Mbreti i Marokut emëron për herë të parë një grua për kryeministre
27 minuta më parë
20:13
NACIONALE
27 minuta më parë
20:13
Mbreti Mohammed VI i Marokut të martën e emëroi Fatima Ezzahra El Mansouri-n si kryeministre të vendit, pasi partia e saj liberale-qendrore doli e para në zgjedhjet parlamentare të 23 shtatorit, bëri të ditur pallati mbretëror. Ajo është gruaja e parë që do ta mbajë këtë post të lartë.
Në një deklaratë, pallati mbretëror tha se mbreti kërkoi nga El Mansouri që të formojë një qeveri të re, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Partia e Autenticitetit dhe Modernitetit (PAM) e El Mansourit u themelua në vitin 2008 nga një këshilltar i mbretit dhe nga ajo kohë e ka paraqitur veten si kundërpeshë ndaj Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (PJD) duke i mbështetur modernizimin social dhe pikëpamjet me prirje sekulariste.
Maroku është monarki kushtetuese ku mbreti ka kompetenca të gjera mbi politikën e jashtme, mbrojtjen dhe fusha të tjera kyçe.
Sipas kushtetutës së këtij shteti afrikan, mbreti e emëron kreun e qeverisë nga partia politike që e fiton numrin më të madh të ulëseve në Dhomën e Përfaqësuesve.
El Mansouri, avokate që ishte ministre e Banimit në qeverinë në largim dhe kryetare e qytetit Marrakech, do t’i udhëheqë bisedimet për formimin e qeverisë së re dhe do ta dorëzojë listën e anëtarëve të kabinetit për t’u miratuar nga mbreti.
