi LDK-ja me 28 dhjetor”, është shprehur ai.

Shqetësimet rreth votave me postë, KQZ: Procedurat janë zhvilluar sipas Ligjit për Zgjedhjet

NACIONALE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka sqaruar procesin e votimit nga diaspora, duke theksuar se të gjitha procedurat janë zhvilluar sipas Ligjit për Zgjedhjet dhe me masa të shtuara sigurie.

Sipas KQZ-së, votuesit jashtë Kosovës mund të votojnë përmes postës ose në përfaqësi diplomatike, ndërsa regjistrimi përfshin verifikime të rrepta, përfshirë fotografimin e aplikuesit me dokument identifikimi dhe dërgimin e një dëftese unike regjistrimi me email.

Komunikata e plotë:

Pas shqetësimeve të ngritura në publik lidhur me mënyrën e organizimit të votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e vlerëson të nevojshme të jap sqarimet si në vazhdim.

Së pari, në përmbushje të detyrimeve që dalin nga Ligji Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin2023, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë hapat konkretë për të mundësuar regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike apo përmes postës dhe organizimin e votimit. Gjithashtu, KQZ, përmes procedurave standarde të veprimit, ka rregulluar çështjen e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare, të cilat i takojnë votimit me postë.

KQZ është kudjesur që procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës të përmbushë disa aspekte sigurie, në mesin e të cilave është fotografimi i aplikuesit derisa mban dhe njëkohësisht prezanton dokumentin e tij të identifikimit. Aplikuesi nuk mund ta ngarkojë fotografinë, por ai/ajo, duhet të fotografohet në momentin kur hapet kamera e platformës për regjistrim. Po ashtu, si masë sigurie, çdo aplikues i regjistrur suksesshëm si votues me postë jashtë Kosovës, pranon në e-mailin e tij dëftensën e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike për çdo votues, i cili është i domosdoshëm që pako me fletëvotim, e dërguar nga votuesi, të kalojë procesin e verifikimit të vlefshmërisë.

Së dyti, për votimin në përfaqësi diplomatike, KQZ ka miratuar listën prej 30 qendrave të votimit (17 ambasada dhe 13 konsullata), ndërkaq për votimin përmes postës, KQZ, përveç kutisë së përhershme postare në Kosovë, ka hapur kutitë postare në 22 shtete të ndryshme të botës, në të cilat votuesit kanë mundur të dërgojnë pakon e tyre me fletëvotim.

Së treti, për rritjen e sigurisë në votimin përmes postës, KQZ, nga Zgjedhjet Lokale 2025 ka filluar t’ju dërgojë votuesve të regjistruar fletëvotimin e shtypur nga KQZ, i cili, ashtu si fletëvotimet që përdoren në vendvotime në Kosovë, përmban elemente të ndryshme sigurie. Kjo praktikë, edhe përkundër kohës së shkurtër në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, është ndjekur në dy proceset e fundit zgjedhore për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura në dhjetor dhe qershor. Pako që përmban fletëvotimin dhe udhëzuesin për votim, dërgohet përmes operatorit ekonomik në adresën e votuesit të regjistruar, e cila, sipas procedurave të KQZ-së, duhet të pranohet nga votuesi i regjistruar. Detyrë e votuesit është që në këtë pako të vendosë: (1) fletëvotimin e vendosur në zarfin e fshehtësisë, në të cilin nuk shkruan asgjë, dhe (2) dëftesën e regjistrimit të cilin e ka pranuar nga KQZ. Këtë pako, votuesi duhet ta dërgojë në adresën e kutisë postare në shtetin ku është regjistruar, ose në rast se nuk ka kuti postare në shtetin e regjistrimit, atë mund ta drgojë në kutinë e shtetit më të afërt.

Së katërti, KQZ, ka miratuar procedurën standarde të veprimit për votimin jashtë Kosovës dhe vlerësimin e pakove me fletëvotime, përmes së cilës përcaktohen aspekte të ndryshme të votimit përmes postës, ndër tjerash për tërheqjen e dërgesave në kutitë postare jashtë Kosovës.

Ashtu siç kërkohet në këtë procedurë, KQZ ka autorizuar zyrtarët e përfaqësisë diplomatike për tërheqjen e dërgesave postae dhe ka dorëzuar materialet e nevojshme për tërheqjen e dërgesave postare, përfshirë thasët dhe lidhëset e sigurisë. Gjatë tërheqjeve të pakove të supozuara me fletëvotime, KQZ ka njoftuar rregullisht vëzhguesit e akredituar për përcjelljen e tërheqjes së dërgesave postare.

