Konstituimi i Kuvendit është bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe mund ta vërë në pikëpyetje edhe zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4.
Kështu ka deklaruar Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Hasani pret që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme dhe ta pezullojë veprimtarinë e Kuvendit deri në shqyrtimin përfundimtar të rastit.
Në këtë skenar, Kuvendi nuk do të mund të mblidhej, ndërsa fati i Qeverisë së sapozgjedhur do të mbetej pezull.
PDK-ja iu drejtua Kushtetueses, duke kërkuar masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit më 13 shtator.
Sipas Hasanit, procesi nuk e ka ndjekur rrugën e përcaktuar me nenin 67 të Kushtetutës dhe nenin 12 të Rregullores së Kuvendit.
“Konstituimi i Kuvendit të dielën nuk ka ndjekur asnjë rrugë kushtetuese të përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Hasani e cilësoi “fund e krye arbitrar” konstatimin e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, se institucioni nuk mund të mbetet peng.
Sipas tij, Haxhiu nuk mund të provojë se PDK-ja ka sabotuar procesin ose ka hequr dorë nga e drejta kushtetuese.
Ai argumentoi se tërheqja e kandidatit të PDK-së duhet parë në kontekstin e gjendjes së stërzgjatur jokushtetuese gjatë konstituimit të Kuvendit.
“Nuk do të ishte profesionale që Gjykata, tani kur çështja është e qartë, të lejonte funksionimin e Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Hasani.
Ai tha se gjendja e krijuar prodhon pasoja nga betimi i deputetëve deri te vendimi për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4.
Nëse konstituimi shpallet jokushtetues, sipas tij, Kushtetuesja duhet ta konstatojë edhe jokushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë.
Gjykata, shtoi Hasani, duhet ta rikthejë procesin në afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Ai sqaroi se tejkalimi i afatit 30-ditor nuk prodhon automatikisht zgjedhje të reja.
Po ashtu, rrëzimi eventual i votimit të parë për Qeverinë nuk do ta përjashtonte rundin e dytë të procedurës kushtetuese.
Hasani paralajmëroi se kriza mund të ndikojë edhe në zgjedhjen e presidentit, për të cilën aktualisht nuk duket se ekzistojnë votat e nevojshme.
Sipas tij, Kurti po ushtron presion mbi opozitën, duke paralajmëruar mundësinë e zgjedhjeve.
“As kjo, mësa duket, nuk po pi ujë”, tha Hasani, duke shtuar: “I laguri për shi nuk ka dert”.