Dënimi i udhëheqësve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara ka shkaktuar me të drejtë zemërim, pikëllim dhe ndjenjën e një padrejtësie të thellë. Mirëpo, krahas kritikave legjitime ndaj Gjykatës, po shfaqen gjithnjë e më zëshëm edhe tone antiperëndimore, antiamerikane dhe kundër Bashkimit Europian, të cilat e trajtojnë një aktgjykim të diskutueshëm si armiqësi të gjithë botës demokratike ndaj shqiptarëve. Pikërisht në këtë çast emocional kërkohet kthjelltësi strategjike Dhomat e Specializuara duhen përballur me shkeljet dhe standardet e tyre, por beteja për drejtësi nuk duhet shndërruar në armiqësi ndaj aleatëve që ndërhynë në momentin vendimtar për shpëtimin dhe çlirimin e Kosovës. Një reagim i tillë do të ishte historikisht i pavërtetë, politikisht vetëshkatërrues dhe strategjikisht në shërbim të Beogradit e Moskës.
Adri Nurellari
Perëndimi nuk është një qeveri e vetme, një qendër komanduese, një zyrë diplomatike apo një gjykatë që mendon dhe vepron si një trup unik. Thelbi i tij është pikërisht pluralizmi; që do të thotë shumë shtete me interesa të ndryshme, qeveri të larmishme që ndërrohen, parlamente ku përplasen shumica dhe opozita, gjykata me shkallë apelimi, media që hetojnë pushtetin, universitete që sfidojnë narrativat zyrtare dhe shoqëri civile që kundërshtojnë vendimet e institucioneve. Brenda vetë Perëndimit zhvillohet vazhdimisht një betejë mes interesit dhe parimit, sigurisë dhe lirisë, pragmatizmit gjeopolitik dhe drejtësisë. Pikërisht kjo hapësirë kundërshtimi dhe korrigjimi e dallon atë nga sistemet autoritare, ku qëndrimi i udhëheqësit shndërrohet automatikisht në qëndrim të shtetit dhe të shoqërisë.
Prandaj Dhomat e Specializuara nuk mund të barazohen as me NATO-n, as me Shtetet e Bashkuara, as me Bashkimin Europian dhe aq më pak me gjithë botën perëndimore dhe filozofinë e liberal-demokracisë që e dominon. Një aktgjykim, sado i rëndë dhe i diskutueshëm, është produkt i një mekanizmi të caktuar, i një prokurorie të caktuar të politizuar dhe i një trupi konkret tendencioz gjykues. Porse nuk është kurrsesi plebishit i qytetërimit perëndimor kundër shqiptarëve. Brenda të njëjtës hapësirë perëndimore gjenden edhe shkallët e apelimit, juristët që mund ta rrëzojnë arsyetimin dënues, parlamentarët që mund të kërkojnë llogari, mediat që mund të zbulojnë shkeljet dhe institucionet evropiane që mund të rishikojnë strukturën e Gjykatës dhe riparojnë funksionimin e saj.
Ta shpallësh Perëndimin në bllok armik për shkak të një vendimi do të thotë të mos kuptosh se pluralizmi i tij është pikërisht mundësia jonë më e madhe për ta kundërshtuar atë vendim. Në një sistem autoritar, një aktgjykim politik është praktikisht fjala përfundimtare e pushtetit ndërsa në liberal-demokracitë perëndimore ai mund të sfidohet juridikisht, politikisht, akademikisht dhe publikisht. Për këtë arsye, përgjigjja racionale nuk është largimi nga Perëndimi, por hyrja më energjike në debatin e tij të brendshëm, përforcimi apo krijimi i aleancave dhe përdorimi i mekanizmave të tij korrigjues.