Sipas kësaj procedure, pas tërheqjes së pakove me fletëvotime, ato evidentohen brenda objektit të postës dhe vendosen në thasë, të cilët mbyllen me lidhëse të sigurië dhe shiritin e sigurisë. Ekipi i autorizuar ka regjistruar numrin e zarfeve të tërhequr dhe numrin e lidhëses së sigurisë në formularin e raportimit të pakove me fletëvotimet e pranuara përmes postës në kutinë postare jashtë Kosovës. Pas plotësimit dhe nënshkrimit të formularit, ekipi përgjegjës ka fotografuar formularin e plotësuar, thesin ku shihet numri serik i lidhëses së sigurisë dhe fletë tërheqjet e lëshuar nga posta (nëse ka). Fotografitë dhe raportet janë dërguar menjëherë përmes email-it në KQZ.

Thasët me pakot e tërhequra, sipas procedurës, janë vendosur në dhomën e sigurisë së përfaqësive diplomatike deri në momentin e dorëzimit tek operatori, që është bërë në të njëjtën ditë kur janë realizuar tërheqjet. Thasët nuk hapen, por vendosen në një thes tjetër, i cili mbyllet dhe i është vendosur shiriti diplomatik. Pas përfundimit të procedurave diplomatike, pakot i dorëzohen operatorit për t’u dërguar në Kosovë si dërgesë diplomatike.

Së pesti, pas sjelljes në Kosovë, pakot e supozuara me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, qëllimi i të cilit është të vërtetohet nëse ato janë dërguar nga votuesit e regjistruar. Për të vëzhguar këtë proces, KQZ ka njoftuar vëzhguesit e akredituar dhe vëzhguesit e subjekteve politike, të cilët kanë qenë prezentë pothuajse gjatë gjithë kohës kur është bërë hapja e thasëve dhe vlerësimi i zarfeve, dhe nuk kanë paraqitur asnjë vërejtje gjatë këtij procesi. Gjithashtu, vlenë të theksohet se zyrtarët që kanë kryer vlerësimin e zarfeve nuk kanë vërejtur asgjë të pazakontë gjatë hapjes dhe shqyrtimit të tyre.

Zarfet e dërguara nga votuesit janë hapur nga zyrtarët përgjegjës për vlerësimin e zarfeve me qëllim të verifikimit, përmes dëftesës së regjistrimit, nëse votuesit kanë qenë të regjistruar me sukses. Në rastet kur në zarfin kryesor nuk është gjetur dëftesa e regjistrimit, zyrtarët e shërbimit të votuesve, në prani të mbikëqyrësit, kanë hapur zarfin e fshehtësisë për t’u siguruar nëse deftesa e regjistrimit ndodhet së bashku me fletëvotimin.

Të gjitha zarfet me fletëvotime që kanë përmbushur kriteret e përcaktuara me rregullore janë procesuar për numërim sipas komunave përkatëse të votuesve.

Plagosen dy persona në Prishtinë

NACIONALE

Dy persona kanë mbetur të plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa një person tjetër është lënduar si pasojë e një përleshjeje fizike që ka ndodhur mes disa personave në Matiçan të Prishtinës, konkretisht në rrugën “Papa Gjon Pali”.

Për rastin për Klankosova.tv është deklaruar edhe Policia e Kryeqytetit, përmes zëdhënësit Enis Pllana.

“Rreth orës 20:00, Policia ka pranuar informatën për një përleshje fizike në mes të disa personave në rrugën “Papa Gjon Pali” në Prishtinë. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku sipas informacioneve fillestare tre persona kanë mbetur të lënduar, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht, njësitet relevante policore janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit”, tha Pllana për Klankosova.tv.

Deputeti i zgjedhur i Kurtit: PDK duhet të mbetet në opozitë, preferencë e votuesve bashkëpunimi VV-LDK

NACIONALE

Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Adnan Rrustemi, deklaroi se Vetëvendosje “me PDK nuk ka dashur bashkëqeverisje”.

Ai vlerësoi se PDK-ja duhet të mbetet në opozitë dhe të “shkëputet nga modeli i saj qeverisës e keqeverisës”, tha ai.

Rrustemi në T7 shtoi se, “në aspektin elektoral preferenca e votuesve ka qenë të ketë bashkëpunim mes LVV-së dhe LDK-së”.

“Propagandë e zakonshme dhe bajate”: Abdixhiku u përgjigjet bashkëpartiakëve që e kritikuan për rezultatin?

