Zyrtare: Rami Hadar trajner i Kombëtares së Kosovës
Trajneri izraelit, Rami Hadar, tashmë është prezantuar si trajneri më i ri i Kombëtares së Kosovës në Basketboll. Ai do ta udhëheqë Kosovën nga tani e deri në vitin 2026.
Hadar, i cili ishte edhe më herët pjesë e Kombëtares në rolin e asistentit, ndërsa tani vjen në krye të skuadrës dardane pas suksesit të madh që arriti me KB Pejën në Superligë, ku para disa ditësh u shpall kampion, duke mposhtur KB Trepçën në një seri finale të jashtëzakonshme.

56-vjeçari ka një karrierë të pasur me skuadra të forta evropiane, por me kombëtare kjo do të jetë eksperienca e parë si kryetrajner.
Ai më parë ishte pjesë e gjigantëve evropian si Maccabi Haifa, Maccabi Tel Aviv e Hapoel Be’er Sheva si trajner, ndërsa kishte fituar vetëm një titull kampioni në të kaluarën në rolin e asistentit te Haifa.
Rami Hadar tashmë do të ketë angazhim të dyfishtë, pasi ditë më parë zgjati kontratën me KB Pejën, për të vazhduar sukseset, ndërsa tani e tri vitet e ardhshme do ta udhëheqë Kosovën, dhe për këtë ai falënderoi Federatën e Basketbollit të Kosovës, për mundësinë që ia ka dhënë.

“Së pari falënderoj Federatën për mundësinë. Jam shumë krenar që më është besuar kjo punë dhe së bashku me këtë punë vjen dhe përgjegjësia e saj dhe ju premtoj që do të bëjë gjithçka nga ana ime. E shoh si një sfidë në karrierën time si dhe një nga punët më të rëndësishme”.