Retorika aktuale se “Perëndimi është kundër shqiptarëve” e zëvendëson analizën me fatalizëm, dallimet institucionale me teori komploti dhe strategjinë me mllef. Ajo i shndërron aleatët e mundshëm në armiq imagjinarë dhe ia fal fushën diplomatike Beogradit e Moskës. Kritika serioze duhet të përcaktojë se cili institucion ka gabuar, çfarë standardi ka shkelur, kush mban përgjegjësi dhe përmes cilit mekanizëm mund të korrigjohet padrejtësia. Pikërisht sepse Perëndimi është pluralist, një vendim i padrejtë nuk duhet pranuar si verdikt i tij përfundimtar, por duhet sfiduar brenda tij, me ligj, argumente, aleatë dhe këmbëngulje.
Pa ndërhyrjen e NATO-s më 1999, Kosova do të përballej me vazhdimin e spastrimit etnik dhe me një katastrofë njerëzore edhe më të madhe. Shtetet perëndimore nuk e filluan rezistencën shqiptare dhe as nuk ia dhuruan Kosovës lirinë, sepse ajo u fitua me sakrificën e popullit dhe të UÇK-së. Por ato ndërhynë në çastin vendimtar, goditën makinerinë ushtarake të Millosheviqit dhe krijuan kushtet ndërkombëtare për çlirimin, kthimin e refugjatëve dhe ndërtimin e shtetit. Kjo e vërtetë nuk zhbëhet nga gabimet, standardet e dyfishta apo politizimi i një mekanizmi gjyqësor.
Prandaj kritika jonë duhet të mbështetet pikërisht mbi standardet perëndimore që janë shkelur: prezumimin e pafajësisë, proporcionalitetin e paraburgimit, barazinë e kushteve të palëve, paanshmërinë e trupit gjykues, individualizimin e përgjegjësisë penale dhe të drejtën për një proces të rregullt. Argumenti ynë nuk duhet të jetë se drejtësia perëndimore nuk vlen, por se kjo gjykatë specifike eksperimentale nuk i ka respektuar siç duhet parimet në emër të të cilave vepron. Nuk duhet t’i kundërvihemi shtetit ligjor në parim por duhet të kërkojmë që ai të zbatohet pa selektivitet tek ky institucion i pilotuar.
Madje ekziston një kontradiktë themelore në çdo ligjërim anti-perëndimor rreth këtij procesi. Nga njëra anë kërkojmë që Gjykata të respektojë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, standardet e Strasburgut dhe parimet e drejtësisë liberale ndërsa nga ana tjetër dënojmë në bllok qytetërimin politik që i ka krijuar këto standarde. Nuk mund t’i kërkojmë Perëndimit të korrigjojë një padrejtësi duke e shpallur njëkohësisht armik. Apeli fitohet duke bindur gjyqtarë, juristë, diplomatë, parlamentarë, akademikë dhe opinionin publik perëndimor, jo duke i larguar ata me retorikë hakmarrëse.
Këtu duhet theksuar se marrëdhënia shqiptare me Perëndimin duhet të dalë më në fund nga fëmijëria politike, ku aleati ose adhurohet symbyllurazi si shpëtimtar i pagabueshëm, ose mallkohet si armik sapo na zhgënjen. Politika e një kombi të rritur nuk ndërtohet mbi këtë dikotomi histerike bardhezi, por mbi interesa afatgjata, parime, raporte force dhe vlerësim racional të alternativave. Kosova duhet të kultivojë një aleancë pa servilizëm, të ushtrojë kritikë pa vetëizolim dhe të ruajë mirënjohjen historike pa hequr dorë nga gjykimi i pavarur. Pjekuria fillon kur dimë ta kundërshtojmë një padrejtësi brenda aleancës pa e mohuar aleancën dhe pa e shpallur të gjithë Perëndimin armik. Mirënjohja ndaj SHBA-së dhe NATO-s nuk nënkupton bindje të verbër; aleanca nuk është vasalitet dhe miqësia nuk e përjashton kritikën. Përkundrazi, një partner serioz ka detyrimin të flasë kur vëren padrejtësi. Por kritika bindëse duhet të jetë e dokumentuar, juridike dhe institucionale, jo një shpërthim emocional që shpall armiq të gjithë ata prej të cilëve kërkojmë mbështetje për apelimin, njohjen ndërkombëtare dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.