NACIONALE

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se strukturat e partisë së tij janë të vetëdijshme për rolin dhe angazhimin e tyre politik, duke theksuar se ato nuk bien pre e asaj që ai e cilëson si propagandë kundër LDK-së.

Përmes një postimi në rrjetet sociale pas një takimi me strukturat e partisë në Shtime, Abdixhiku tha se anëtarësia dhe strukturat e LDK-së janë “të mençura, të pjekura dhe të qarta”, duke shtuar se ato dinë të dallojnë oportunizmin politik dhe mbeten të përkushtuara ndaj vlerave që përfaqësojnë.

“Strukturat e LDK-së janë të mençura, të pjekura dhe, mbi të gjitha, të qarta. Nuk bien pre e propagandës anti LDK tashmë të zakonshme e bajate; e as nuk ngatërrohen në identifikimin e oportunistëve politik, po aq të zakonshëm e të parashikueshëm. E dinë mirë çfarë përfaqësojnë dhe për çfarë angazhohen.

Mbi të gjitha, nuk lejojnë që mundi e puna e tyre e përditshme të shpërdorohen e rezultatet t’u injorohen. Janë falënderues. E kur ke njerëz të tillë pas vetes, është e lehtë t’i përfaqësosh me dinjitet e respekt”, ka shkruar ai.

Ky reagim i tij vjen pas kritikave që mori nga bashkëpartiakë të tij për rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit.

Rama ia bën disa pyetje Mihalit: Pse emri yt përmendet në hetimet me rastin e rezervave shtetërore?

NACIONALE

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar një postim në rrjetet sociale ku ka adresuar një sërë pyetjesh ndaj Dejona Mihali.

Në postimin e tij, Rama ngre pyetje lidhur me komunikimet e pretenduara të Mihalit me ish-kryeshefin e Korporata Energjetike e Kosovës për çështje operative dhe vendimmarrëse, duke pyetur se pse një person pa funksion shtetëror do të kishte rol në procese të tilla.

Ai gjithashtu përmend rastin e hetimeve që lidhen me sektorin e energjisë dhe kompaninë GEN, si dhe rastin e rezervave shtetërore, duke pretenduar se emri i Mihalit është përmendur në këto procese.

Në pjesën e fundit të reagimit, Rama kritikon qëndrimet politike të Mihalit, duke e akuzuar për agjendë përçarëse dhe duke ironizuar një deklaratë të saj lidhur me transportin elektrik dhe vizat.

“Mihajli, paske fol për krimin diçka!

Tregoju popullit të Kosovës:

• Si një person pa funksion shtetnor, pse ke komunikime me ish-kryeshefin e KEK-ut, për çështje operative e vendimmarrje?

• Pse je ftu ne prokurori për skandalin me energji të Martin Berishaj/GEN?

• Pse emni yt përmendet në hetimet me rastin e rezervave shtetnore? Keni vjedh në grunë edhe në vaj. Imagjino!

“Aktiviste”, ti e din që ka edhe shumë pyetje tjera per ty? Prandaj, Dejona Mihajli, të “uroj ngushëllime”. Agjenda juaj përçarëse është shpërfaq.

Sa për informatë, trami elektrik nuk ka “viza”. Ata me “viza” janë në Rusi. Në Perëndim janë elektrikë. Mos e ki të ndalume hyrjen në Evropë, çysh e ke pas të ndalume dikur në Kosovë?”, ka shkruar ai.

Arrestohet në Han të Elezit një person i dënuar për “Vjedhje të pyllit”

NACIONALE

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Han të Elezit, i cili kërkohej me urdhëresë të gjykatës për vuajtjen e një dënimi me burg prej 120 ditësh për veprën penale “Vjedhje e pyllit”.

Sipas njoftimit të policisë, arrestimi është kryer gjatë një patrullimi në fshatin Paldenicë.

“Më 18.06.2026, rreth orës 17:30, patrulla e policisë së stacionit policor në Han të Elezit, gjatë patrullimit në fshatin Paldenicë, ka ndaluar dhe arrestuar një person të kërkuar me urdhëresë të gjykatës”.

Policia bëri të ditur se pas arrestimit janë kryer procedurat e nevojshme, ndërsa i dënuari është dërguar për vuajtjen e dënimit.

“I arrestuari, me inicialet I.A., ishte i kërkuar për veprën penale “Vjedhje e pyllit” me dënim me burg në kohëzgjatje prej 120 ditësh. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, personi është dërguar në vuajtje të dënimit”, thuhet në njoftim.