Pikërisht këtu Kosova duhet të nxjerrë mësim nga përvoja tragjike e Shqipërisë, e cila për pothuajse gjysmë shekulli jetoi e izoluar, pa aleatë dhe e burgosur në mitin paranojak të një kombi stoik të rrethuar nga armiqtë. Ajo vetmi, e shitur nga diktatura si sovranitet dhe krenari kombëtare, prodhoi mjerim ekonomik, terror politik, prapambetje dhe një dramë të thellë njerëzore, kulturore e shpirtërore. Historia shqiptare e ka provuar tashmë se armiqësimi me botën nuk të bën më të pavarur, por më të dobët, më të varfër dhe më të pambrojtur; Kosova nuk ka asnjë arsye ta përsërisë këtë tragjedi nën një retorikë të re patriotike.
Ta themi shkurt e shqip, Kosova, nuk ka një plan B gjeopolitik. Ajo nuk mund të imitojë Serbinë sillet sikur e ka luksin të zgjedhë mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës. Siguria, shtetësia, njohjet ndërkombëtare, zhvillimi ekonomik, orientimi tradicional, lidhja e diasporës, dhe e ardhmja e saj janë të lidhura pashmangshmëritë me SHBA-në, NATO-n dhe Bashkimin Europian. Kampi alternativ jo vetëm që nuk ofron strehë për Kosovën por përkundrazi kundërshton vetë ekzistencën e saj.
Për më tepër, duhet të jemi me këmbë në tokë për të kuptuar se raporti i kostos është thellësisht asimetrik. Shpërthimet emocionale kundër Perëndimit mbështeten mbi iluzionin se armiqësimi ynë përbën ndonjë kërcënim apo kosto serioze për të. Në realitet, Perëndimi nuk ka pothuajse asgjë për të humbur nga turfullimi i disa milionë shqiptarëve, të cilët ndërkohë vazhdojnë çdo vit të braktisin vendet e tyre pikërisht për të kërkuar siguri, liri dhe mirëqenie në shoqëritë perëndimore. Ne, përkundrazi, rrezikojmë garancitë e sigurisë, mbështetjen për shtetësinë dhe njohjet e Kosovës, integrimin euroatlantik dhe vetë perspektivën e zhvillimit tonë. Kjo papjekuri bëhet edhe më e rrezikshme në kushtet e rikthimit të polarizimit gjeopolitik, përshkallëzimit të përplasjes mes Perëndimit dhe Rusisë dhe ndryshimeve tektonike të rendit botëror, të cilat i bëjnë shtetet e vogla si tonat edhe më të ekspozuara dhe më të varura nga aleancat e qëndrueshme. Pikërisht kur bota po ndahet sërish në kampe dhe ne kemi më shumë nevojë se kurrë për miq, nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin vetëshkatërrues të prodhimit të armiqve imagjinarë.
Rrjedhimisht, kthimi i kësaj çështjeje në një kryqëzatë kundër Perëndimit do t’i shërbente drejtpërdrejt Serbisë dhe Rusisë. Prej vitesh, Beogradi dhe Moska përpiqen ta paraqesin ndërhyrjen e NATO-s si agresion të paligjshëm, Kosovën si krijesë kriminale dhe UÇK-në si instrument të një komploti perëndimor. Nëse shqiptarët, të zemëruar me Gjykatën, fillojnë të mohojnë aleancën e tyre historike me Perëndimin, atëherë propaganda serbo-ruse fiton pa pasur nevojë të provojë asgjë. Viktima do të braktiste vetë aleatët, ndërsa agresori do të paraqitej si pala e vetme e qëndrueshme dhe racionale.
Pikërisht këtu duhet të mësojmë edhe nga kundërshtari. Serbia, ndonëse gëzon një hapësirë shumë më të madhe manovrimi mes Lindjes dhe Perëndimit, tregohet e kujdesshme që interesat e saj t’i paketojë me gjuhën e dialogut, stabilitetit dhe respektimit të rregullave ndërkombëtare. Ajo kultivon lidhjet me Moskën dhe Pekinin, por njëkohësisht lobon intensivisht në Uashington e Bruksel, investon në marrëdhënie me media, universitete dhe institute perëndimore dhe përpiqet të shfaqet si palë e matur e bashkëpunuese. Beogradi nuk ka ndryshuar domosdoshmërisht objektivat por ka ndryshuar tonin, imazhin dhe instrumentet me të cilat përpiqet t’i realizojë. Nëse edhe Serbia, e cila disponon alternativa dhe mbështetje jashtë Perëndimit, punon kaq fort për të ruajtur praninë dhe ndikimin brenda tij, do të ishte absurditet që Kosova (pa asnjë strehë gjeopolitike alternative) të largonte vetë aleatët e saj.
Mjafton të kujtojmë çfarë ndodhi pasi Serbia dështoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 2010 konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, Beogradi nuk e ndërtoi gjithë strategjinë e tij mbi sharjet kundër Perëndimit. Ai ndryshoi tonin, përshtati taktikat, veshi maskën e stabilitetit dhe dialogut, intensifikoi lobimin dhe filloi të punonte pikërisht brenda institucioneve, mediave, universiteteve dhe qarqeve politike perëndimore. Serbia nuk hoqi dorë nga qëllimet e saj por ndryshoi gjuhën dhe instrumentet për t’i bërë ato më të pranueshme në Perëndim. Ndërsa ne festonim të dehur me vetë-besim nga fitorja, Serbia përgatiti betejën e radhës. Ajo investoi në dosje, arkiva, institute, diplomaci publike, kompani lobimi dhe marrëdhënie me qendra vendimmarrjeje. Vazhdoi të ushqente narrativën e saj, por e paketoi me gjuhën e stabilitetit, bashkëpunimit dhe pragmatizmit. Maskarada e saj funksionoi jo sepse Perëndimi u bë domosdoshmërisht proserb, por sepse diplomacia funksionon me prani, përsëritje, dokumente, interesa dhe marrëdhënie të mirëmbajtura. Në politikën ndërkombëtare, boshllëkun që lë njëra palë e mbush tjetra.
Prandaj, sot nuk na duhet as servilizëm, as histeri antiperëndimore, por vetëpërmbajtje e pjekuri shtetërore në mënyrë që ta luftojmë aktgjykimin abuziv me ligj, Gjykatën me standardet që ka shkelur dhe propagandën serbo-ruse me arkiva, diplomaci e aleanca. Serbia do të dëshironte që, pasi shkroi dosjet kundër nesh, ne vetë të mbyllim rrugët e komunikimit me partnerët që mund të ndihmojnë në rrëzimin e tyre. Nuk duhet t’ia japim këtë fitore. Nëse Serbia mësoi t’i paketojë synimet e saj me gjuhën, praninë dhe instrumentet e vetë institucioneve perëndimore, Kosova nuk guxon të bëjë gabimin fatal duke u mbyllur në guaskën e paranojës dhe vetëviktimizimit.
Në fund, beteja për drejtësinë e luftës çlirimtare dhe dinjitetin e krerëve të UÇK-së nuk fitohet me vetëizolim e klithma kundër botës së lirë, por me pjekuri shtetërore, argumente të pakundërshtueshme juridike dhe diplomaci të palodhur. Në politikën ndërkombëtare, zemërimi pa strategji është dorëzim i pastër para kundërshtarit. Drejtësia nuk fitohet duke e shndërruar zemërimin në armiqësi ndaj Perëndimit, por duke kërkuar që ai t’u qëndrojë besnik parimeve të veta dhe të mos lejojë që devijimi i një gjykate të rishkruajë historinë e lirisë sonë.